Policia e Fierit finalizoi tri faza të operacionit “Siguria” në Fier dhe Lushnjë, duke arrestuar 4 persona dhe shpallur në kërkim një tjetër. Gjatë kontrolleve u sekuestruan 4 armë zjarri, 2 armë gjahu, municion luftarak, kokainë dhe dy maska silikoni. Armët e gjetura në Lushnjë dyshohet se janë përdorur në një ngjarje kriminale të mëparshme. Hetimet vijojnë për identifikimin e lidhjeve të mundshme të armëve me ngjarje të tjera kriminale.
Operacioni “Siguria” në Fier dhe Lushnjë, armët dhe maskat e silikonit dërgohen për ekspertizë në Tiranë
Burime konfidenciale nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier bëjnë me dije se operacioni “Siguria” është organizuar pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, verifikimeve dhe mbajtjes në vëzhgim të personave të dyshuar. Pas krijimit të dyshimeve për armëmbajtje të paligjshme, policia ka ndërhyrë duke ushtruar kontrolle në banesat dhe ambientet në përdorim të tyre, në zonat rurale të Fierit dhe Lushnjës.
Sipas të njëjtave burime, armët e zjarrit, municioni dhe maskat e silikonit të sekuestruara do t’i nënshtrohen ekzaminimeve në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë. Ekspertiza do të përcaktojë nëse armët kanë qenë të përdorura në ngjarje të rënda kriminale, si vrasje, grabitje apo episode të tjera të paligjshme.
Një tjetër detaj i hetimit lidhet me mënyrën se si mbaheshin të fshehura armët. Sipas burimeve, ato nuk janë gjetur vetëm në banesa, por edhe në ambiente të tjera ndihmëse, si kasolle dhe magazina, të cilat ndodhen në pronat e personave të dyshuar në zonat rurale.
Përgjigjet e ekspertizës pritet të hedhin dritë mbi përdorimin e mundshëm të këtyre armëve dhe lidhjen e tyre me ngjarje kriminale të pazbardhura.
Policia Fier
Kontrolle intensive për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe rritjen e parametrave të sigurisë publike.
Finalizohen në Fier dhe Lushnjë 3 faza të operacionit policor të koduar “Siguria”.
Sekuestrohen 4 armë zjarri, 2 armë gjahu, municion luftarak dhe 2 maska silikoni.
Vihen në pranga 4 shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër.
Armët e zjarrit të sekuestruara në Lushnjë dyshohet se janë përdorur në një ngjarje kriminale të ndodhur më parë.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Siguria”, për parandalimin e ngjarjeve kriminale, goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe të veprimtarisë së paligjshme në fushën e narkotikëve, shërbimet e Policisë finalizuan tri faza të këtij operacioni, konkretisht:
1.Në Fier, u arrestua në flagrancë shtetasi Suad Mernica, 42 vjeç, banues në Fier. Ky shtetas qarkullonte me lëndë narkotike kokainë, drejtonte automjetin në gjendje të dehur dhe, gjatë kontrollit, iu gjetën dy maska silikoni, që dyshohet se do t’i përdorte për të kryer veprimtari kriminale.
2.Po në Fier, gjatë fazës së dytë të operacionit, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, u kapën dhe u vunë në pranga dy shtetasit Zija Troka, 60 vjeç, dhe Endrit Troka, 25 vjeç (babë e bir), të dy banues në Fier.
Gjatë kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan dy armë zjarri (një kallashnikov dhe një pistoletë), një armë gjahu, municion luftarak dhe një përforcues grushti (dorezë metalike).
3.Ndërsa në Lushnjë, gjatë fazës së tretë të operacionit, shërbimet e Policisë vunë në pranga shtetasin Misir Biliku dhe shpallën në kërkim shtetasin L. B., 32 vjeç, të dy banues në Lushnjë (babë e bir).
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, pas një hetimi disa javor, ushtruan kontroll në banesën e këtyre shtetasve, ku gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, dy armë zjarri kallashnikovë, municion luftarak dhe një armë gjahu.
Paraprakisht, dyshohet se këto armë janë përdorur në një ngjarje kriminale të ndodhur më parë.
Armët e zjarrit të sekuestruara në Lushnjë dhe Fier do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme.
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e shtetasit L. B., të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

















