Deputeti demokrat Edi Paloka ka sqaruar sesi ndodhi incidenti gjatë votimit të buxhetit 2023 në Kuvend. Përplasjen me kryeministrin, Paloka e cilësoi si një taktikë të mirëmenduar që sipas tij, Rama e përdor sa herë që në Parlament duhen votuar projektligje me rëndësi apo “të dyshimta.”
“Kjo e sotmja ishte vazhdim i asaj që ndodhi dje. Sot ndodhi e njëjta gjë, edhe pse nuk ishin kamerat. Kur po votohej, unë dhe Leskaj hymë në sallë. Nikolla ndërpreu seancën, mund të ketë pasur arsyet e veta. Ky zotëria do të provokojë. Filloi me Bujarin pastaj ne i dhamë reston. Jo vetëm për sot, por për gjithçka sa tha dje dhe çfarë ka bërë gjithë këto vite ndaj shqiptarëve. Ka 8-9 vite që fyen shqiptarët në përgjithësi” – tha deputeti i PD.
Paloka e mohoi që të ketë qenë në gjendje të dehur në Parlament. Ai tregoi se ndaj kryeministrit përdori të njëjtat fraza që ai përdori një ditë më parë në seancë plenare.
“I thashë je bedel. Je i pafe, i pa atdhe. Je gjel plehu në Surel. I thashë je miza në b*thën e kalit… Me Ramën, nuk e di a ka më fjalë që mund t’i thuhen për të zezat që i ka bërë këtij vendi. Nuk e kishim planifikuar” – tha ai.
Për këtë akuzë, deputeti demokrat tha se është gati të përballet me Ramën edhe në gjyq.
“Rama nuk hyn në sallë pa i futur 2-3 viza kokainë. E kam thënë edhe herë të tjera. E ka thënë edhe Dritan Prifti, ndjesë pastë. Le të më hedhë në gjyq. Dihet botërisht nga ata që e njohin, por kjo nuk është provë. E dimë edhe kush ia sjell, nga i vjen. Le të bëjë testin” – tha Paloka.
Sipas tij, sjella e kreut të qeverisë “justifikohet” me faktin që në parlament po kalonte ajo që ai e cilësoi si “vjedhja më e madhe e kësaj qeverie,” duke folur për Portin e ri të Durrësit.
“Çështja e Portit të Durrësit u soll në mënyrë të jashtëligjshme, u votua në mënyrë të jashtëligjshme” – tha ai në ABC.