Orë tmerri mbrëmjen e së dielës në rrugën “Anastas Shundi” në periferi të Tiranës. Breshëritë e armëve i morën jetën banakieres 60-vjeçare që punonte në një lokal rreth orës 21:00 dhe lanë të plagosur 6 persona të tjerë, që janë jashtë rrezikut për jetën.
Kanë qenë dy ose më shumë persona që udhëtonin me motor përballë lokalit në pronësi të Fatjon Muratit, të cilët janë ndalur dhe kanë qëlluar me breshëri drejt lokalit duke terrorizuar zonën përreth.
Nga të shtënat e armëve ka mbetur e vrarë Mimoza Paja, rreth 60 vjeçe, banakierja e lokalit, si dhe janë plagosur Sahit Murati, 50 vjeç, Astrit Meraj,42 vjeç, Emanule Sala, 47 vjeç, Ermir Bejuku, 45 vjeç, Genc Shohalli, 55 vjeç. Plumbat i kanë marrë në gjoks, në krahë dhe në këmbë, sipas mjekëve të spitalit të Traumës, ku po kurohen të plagosurit.
Nga ciflat e xhamave është lënduar edhe një e mitur 10-vjeçare me mbiemrin Paja. Atentorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes duke përfituar nga errësira dhe deri tani policia nuk ka asnjë gjurmë të tyre.
Gjithsesi policia njoftoi se janë ngritur postblloqe në rrugët që lidhin Tiranën, Durrësin dhe Elbasanin me shpresë se do të ndalojë autorët e krimit.
E shkuara kriminale e Fatjon Muratit
Dyshohet se shkaku për atentatin e kësaj të diele të fshihet në konfliktet e Fatjon Muratit, pronari i lokalit ku ndodhi vrasja. Pasuritë e Muratit janë sekuestruar më parë nga Prokuroria e Tiranës, madje edhe lokali që ishte në punë e sipër rezulton të jetë sekuestruar në tetor të vitit të kaluar.
Shkak i sekuestros së pasurisë së tij është bërë një akuzë në Itali për blerje të mallrave të vjedhura, posedim ilegal të armëve dhe të lëndëve narkotike.
Por aktiviteti në Itali nuk duket të ketë lidhje me ngjarjen e sotme. Në Tetor, Fatjon Murati u ndalua bashkë me Indrit Doklen dhe me Gentian Reçin, një dyshe e njohur për konfliktin me kushërinjtë Martinaj.
Në fakt, pas vrasjes së Brilant Martinajt në korrik të vitit të kaluar në atentatin ku mbetën të vrarë edhe Besmir Hoxha dhe Dikler Vata, prokuroria e Kurbinit kërkoi për të marrë në pyetje edhe Fatjon Muratin.
Përfshirja e tij në masakrën e Fushë-Krujës nuk u provua kurrë, megjithatë në Tetor ai u arrestua nga policia pasi gjurmët e gishtave iu gjetën në një makinë të mbushur me armatime.
Mesazhi pas atentatit
Kushdo që ka qëlluar drejt lokalit, ku mbeti e vrarë banakierja 60-vjeçare, kishte mundësi të shihte nga rruga paraprakisht, pasi dritat në lokal ishin ndezur.
Atentatorët duhet ta kenë ditur se Fatjon Murati nuk ishte në lokal, e megjithatë ata kanë qëlluar për të vrarë duke shkaktuar terror në lagjen përreth.
Mes klientëve të tjerë ndodhej edhe xhaxhai i Fatjonit, Sahit Murati, i cili është një nga të plagosurit.
Plumbat vijnë nga hakmarrja e verbër, por janë edhe një mesazh për të nxjerrë Fatjon Muratin nga jeta e arratisë, mesazh që i kushtoi jetën një gruaje të pafajshme.