Mallakastër – Fationi, fermeri mallakastriot që la Greqinë për të investuar në fshat, po falimenton me fidanët e ullirit që po i shet nën kosto. Ai tregon se ata po e shesin ullirin kokërr 30-40 lekë kilogrami, ndërsa vajin 350 -400 lekë litri, në një kohë kur vaji ulliri i zonës së tyre shitet në vendet e BE me 18 euro litri dhe fidani deri në 18 euro, një.
Vetëm pak metra pasi në autostradën Levan – Tepelenë lexon tabelën Rroms, kthehesh dhe rruga të çon në një sipërfaqe toke të mbjellë me ullinj disavjeçarë dhe brenda saj në një sipërfaqe afro 2 dynymë, syri të sheh edhe fidanë ullinjsh.
Quhet Fation Aliaj, baba i dy fëmijëve, vajzë dhe djalë, që pasi punoi afro 10 vjet në Greqi erdhi të punojë në fshatin e tij, aty ku i ati kish ngritur fidanishte ullinjsh e vreshta.
Fationi i tregoi gazetarit Xhemil Beharaj se ka 15 vjet që merret me këtë zanat, ka pasur fitime të mira, por pas vdekjes së babait u detyrua që të merrte edhe një punëtor.
Ai ka një sipërfaqe toke prej 2,5 hektarësh dhe ka mbjellë 750 rrënjë ulliri, ku gati 50 rrënjë i ka mbi 100-vjeçare.
Fationi tregon se në këtë fidanishte ku ndodhemi ka 25 mijë rrënjë ulliri të cilat i mbjell të egra nga bërthama, i rrit, i sharton dhe i bën gati për mbjellje; rrëfen me pasion për varitetet, cili prej tyre ka prodhimtari, cili ka shije, kë varietet ka shitur më shumë, ku i ka shitur në Shqipëri, por na tregon se ka pasur edhe oferta që t’i shesë jashtë Shqipërisë por nuk ka mundur “sepse nuk jemi pjesë e BE-së”, thotë me trishtim ai.
Fationi flet për vështirësitë sidomos këto dy a tre vite te fundit. Zona ka superprodhim të ullirit si kokërr ashtu edhe vaj, por tregje nuk ka, pika grumbullimi jo. Ata po e shesin ullirin kokërr 30 apo 40 lekë të rinj kilogrami ndërsa vajin nga 350 deri 400 lekë litri
Ai pohon se një litër vaji ulliri i zonës së tyre shitet në vendet e BE-së me 18 euro litri sikundër fidani i ullirit po në këto vende shkon deri 18 euro një fidan.
“Ka super prodhim vaji e fidanësh, por nuk njihemi në tregje ndërkombëtare që të eksportojmë dhe këtu duhet të ndërhyjë e të ndihmojë shteti e jo të thuhet “pse keni mbjellë?!” arsyeton ai.
Nga rënia e punës dhe e të ardhurave ai largoi nga puna edhe punëtorin i cili iku në emigracion dhe sa koha kalonte fitimet binin shumë, aq sa nuk po del më me fitim dhe fidanët e ullirit nga 250 lekë një, tani i ka ulur çmimin në 100 lekë një fidan.
Edhe pse tashme në këtë fidanishte punon me të ëmën e tij dhe djalin e mitur që i shkon nga pas për të vjedhur zanatin ai thotë se nëse situata vazhdon e tillë ku fitim nuk ka, shteti nuk ndihmon dhe nuk ka prespektive, me shumë mundësi do të rikthehet në emigracion.