Sopranoja rrëfeu se ajo çka e ndihmoi atë të arrinte majat e suksesit dhe ta menaxhonte atë siç duhej më pas ishte edukimi i mirë dhe puna e madhe.
Sopranoja e njohur Inva Mula ishte e ftuar këtë të diel në programin “Dola te Ola”, ku teksa rrugëtoi nëpër kujtime me anë të fotografive rrëfeu frikërat me të cilat ajo është përballur kur u largua nga Shqipëria.
“Fillova të kuptoj që bota është shumë e madhe, dyert ishin të mbyllura dhe ishte shumë e paimagjinueshme që zëri im të dëgjohej”, tha sopranoja, teksa theksoi se vajtja në Paris e një të riu shqiptar që vinte nga një shoqëri e mbyllur nuk ishte e njëjtë me të atij që vinte nga një vend tjetër i botës.
“Ishin frikëra të mëdha se vija nga një rini e mbyllur. Do ballafaqohesha me artin botëror. Çdo gjë do të fillonte nga e para, edhe pse kisha një bagazh të mirë teknik dhe artistik”, u shpreh ajo.
Sopranoja rrëfeu se ajo çka e ndihmoi atë të arrinte majat e suksesit dhe ta menaxhonte atë siç duhej më pas ishte edukimi i mirë dhe puna e madhe.
“Unë bëra atë që isha dhe atë që nëna ime më kishte mësuar. Sekreti im i vetëm ishte se isha një fëmijë i mbushur me dashuri. Ti nuk ke frikë se s’do të dojë njeri nëse të kanë dashur prindërit”, tha Inva teksa tregoi se ka patur kolegë më famë të madhe që qanin para shfaqjes apo që një orë para se të hynin në skenë merrnin mjekun për t’u bërë psikoanalizë të shpejtë.