Portali “Oligarkia.al” raporton se Komisioni Europian ka pezulluar grantet për bujqësinë shqiptare nga programi IPARD, për shkak të korrupsionit dhe mos respektimit të procedurave ligjore nga AZHBR në shpërndarjen e tyre.
Letra nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Komisionit Europian i ka mbërritur disa institucioneve duke përfshirë Ministrinë e Bujqësisë, atë të Financave, AZHBR-në, Agjencinë Shtetërore të Programin Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës të Ilir Beqjas.
“Për të mos lejuar abuzimin e mëtejshëm të fondeve dhe për të mbrojtur interesin e taksapaguesve të Bashkimit Europian, ju njoftojmë se kemi vendosur të pezullojmë disbursimin e transhit të mbetur të programit IPARD për Shqipërinë derisa autoritetet shqiptare të përmbushin të gjitha kushtet dhe mangësitë e evidentuara” shkruhet në letrën e Wolfgang Burtscher, drejtorit të përgjithshëm të DG AGRI, drejtorisë për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural në Bashkimin Europian.
Vendimi i BE për të ndërprerë fondet e bujqësisë për Shqipërinë vjen pas një hetimi të OLAF, Zyra Antikorrupsion e Bashkimit Europian. Hetimi i nisur dy vjet e gjysmë më parë, ka zbuluar se se autoritetet shqiptare, përkatësisht AZHBR, nuk kanë respektuar procedurat ligjore në shpërndarjen e granteve për fermerët duke bërë që një pjesë e madhe e fondeve të vidhen.
Burime nga delegacioni i Bashkimit Europian thanë për Oligarkia.al se OLAF, ka identifikuar disa raste kur paratë janë dhënë për investime fantazmë, të cilat nuk ekzistojnë fare./Oligarkia.al