Iranianët e kampit të Manzës në Durrës e kanë mbyllur protestën pas pothuajse 4 orësh përplasje me policinë e cila kreu konttrolle me urdhër të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nën dyshimet për terrorizëm dhe krime kibernetike.
Urdhri u dha pasi kishte dyshime se iranianët kishin qendra me servera që i përdornin për të hackeruar institucionet e shteteve të huaja. or banorët e kampit MEK nuk i kanë pritur mirë këto kontrolle të policisë me urdhër të GJKKO dhe janë përplasur me policinë. Madje, kanë pretenduar se një banor i kampit është vrarë dhe disa janë plagosur.
Ministria e Brendshme reagoi zyrtarisht duke njoftuar se ndërhyrja e organeve ligjzbatuese është bërë pasi veprimet e tyre bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK prej vitit 2014 kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. Thelbi i marrëveshjes së vitit 2014 me MEK është se ato duhet të strehohen këtu vetëm për ‘qëllime humanitare dhe jo të kryejnë aktivitete të tjera’.
“Fatkeqësisht ky grupim nuk iu është përmbajtur këtyre angazhimeve duke thyer marrëveshjen. Ndërhyrja e Policisë së Shtetit ka qënë konform ligjit dhe në zbatim korrekt të procedurave që kërkojnë operacione të tilla. Veprimet e Policisë së Shtetit për zbatimin e ligjit janë kryer si në çdo pjesë tjetër të territorit të Republikës së Shqipërisë”- njofton Ministria e Brendshme.
Iranianët pretenduan se policia ka ushtruar dhunë dhe si pasojë e gazit lostjellës, një person ka ndërruar jetë dhe dhjetra të tjerë janë plagosur. Por policia e Shtetit si dhe Ministria e Brendshme mohuan pretendimet e tyre ndonëse ende zyrtarisht.