Monday, November 25, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeEKONOMIEuro, kursi bie poshtë nivelit të 113 lekëve

Euro, kursi bie poshtë nivelit të 113 lekëve

Euro ka pësuar një tjetër rënie shumë të fortë në kursin e këmbimit me lekun ditën e mërkurë. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro ra në nivelin e 112.83 lekëve, duke humbur më shumë se një pikë krahasuar me ditën e martë. Që nga fillimi i muajit dhjetor, kursi i këmbimi Euro-Lek ka rënë me 3.45%, ndërsa që nga fillimi i vitit 2022 rënia ka arritur në 6.44%.

Sipas agjentëve të tregut, këtë javë vërehet një rritje e mëtejshme e ofertës valutore në treg, për shkak të sezonit te festive. Kjo është një tendencë pak a shumë e zakonshme sezonale, e lidhur me rritjen e turizmit hyrës dhe kthimin e emigrantëve për festat e fundvitit.

Por, këtë vit efekti sezonal po pason një periudhë kur pozitat e Euros ishin qysh më parë mjaft të dobëta, për shkak të ofertës së lartë në vijimësi, por edhe për shkak të frenimit të fortë kërkesës nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, duke filluar nga pjesa e fundit e muajit nëntor.

Rënia e Euros është ndikuar edhe nga elementë të tjerë sporadikë, si vendimi i njërës prej bankave tregtare për të konvertuar një pjesë të kapitalit aksioner nga Euro në Lekë. Të gjithë këta faktorë po sjellin një zhvlerësim të paprecedent të Euros ndaj Lekut.

Shumica e agjentëve të tregut shprehen se gjatë gjithë vitit 2022 është vërejtur një ofertë e lartë valutore në treg. Kjo ofertë e lartë ka përcaktuar tendencën rënëse të Euros ndaj Lekut, pavarësisht shtrenjtimit të importeve në përgjithësi dhe blerjeve të mëdha të KESH në veçanti, si edhe blerjeve të planifikuara nga Banka e Shqipërisë, për nevojat e rezervës valutore.

Oferta e lartë është ndikuar nga rritja e turizmit, eksporteve të shërbimeve dhe remitancave, por megjithatë në tërësi deficiti i llogarisë korrente të vendit deri në fund të 9-mujorit ishte në vlera të përafërta me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga ana tjetër investimet e huaja direkte kanë shënuar një rritje të ndjeshme, me 35%, megjithëse ato janë dominuar nga fitimet e riinvestuara. Në veçanti, një ndikim në rritje e prurjeve valutore kanë dhënë edhe investimet në rritje të huaja në tregun e pasurive të paluajtshme.

Përtej faktorëve të matshëm nga statistikat zyrtare, agjentët e tregu besojnë se prurjet e mëdha informale kanë një kontribut të rëndësishëm në ofertën e lartë valutore dhe në zhvlerëismin e Euros ndaj Lekut.

Forcimi i monedhës vendase ndaj Euros, që është njëkohësisht valuta kryesore në këmbimet tregtare të Shqipërisë, luan një rol pozitiv në drejtim të zbutjes së inflacionit. Analizat e Bankës së Shqipërisë kanë evidentuar se forcimi i Lekut është një nga faktorët që kanë zbutur presionet e forta inflacioniste nga jashtë dhe kanë bërë që Shqipëria të ketë një ndër normat më të ulëta të inflacionit në Europë. Forcimi i Lekut po favorizon edhe familjet shqiptare që kanë kredi në valutë të huaj të paguajnë më pak për të blerë valutën e nevojshme për shlyerjen e kësteve.

Por, rënia e Euros dhe mbiçmimi Lekut kanë edhe palë të humbura. Eksportuesit dhe sidomos sektorët e fasonerisë kanë pësuar një goditje të ndjeshme nga zhvlerësimi i Euros këtë vit.

Gjithashtu, familjet shqiptare që kanë një varësi të lartë nga remitancat gjithashtu po ndikohen negativisht nga rënia e kursit të Euros. Duke qenë se Euroja është valuta dominuese në strukturën e depozitave bankare, në teori edhe indvidët që kanë depozita në Euro po preken nga rënia e monedhës europiane./ MONITOR

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME