Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sonte në mbrëmje në ”Çim Peka Live”, ku ka folur për të gjitha zhvillmet e fundit.
INTERVISTA E PLOTË
Çim Peka: Z. Kryeministër, faleminderit që pranuar ftesën!
Albin Kurti: Ju faleminderit edhe juve për ftesën dhe mirë se ju gjej.
Peka: Po e filloj menjëherë me atë çfarë pretendojnë kritikët tuaj. Në shumicë thonë se Albin Kurti fitoi mbi 50% si populist dhe sot ka hequr dorë nga gjithçka. Nga një i burgosur politik, po ‘burgos’ idetë e tij populiste në lidhje me Dialogun me Serbinë dhe për bashkimin kombëtar. Unë po e filloj vetëm me Dialogun. Nga 5 lloj kushtet të panegocioueshme për bisedime me Serbinë, zero kushte thonë kritikët tuaj zoti Kurti, s’ka njohje nga Serbia, s’ka ndryshim të Kushtetutës, s’ka kërkim falje për krimet, s’ka kthim të të pagjeturve, s’ka zhdëmtim, s’ka as dorëzim të kriminelëve serbë, s’ka kthim të depozitave, s’ka kthim të fondit pensional e kështu me radhë. Shumë kushte- asnjë i realizuar ndërkohë që Dialogu vazhdon. Pse hoqët dorë?
Kurti: Së pari, unë s’kam qenë dhe as jam populist. Unë konsideroj që shoqëria, populli, nuk janë një totalitet organik ku me një fjalë, shprehje apo fjali a frazë i përmbledh të gjithë. Në shoqëri, në popull, ka klasa, ka interesa të ndryshme, mirëpo natyrisht që ne kemi fituar shumicën dhe në këtë mënyrë Kosova ka bërë një hap cilësor të demokratizimit të saj. Edhe sipas Transparent International, edhe sipas Reporterëve pa Kufij, edhe në aspektin e luftimit të krimit dhe të korrupsionit, edhe në aspektin e lirisë së medias, Kosova është ngritur për 17 vende. Kjo nuk i ndodh populistëve, kjo i ndodh demokratëve. Së dyti, në vitin 2014, ne kemi thënë që nuk jemi kundër Dialogut në parim, por jemi kundër Dialogut pa parime. Unë besoj se bisedimet që kemi me Serbinë, ndërkohë që nuk mund të thuhet që kemi arritur marrëveshjen e synuar janë bisedime ku ne jemi palë dhe jo temë. Në është më Kosovë, temë si dikur por gjithashtu kemi një ‘ndryshim tektonik’ për sa i përket këtyre bisedimeve meqenëse nuk është më njohja e Serbisë në fund të procesit, teksa ajo na merr neve kompromise e koncensione, por në qendër të marrëveshjes së ardhshme ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve, e kemi njohjen reciproke.
Peka: Z. Kryeministër, më falni që ju ndërpres; ju e zëvendësoni fjalën kusht, me parime. Ju keni folur në atë kohë për kushte. Pse jeni i bindur se bisedimet nga ish-pasardhësit tuaj ishin ‘pa parime’ dhe tuajt janë ‘me parime’? Dakord, po e pranojnë zëvendësimin e fjalës ‘parim’ me ‘kusht’, por nuk janë parime këto, janë kushte në fakt. Por gjithsesi, pse ju paskeni parime dhe ata s’kanë pasur parime?
Kurti: Në vitin 2011, kur kanë filluar Dialogun njëherë Teknik dhe pastaj Politik, kanë bërë 33 marrëveshje! Unë nuk kam thënë që secila prej këtyre marrëveshjeve është e keqe, por kam kundërshtuar shumë Asocionin e Komunave me Shumicë Serbe apo ‘Zajednicën’; kam kundërshtuar shumë ‘Fusnotën’ dhe kam kundërshtuar edhe disa marrëveshje të tjera. Kemi thënë që do të bëjmë rishikimin e këtyre marrëveshjeve dhe në fakt ne po bisedojmë duke pasur parasysh një rishikim që ne ia bëmë. Kurrë Kosovës nuk i është përmirësuar imazhi sa këto 1 vi e tre muaj që jemi në qeverisje dhe me këtë rast, për asnjë moment nuk e kemi dëmtuar Kosovën. Kemi pak trupa të të zhdukurve me dhunë të kthyer në Kosovë, mirëpo kaq trysni mund të bëjmë ne duke lëvizur edhe faktorët ndërkombëtarë karshi Serbisë. Pra, do të dëshiroja që gjendja të ishte më e mirë, por nuk e kam dëmtuar Kosovën në asnjë moment, ndërkohë që marrëveshjet që kam trashëguar njëmend janë dëmtim i Kosovës.
Peka: Është e vërtetë se marrëveshjet që keni trashëguar keni thënë se e dëmtojnë Kosovën, por gjithashtu keni thënë se disa marrëveshje të trashëguara ju nuk do t’i aprovoni. Ndërkohë, vetëm para pak ditësh është firmosur një marrëveshje (në opozitë e kundërshtojnë) ku një kompani në pronësi të Serbisë mori liçensën për të shitur energji në veriun e Kosovës ku faturat nuk janë paguar deri tani siç edhe ju vetë keni thënë. Megjithatë, kur ishit në opozitë deklaronit se energjinë në veri duhet ta inkasojë TEC-i ose qeveria e Kosovës. Me marrëveshjen e firmosur, në fakt, as njëra dhe as tjetra në fakt, por kompania serbe! Nuk është cenim i sovranitetit për të cilin keni folur në atë kohë kru kjo marrëveshje ka qenë në tryezë dhe ju keni qenë kundër?
Kurti: Unë besoj se ajo marrëveshje nuk është e mirë dhe ajo çfarë kemi bërë ne tash është një udhërrëfyes i zbatimit, në të cilën ka afate të zbatuara, të cakt maten me ditë dhe jo me javë apo me muaj apo largqoftë, me vite. Pra, qysh këtë javë që hymë, do të duhej që Elektroseveri ta dorëzojë listën e konsumatorëve tek KEDS-i dhe tek KOSTT-i. Për dëshirën dhe bindjen time, do të duhej që distribucioni apo shpërndarja në Kosovë të jetë pronë e një kompanie private të huaj; do duhej të ishte publike, mirëpo edhe privatizimin e furnizimit dhe të shpërndarjes unë e kam gjetur aty dhe jam 1 vit e tre muaj në qeverisje, jo 13 vjet. Nuk do të mund ta rikthej gjendjen kaq shpejt, por kjo kompani që u licencua nuk do të ketë në pronë asete të shpërndarjes, por vetëm do të kryejë shërbime të furnizimit dhe prandaj ishte e pranueshme për ne dhe brenda 100 ditëve, është Zyra e Rregullatorit të Energjisë ajo që do të bëjë një vlerësim se janë ndjekur hapat me përpikmëri. Pra, licenca është dhënë me kusht. Gjendja në terren ka qenë edhe më e keqe sesa marrëveshja e keqe. Unë po i ritheksoj ato që thashë në Kuvendin e Kosovës se e bëj një pranim minimal të realitetit për maksimumin e ndryshimit të tij.
Peka: Megjithatë, ju e konsideroni marrëveshje jot ë mirë ose marrëveshje të keqe sot dhe jeni i sinqertë në këtë pjesë. Por në kohën kur ishit në opozitë e konsideronit cenim të sovranitetit . Nga cenim i sovranitetit në marrëveshje jo të mirë, është ndryshim i madh zoti Kurti. Gjërat në terren mund të jenë siç thoni ju, por pse e keni kaq të vështirë ta pranoni se po, kam ndryshuar sepse realiteti është ndryshe?
Kurti: E para, për shkak se ajo marrëveshje ka mundur të mos bëhet atëherë. Unë e kam kundërshtuar edhe planin e Ahtisarit. Kosova sot i ka 38 komuna. Unë bashkëbisedoj, takohem me të gjithë kryetarët e komunave, madje edhe të komunave që i kam kundërshtuar. Unë e kam ndërgjegjen e pastër; duart më është dashur t’i fus në baltë, sepse aty e kanë hedhur Kosovën mirëpo ky është realiteti dhe për ta ndryshuar këtë realitet unë nuk mund të sillem sikur nuk ekziston. Në anën tjetër po e ritheksoj, më i keq është realiteti sesa marrëveshja e keqe që e kanë nënshkruar ata dhe në këto rrethana unë kam bërë më të mirën e mundshme dhe jam i bindur që do t’ia dalim, që t’i kthejmë mbrapsht shumë të këqia që janë instaluar dhe përfundimisht, edhe furnizimi, edhe inkasimi, të bëhet edhe në veri të Kosovës sepse për vite e vite të tëra, ne kishim një gjakderdhje financiare atje. Nëse ne do ta kishim bërë ndërprerjen e energjisë elektrike në Mitrovicë, atëherë ata automatikisht do të lidheshin me Serbinë dhe paraprakisht, mbase edhe do të thonin që kemi një krizë humanitare. Besoj se kjo ka qënë rruga më e mirë në situatën që ndodhemi.
Peka: Cilat nga marrëveshjet që ju keni kundërshtuar në opozitë, sot kategorikisht nuk do t’i miratonit?
Kurti: Po ta zëmë, ka marrëveshje që ka qenë e mirë; ajo për nustrifikimin e diplomave, por nuk është realizuar asnjëherë. Ka marrëveshje që unë e kam kundërshtuar shumë, por është e pashmangshme sot, se në krejt takimet rajonale e shpeshherë edhe në organizatat evropiane përdoret: është ‘Fusnota’! Çfarë të bëj unë tash kur në Bruksel ia vendosin, Kosovës, Fusnotën në dokumente dhe neve veç na e sjellin në Prishtinë?! Unë e kam kundërshtuar para se të bëhet! E kam kundërshtuar kur është aprovuar dhe kam thënë se është e keqe kjo që u bë, mirëpo dhjetë vjet më vonë, në 2022-in, mua më vjen ajo ‘Fusnota’.
Peka: Këtu kam një pyetje konkrete. Keni thënë se është e keqe ajo çfarë është bërë, apo keni thënë se kur të vij unë pushtet, ajo nuk do të zbatohet?
Kurti: Jo, jo! Shikoni: këta, neve në arenën ndërkombëtare na kanë deformuar. Nuk ke çfarë zbaton aty. Thjesht në Bruksel ta vënë Fusnotën, asteriksin dhe unë nuk besoj se ne duhet t’i ndërpresim marrëdhëniet me Brukselin për këtë gjë. Ndërkaq, Asocioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese dhe kjo është arsyeja pse për ne vazhdon të jetë një marrëveshje edhe sipas kushtetueshmërisë së Kosovës e papranueshme , lërë më sipas qëndrimeve dhe bindjeve tona politike. Unë nuk jam kundër serbëve, por Serbia është kundër nesh dhe nuk mund të lejoj një republikë serbe të dytë në Kosovë ngjashëm siç e kanë në Bosnje sepse edhe atje kanë filluar duke i bashkuar komunat me shumicë serbe drejt krijimit të një entiteti autonom, i cili e saboton shtetin e Bosnje Hercegovinës. Unë besoj se ngjashëm e kanë synimin edhe në Kosovë, pa harruar asnjëhërë se krerët në Serbi janë ata që para pak viteve provuan ta bëjnë projektin e shkëmbimit territorial , i cili si ide nuk mund të them se ka vdekur, por si projekt gjithsesi dështoi. Pra, të njëjtët që provuan ndarjen e Kosovës në emër të shkëmbimit territorial, janë ata të cilët tashmë me shumë ngulm e kërkojnë Asocionin e Komunave me Shumicë serbe, që është i papranueshëm për ne. Prej marrëveshjeve që përmendët, besoj se kryesorja që kurrsesi nuk bën të zbatohet është kjo.
Peka: ‘Kurrsesi nuk bën të zbatohet është kjo marrëveshje’, por, zoti kryeministër, ju keni thënë në parlament se nuk keni ndryshuar qëndrime. Ndërkohë, zv.kryeministri juaj është shrprehur se ata që nuk ndryshojnë qëndrime janë idiotë në funksion të realiteteve të reja. Nuk është i saktë zv.kryeministri apo nuk jeni i saktë ju?
Kurti: Nuk e kam fort parasysh kontekstin ku e ka thënë, por po ju tregoj mendimin tim dhe Zv.kryeministrin pyeteni ju dhe atë (qesh). Unë jam përbrenda të njëjtit koncept prej se është themeluar Lëvizja Vetëvendosje! Nuk mendoj se kemi ndryshuar as qëllim, as qëndrime! Tash, ke ca strategji e taktikë në ecje e sipër, por është minore. Nuk është për të thënë se ke ndryshuar qëndrim. Nëse ka një ndryshim të madh tek unë, kjo ka ndodhur në qershor 2010 kur kemi vendosur të hyjmë në institucione me pjesëmarrje në zgjedhje. Unë, pesë vjet, kam marrë pjesë në protesta, demostrata, aksione, tubime të panumërta me ç’rast kundërshtonin gjithë sistemin dhe as nuk hynim në zgjedhje. Në vitin 2010 kemi marrë vendim që protestave dhe demostratave t’ua bashkëngjisim metodën tonë të pjesëmarrjes në zgjedhje. Nëse ka ndonjë ndryshim, është i qershorit 2010. E kur garon në zgjedhje, ti garon për të fituar qeverisje, për të fituar mandate…
Peka: E vërtetë është që ndryshimi më i madh i Vetëvendosjes! është nga 2007-a në 2010-ën kur për tre vjet thoshit në mos gabohem, jo pavarësi, por vetëvendosje. Në 2010-ën ju pranuat realitetin, u futët si subjekt politik në institucione dhe filluat të garonit derisa erdhët në pushtet. Realisht, ndryshimi i madh, kapërcimi i madh i Vetëvendosjes! është ky: kur e kuptoi Albin Kurti, një protestues i lindur, ish-i burgosur politik në Serbi se jo gjithçka që është dëshirë në politikë, është e realizueshme, prandaj duhet t’i përshtaten institucioneve?
Kurti: 2005-2008 kemi thënë ‘jo negociata, vetëvendosje’. Në 2008-ën u shpall pavarësia dhe ne kemi kundërshtuar Planin e Ahtisarit, i cili na e dëmtonte shtetësinë dhe në vitin 2010 garojmë në zgjedhje, pra bëjmë një lloj përshtatjeje për ndryshimin që duam njesoj, madje dhe më shumë. Kur ti përshtatesh pak për ndryshimin e madh që e do, kjo tregon që e do shumë atë ndryshimin e madh. Në bisedimet ku unë kam marrë pjesë dhe me partitë e tjera politike, edhe me faktorët ndërkombëtarë, edhe në Bruksel me Serbinë, ai që qenë qëndrimi parimor është se nuk mund ta dëmtojmë substancën e shtetit dhe të pavarësisë, integritetin territorial dhe sovranitetin, që në pikëpyetje është raporti ynë me Serbinë, por jo qenia e Kosovës.
Pra, raporti i Kosovës me Serbinë është jornomal. Por Kosova ka qenie normale, është shtet normal, që ka pasur një rritje dyshifrore ekonomike vitin e kaluar prej 10.53%. Kemi rritur investimet e huaja prej 22%, eksportet për 83%, të hyrat tatimore prej 34 % pa e ndryshuar politikën fiskale, sepse kur njerëzit kanë shpresë, më shumë shpenzojnë se sa kursejnë dhe kur shohin se nuk ka skandale të korrupsionit në qeveri, paguajnë më kollaj tatime. Dhe po tregojmë se jemi një shtet normal.
Peka: I besoni realisht këto rritje ekonomike …
Kurti: Padyshim.
Peka: Po pse nuk i rrisni pagat në këto kohë krize, kur Kosova qenka më mirë? Sepse rritja e fundit është me qeverinë Thaçi, në mos gaboj.
Kurti: Unë kam garuar për kryeministër jo me ligjin për pagat, por me sloganin, ‘Drejtësi dhe punësim’. Sipas ‘Justic Project’ Kosova është e para në Ballkan për sundimin e ligjit dhe e 60 në botë. Ndërkaq 25 mijë vend të punës i kemi shtuar vitin e kaluar, 10 mijë drejtpërsëdrejti për shkak të pakos së ‘Ringjalljes Ekonomike’. Dmth unë dëshiroj punësimin e njerëzve dhe jo thjeshtë rritjen e pagave të punëtorëve në sektorin publik. Edhe pagën mesatare në sektorin publik e kemi më të lartën se në sektorin privat. Unë jam interesuar që të rritet mesatarja dhe shumica dërrmuese e të punësuarve, rreth 80% janë në sektorin privat. Ne dëshirojmë që edhe në sektorin publik të rritet paga, por rritja e pagës nuk duhet ta ndjekë thjeshtë rritjen në ekonomi, por duhet ta ndjekë rritjen e produktivitetit brenda rritjes ekonomike.
Peka: Nëse ju kuptova drejt ju keni për qëllim, më shumë se sa rritjen e pagës, numrin e të punësuarve?
Kurti: Padyshim, punësimi ka prioritet ndaj rritjes së pagës, sepse ne e kemi papunësinë ende të lartë.
Peka: Për ta mbyllur me dialogun. A keni ndonjë parashikim se kur do të jetë fundi i bisedimeve dhe kur do të jetë marrëveshja finale?
Kurti: Marrëveshja ligjërisht e obligueshme siç e kanë përkufizuar edhe aleatët dhe partnerët tanë, veçanërisht SHBA, duhet të ketë në qendër njohjen reciproke. Aktualisht as ne nuk e njohim Serbinë dhe as ata nuk na njohin neve. Na nevojitet një njohje reciproke. Ne ekzistojmë edhe pa këtë njohje. Është një shembull i mirë që Kosova, po avancon edhe pa njohjen e Serbisë. Unë nuk dua që varësinë e dikurshme nga Serbia, ta zëvendësojmë me varësinë nga njohja prej Serbisë. Pra edhe pa njohjen e Serbisë ne ecim para. Mirëpo me njohjen reciproke të Kosovës dhe Serbisë, ne do të mund të integrohemi më shpejt.
Peka: Z. Kryeministër që Serbia nuk e njeh Kosovën, ky është një fakt. Ju po thoni se edhe Kosova nuk e njeh Serbinë?
Kurti: Kosova nuk e njeh Serbinë, nuk mund ta njoh Kosova, Serbinë, kur nuk e njeh Kosovën. Madje do të duhej 1 minutë më vonë, pas njohjes së Kosovës nga Serbia, ta njohë Kosova Serbinë. Vetëm një Serbi që njeh Kosovë, ne mund ta njohim. Ne tani kemi mosnjohje reciproke.
Peka: Është qëndrim me dy standarde, pasi ka edhe shtete të tjera që nuk ju njohin dhe ju i njihni. Sepse duke mos njohur Serbinë, ata mund të ngrejnë ndonjë pretendim. Unë nuk mendoj se Kosova ka pretendime territoriale ndaj Serbisë. Ka dhe shtete të tjera që nuk u njohin dhe Kosova i njeh?
Kurti: E vërtetë. Po unë nuk mund ta vë, ta zëmë: Serbinë, në të njëjtin raport me Sllovakinë. Sllovakia, Greqia nuk na njohin, por ato nuk kanë kryer gjenocid në Kosovë dhe nuk kanë pretendime ndaj Kosovës. Ndërkohë që Serbia, e ka Kosovën në Kushtetutën e saj, në pjesën e dytë të fjalisë që thotë se është pjesë e Serbisë. Pra, një Serbi e tillë, me një Kushtetutë të tillë, ne nuk mund ta njohi.
Peka: Sot e gjithë bota i ka sytë të lufta në Ukrainë. Një konflikt i cili ka destabilizuar, Europën dhe Botën. Duke pasur parasysh raportet e Serbisë me Rusinë, është mjaft e ndjeshme debati nëse dialogu duhet të bëhet në këto kushte, apo të presim. Për ju është më e favorshme që dialogu të bëhet në kushtet kur Serbia është e atashuar dhe ai ambalazh demokratik që u mundua të krijonte i ra, apo në kushte të tjera më të favorshme.
Kurti: Kur na ftojnë në Bruksel, nuk përcaktohet nga ne. Është gabim që ftesave të Brukselit ose të SHBA, pasi janë bashkë, ti themi jo. Kur na ftojnë në takim shkojmë. Unë prezantoj qëndrimin e Kosovës, denoncoj krimet e kryera gjatë luftës nga Serbia dhe shtroj kërkesa konkrete. Ndërsa në anën tjetër, po ashtu gjithë faktorëve ndërkombëtar ua tregoj lidhjet e ngushta mes Serbisë dhe Rusisë. Takimi i fundit mes presidentit të Serbisë dhe Federatës Ruse, u zhvillua në 25 nëntor të vitit të kaluar në Soçi të Rusisë, një ditë para takimit të mbledhjes së 7 të dy qeverive në Elbasan. Në atë takim kanë deklaruar se kanë diskutuar për hipokrizinë ndërkombëtare, e me qëllim presidenti i Serbisë e ka vënë hartën e Kosovës në tyrezën e bisedimeve me presidenti despotik të Rusisë, dhe aty i ka treguar veriun e Kosovës. Ky ishte takimi i 19 mes Vuçiç dhe Putin. Pa u bërë dy javë nga kjo, në 8 dhjetor, presidenti i Rusisë e emëron një Gjeneral Major, si numër 2 në Armatën e Federatës Ruse, Junuzbeg Jevkurov, i cili në vitin 1999, pat sjellën në natën e 11 qershorit, 206 ushtarë rusë nga Bosnja në aeroportin e Prishtinës që të mbërrijnë para NATO-s. Kremlini është shumë i preokupuar me Kosovën, ndërsa Serbia i ka lidhjet e ngushta, si ushtarake dhe ekonomike. 56 % e industrisë së naftës në Serbi i ka Gazprom.
Peka: Këto denonconi ju në faktorin ndërkombëtar. Pika kultimante në takimin që ka pasur Vuçiç me despotin Putin i ka vendosur hartën e Kosovës dhe i ka treguar veriun. Z. Kurti kur keni takime ndërkombëtare, a e denonconi edhe faktin se kryeministri shqiptar ka thënë pikërisht të njëjtën gjë, kur diskutohej korrektimi i kufijve dhe tha se; është një rast që na vjen njëherë në 30 vjet. Edhe në atë kohë, për Veriun e Kosovës bëhej fjalë. Kur e thotë Vuçiç ju e denonconi, por kur e thotë kryeministri shqiptar ju nuk e denonconi. Çfarë ka për tu habitur, thotë Vuçiç dhe këtë e ka thënë Edi Rama dhe e ka thënë konkretisht; është një rast që na vjen në 30 vjet.
Kurti: Nuk besoj se ka qenë një rast i mirë për Kosovën, teza e bërë projekt për shkëmbim territorial, dhe shumë mirë që ka dështuar. Serbinë e njoh shumë më mirë se sa kryeministri i Shqipërisë, dhe Serbia i ka 48 baza sulmuese rreth kufirit me Kosovën. Me 50-150 ushtarë të armatosur. 28 prej tyre janë ushtarake dhe 20 janë xhandarmëri. Dhe janë në atë zonën tokësore të sigurisë 5 km, e cila ka qenë e zbrazur deri në gushtin e vitit 2001. E pas gushtit 2001, ata janë futur aty. Unë nuk besoj se do të na sulmojnë këtë javë edhe pse quhen baza sulmuese. Unë e kam rritur buxhetin e vitit 2022 veçanërisht për bujqësinë dhe ushtrinë, 52 % për ushtrinë. Unë nuk i besoj Beogradit edhe kur flet diçka që duket paqedashëse dhe gjithçka që bën, është luftënxitëse.
Peka: Ju sapo thatë që Serbinë e njihni më mirë se kryeministri i Shqipërisë. Ndoshta jeni neglizhues ndaj z. Rama, sepse partia që drejton ai është themeluar në vitin 1941 fiks nga Serbia. Nëse mendoni se komunistët-socialistët shqiptarë nuk e njohin Serbinë, gaboni ose neglizhoni. Pyetja ime për ju është, këto shqetësime që ju ngritët për Serbinë, ja keni bërë të qartë Ramës se cili është realisht rreziku serb, kur ai flet dhe jep garanci në emër të Serbisë?
Kurti: Sigurisht unë ja kam sqaruar këtë gjë, që kur se njihemi. Nuk besoj që PS është Partia e Punës, mirëpo sa i përket disa iniciativave rajonale ne nuk pajtohemi. Unë besoj se Serbia do të destabilizojë Ballkanin, që nuk është neutrale, por ka marrë anën e Kremlinit. Nuk mund të jesh neutral mes zjarrfikësit dhe zjarrit. Ata i kanë 14 aviona MIG29. 8 i kanë marrë nga Bjellorusia dhe 6 nga Rusia dhe këtu nuk ka dilema.
Peka: Çfarë ju ka thënë kryeministri shqiptar kur ja keni bërë të qarta qëllimet e Serbisë.
Kurti: Ai ka dy linja të argumentimit. Në njërën anë, nganjëherë konsideron se ne po e mbivlerësojmë rrezikun, ndërsa në anën tjetër nganjëherë tregon për një rrezik që mund të jetë edhe më i marr, prandaj duhet të jemi një cike më të kujdesshëm. Unë mendoj se nuk kemi ca të jemi të kujdesshëm ndaj Serbisë, sepse çfarë do qëndrimi xhentil, bujar nga ana jonë, nga Beogradi lexohet si dobësi. Ata nuk e kuptojnë bujarinë shqiptare, xhentilencën, nuk e kuptojnë të qenit i fortë në parime dhe me fjalë të buta. Kur ke fjalë të buta ndaj tyre, mendojnë se je i dobët.
Peka: Ju po mendoni se Rama po tregohet naiv me Beogradin, apo ka një plan më të madh për të cilin ju nuk jeni dakord?
Kurti: Nuk e di plotësisht nëse plani është ta zëmë, ky Ballkani i Hapur si ide. Unë nuk mendoj se do të ketë sukses. Edhe mendoj se është i gabueshëm. Ballkani i Hapur nënkupton një synim që nuk na qenka i hapur, por duhet ta hapim, por ndaj kujt? Ne jemi të hapur ndaj BE-së dhe SHBA-së, dhe NATO-s. Por të hapet Ballkani ashtu siç është hapur Serbia për Federatën Ruse dhe Kinën, unë mendoj se është gabim.
Peka: Ju mendoni se do të dështojë Ballkani i Hapur, ndërsa Rama është i sigurtë që ju do ti bashkoheni. A keni një përgjigje për të. Madje zëra mediatikë të Ramës, kanë filluar të flasin se pas 1 apo 2 muajsh ju dorëzoheni dhe i bashkoheni Ballkanit të Hapur. A ka Albin Kurti një përgjigje të prerë që nesër të mos themi ndryshoi qëndrim.
Kurti: Nuk ka gjë prej një ngrehine në të cilën Serbia nuk pranon as dokumentet e Kosovës e jo më Kosovën. Nëse Ballkani na u dashka të jetë i hapur, le të hapet Serbia për Kosovën. Nëse shkon me letërnjoftim të Kosovës në Serbi, në kufi i thithin të dhënat biometrike dhe të japin një letër, ku shkruan se e ke humbur kartën e identitetit të Serbisë nga viti 1999. Dhe ti mund të mos jesh i lindur nga vitin 1999. Nëse ulesh në aeroportin e Prishtinës, Adem Jashari dhe dëshiron të shkosh në Preshevë, nuk të lejohet. Duhet të shkosh ose në Maqedoninë e veriut, ose në Mal të Zi, sepse ata e konsiderojnë se është hyrje ilegale në territorin e Serbisë. Çfarë Ballkani i Hapur është ky. Aty janë 4 marrëveshje gjithsej. Vetëm në takimin e 8 mes dy qeverive ne nënshkruam 19 marrëveshje bashkëpunimi, memorandume, e protokolle që është gati pesëfishi i atyre.
Peka: Daniel Server ka thënë se Ballkani i Hapur është lëshimi i fundit i SHBA-të janë të gatshëm të bëjnë ndaj Serbisë. Albin Kurti si kryeministër i Kosovës, rezistuesi i fundit për të firmosur një marrëveshje të mirë për Kosovën, aq sa mundet, më i gatshëm do të ishte të shikonte korrektimin e kufijve apo Ballkanin e Hapur, pasi siç thotë analisti Server ky është lëshimi i fundit për Serbinë.
Kurti: Nuk mendoj se duhet të zgjedhim mes dy të këqijave. Shpeshherë në politikë më kanë thënë a do shkëmbim territorial apo ‘Zajdenicën’. A ta thyejmë këmbën, apo dorën? Mos të thyejmë asnjërën. Pse ne shqiptarët që jemi tkurrur historikisht, tani nuk e popullojmë as gjysmën e territorit që e kemi populluar para 1 shekulli, pse na u dashka që të zgjedhim të keqen më të vogël. Sepse pansllavizmi po merr prap hov, sepse Kremlini do të zgjerohet e ne duhet të zgjedhim, a të na thyejnë këmbën, apo dorën. Unë them të bashkëpunojmë sa më shumë me njëri-tjetrin që të mos dëme siç i kemi pësuar historikisht.
Peka: Z. kryeministër në Shqipëri, ky është një debat i madhe dhe fatkeqësisht është një shqetësim i madh dhe ka dhe prej atyre zërave që shumë shqiptarë që thonë, jo shumicë por shumë që thonë që ‘Ballkani i Hapur’ është një gjë e mirë për ne, mbase nuk është për Kosovën por do e bëjmë. Pyetja ime për ju është: Me analizën tuaj ‘Ballkani i Hapur’ mund të mos jetë i mirë për Kosovën, po për Shqipërinë është i dobishëm?
Kurti: Çdo gjë që nuk është e mirë për Kosovën nuk është e mirë as për Shqipërinë , ç’ka nuk është e mirë për Shqipërinë nuk është e mirë as për Kosovën. Ne jemi dy shtete por jemi një komb dhe duhet të rrisim bashkëpunimin dhe ndjeshmërinë për njëri-tjetrin. Në ‘Procesin e Berlinit’ udhëheq Gjermania, në ‘Ballkanin e Hapur’ udhëheq Serbia, unë besoj se procesi i Berlinit nën udhëheqjen e kancelarit Scholts është rruga e duhur drejt integrimit europian. Nuk është shpejt por nuk ka rrugë më të mirë dhe mos harroni që Serbia dëshiron që faktorët perëndimorë të mos jenë në një vijë. Serbia dëshiron që as Gjermania të mos pajtohet me Francën dhe as Brukseli më Uashingtonin. Ndërkohë që interesi i shqiptarëve është raporti i mirë trans-atlantik, ne kemi interes sinkronizimin e dyfishtë, sinkronizimin Paris-Berlin dhe Bruksel-Uashington. Serbia njësoj si Kremlini dëshiron që faktorët perëndimorë të jenë të përçarë. Është gabim që ne shqiptarët provojmë si Serbia të luajmë me dallimet mes faktorëve perëndimorë. Jo! Neve na intereson ajo çfarë është e përbashkët ndërmjet Berlinit-Brukseli-Parisit-Uashingtonit dhe Londrës. E përbashkëta e tyre është perëndimi demokratik dhe ky është interesi i shqiptarëve në dallim nga Beogradi dhe Moska që dëshirojnë të luajnë në dallimet mes tyre për t’i rritur ato dhe për të rënë edhe Nato-ja edhe Bashkimi Europian.
Peka: Por, që fatkeqësisht, që fatkeqësisht, këtyre dallimeve i është bashkuar edhe kryeministri shqiptar. Ju po shikoheni gjerësisht si lojtari kryesor sot në Ballkan i kancelarit të ri gjerman. Vizitën e parë e bëri në Kosovë, keni fituar besimin e tyre dhe po e trajtoni si aleatë strategjik. Ndërkohë që SHBA-të nëpërmjet Escobar kanë thënë që nuk janë kundër Ballkanit të Hapur vetëm si proces ekonomik dhe jo proces politik. Z. Kurti nëse ju duhet të zgjidhni mes Gjermanisë për ‘Procesin e Berlinit’ dhe tolerancës amerikane për ‘Ballkanin e Hapur’ çfarë do bëjë Albin Kurti?
Kurti: Unë gjithmonë investoj dhe angazhohem për atë që Berlini dhe Uashingtoni kanë të përbashkëta dhe mos harroni se edhe z. Escobar ka deklaruar se Ballkani i Hapur nuk mund të ketë sukses nëse nuk janë të gjashtë shtetet. Aty tani janë tre shtete dhe janë dy vëzhguese. Kosova nuk është. Më së shumti Ballkanin e Hapur e mbështet Serbia dhe më së shumti e kundërshton Kosova, të tjerët janë mes këtyre dy pozicioneve. Mos harrojmë si ka nisur Ballkani i Hapur! Ka nisur në tetorin e vitit 2019 kur ‘Vetëvendosja’ i fitoi zgjedhjet për herë të parë dhe Beogradi u alarmua shumë. Së dyti kur u pa që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk do t’i çelen negociatat për anëtarësim dhe së treti si rezultat presidenti i Serbisë e ftoi dhe kryeministrin e Shqipërisë edhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut dhe ju tha ‘ejani tek unë në Novisad se nuk ju do Europa ju. Unë ju dua’. Në njëfarë mënyre ky nuk është procesi i Novisad. Pra unë nuk kam për ‘Procesin e Novisadit’ unë jam për ‘Procesin e Berlinit’, ajo ka filluar atje në Novisad dhe synimi është të krijohen nisma rajonale si në shekullin 20 kur dominon Serbia. Serbia për tu kualifikuar që të bashkëpunojë me Kosovën, Shqipërinë , do të duhet të ndërrojë raportin që ka së pari me Kosovën. Ato mohojnë gjenocidin që kanë kryer në Kosovë dhe le më pastaj edhe thonë se nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës.
Peka: Ata nuk pritën ta ndryshojë në këtë gjë dhe fatkeqësisht edhe për shkak të angazhimit të kryeministrit shqiptar për ‘Ballkanin e Hapur’ dhe refuzimit me të drejtë të Kosovës, Kosova dhe jo Serbia, po profilizohet sot si protestuese e bashkimeve rajonale si shtet që pengon marrëveshje dhe jo si bashkëpunuese. Ndërkohë që Serbia, e cila ka bërë një gjenocid që nuk po ju kujtohet më, po kthehet në faktorin kryesor në rajon, nga faktori ndërkombëtar. Kam idenë që …zyrtarët serb e kanë shumë më të lehtë të takohen në Uashington më zyrtarët amerikanë se sa zyrtarët e Kosovës. Pse kjo dhe sa e rrezikshme është?!
Kurti: Në njërën anë ata kanë fuqi të madhe lobuese. E kanë pasur gjithmonë . E dyta ka ndodhur një rehabilitim i presidentit të Serbisë nga pararendësit e mi. Dhe e treta, po ashtu e rëndësishme është se lufta ruse në Ukrainë pra invazioni dhe agresioni rus në Ukrainë ka bërë që të përmirësohet imazhi i shqiptarëve por me kushtin që edhe shqiptarët të jenë konsistent. Unë besoj që kurrë nuk kemi pasur Shqipëria dhe Kosova rejtingun më të lartë në Perëndim se tani. Mua asnjë prej këtyre krerëve të diplomacisë botërore dhe krerëve politik në perëndim nuk më ka thënë që Serbia është më konstruktive se ne. Por në këtë ‘mahallën ballkanike’ bëhet një zhurmë e tillë por nuk do të thotë kjo duhet të trembë asnjeri. Dhe e fundit që desha të them për këtë iniciativë është se diçka personale, as si përcaktim i imi politik, as si ndjeshmëri e imja kulturore, unë nuk besoj në vetëmjaftueshmërinë e Ballkanit. Ka pasur shumë projekte të tilla gjatë shekullit njëzet. Më i famshmi është ai i Gjergj Dimitrovit, bullgarit. Por një federatë a konfederatë ballkanike, unë nuk besoj te ato. Unë besoj se Bashkimi Europian është fati dhe destinacioni ynë dhe se Europa është kontinenti ynë. Nëse do të ndjehesha i vetëmjaftueshëm do të ndjehesha i vetëmjaftueshëm si komb shqiptar. Por natyrisht asnjë komb nuk është i vetëmjaftueshëm dhe po dola nga kombi shqiptar nuk kam pse ndalem në Ballkan. Nëse dal nga Kombi shqiptar po shkoj në Romë në Berlin në Paris në Tokio, nuk kam pse ndalem në Ballkan. Prandaj kjo vetëmjaftueshmëria kulturore historike e Ballkanit nuk është diçka që unë e pranoj as personalisht.
Peka: Z, Kurti po të kishte dhe Shqipëria një kryeministër që mendon si ju për ‘Ballkanin e Hapur’ , shqiptarët a do të ishin më të favorizuar sot në Europë?
Kurti: Besoj që Shqipëria, Kosova, janë boshti në Ballkan që në njërin krah kanë së pari Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, gjithashtu në NATO ndërkaq nga aspekti i peshës edhe historike janë Kroacia por edhe Sarajeva zyrtare, por edhe Bullgaria përkatësisht Sofja zyrtare. Kjo e mban Ballkanin paqësor dhe e ndalon edhe hegjemoninë serbe edhe pansllavizmin. Sepse ajo çfarë po ndodh sot është një lloj e ringjalljes ushtarake dhe luftarake e pansllavizmit e kombinuar me një ideologji social-konservatore të skajshme. Ndërsa pas invazionit dhe agresioni në Ukrainë këtë nuk mund ta quaj ndryshe veçse fashizëm rus. Sepse fashizmi nuk është i rezervuar vetëm për Gjermaninë dhe Italinë mes dy luftërave botërore , dhe as për Kilin e para gjysmë shekulli. Por fazhimi mund t’i bjeri çdo pupulli e i ka rënë super-fuqisë së quajtur Rusi.
Peka: Z. Kurti, kritikët tuaj këtu dhe media që përgjithësisht janë kundër jush. Edhe tre opozitat që ua pranojnë faktin që ju artikuloni shumë mirë dhe është e vështirë që në debat t’ju kapin ‘mat’ në kuptimin e mirë të fjalës. Por nuk ju kam ftuar sot si historian por si kryeministër, ata mund ta kenë këtë lloj problemi por pyetja ime është konkrete: Albin Kurti kryeministër i Kosovës prej një viti , Kosovës sërish nuk ju liberalizuan vizat. Megjithatë janë plotësuar të gjitha kriteret, kjo e pranuar edhe nga Bashkimi Europian. A ka një arsye reale tjetër përveç kritereve pasi Europa vetëm këto kohë ka pranuar rreth 1 milionë afganë dhe sirianë dhe argumenti i rrezikut të dyndjes së shqiptarëve të Kosovës nuk qëndron. Shkurt, ju kanë thënë ndonjë arsye tjetër në zyrën tuaj se pse nuk i liberalizojnë vizat?? Është një kusht politik në raport me marrëveshjen me Serbinë?
Kurti: Unë nuk kam marrë asnjë shpjegim… pse deri më sot nuk janë liberalizuar vizat kur dihet se deri më sot i kemi plotësuar 95 kritere më shumë se dyfishin e kritereve që kishin Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut dhe tani në korrik bëhen 4 vjet që komisioni Europian për herë të dytë ka thënë që duhet të liberalizohen vizat e Kosovës. Por nuk ka arsye, kur s’ka arsye nuk ka shpjegim. Unë më shumë mendoj se ka të bëjë me një imazh të kaluar të Kosovës që nuk ka qenë i mirë, me raportet e progresit për korrupsionin dhe krimin, por tash jemi përmirësuar shumë. Por në të njëjtën kohë ka edhe elementë irracionale të shteteve të veçanta në BE që tremben për bindjen time pa arsye.
Peka: Z.Kurti në një intervistë me mua para dy javësh, Ali Ahmeti u shpreh duke nënkuptuar se ju po tregoheni të paguximshëm për të negociuar dhe se politikën po e merrni nga idetë që lindin në kafenetë e Kosovës. A është Albin Kurti i paguximshëm për të negociuar dhe a ndikoheni realisht nga perceptimet dhe opinionet?
Kurti: Unë nuk kam guxim që të jap tokë të Kosovës, edhe mendoj që është shumë mirë që është kështu. Ka pasur ashtu liderësh edhe në histori edhe në aktualitet ka dhe të gjallë dhe të vdekur që kanë qenë të gatshëm që ta japin tokë shqiptare. Unë atë guxim nuk e kam. Edhe jo vetëm që nuk e kam atë guxim por nuk e kam as atë imagjinatë. Se lëre më… dëshirë apo kalkulim. Unë jam këtu që të mbroj, jo të humbas. Mund të jap diçka timen private personale nëse ke nevojë, mirëpo diçka që i takon kombit, diçka që i takon shtetit, unë s’jap. E këto negociata, këto marrëveshje që po thuhen, kërkojnë liderë ‘kompromisaxhi’ që ju nënshtrohen trysnive dhe ‘kalërojnë’ në pushtet në kurriz të shtetit. Ai 50.3 përqind i vitit të kaluar është pikërisht për kështu siç jam dhe nuk janë këto llafet e kafenesë. Unë besoj se në politikë dhe në gjeo-politike. Është kthyer historia si asnjëherë më parë që nga rënia e murit të Berlinit dhe unë besoj se duhet të jemi shumë të kujdesshëm për mësimet që duhet të nxjerrim nga historia.
Peka: Zoti kryeministër, në vitin 2018 kur u hodh ideja e korrektimit të kufijve, me një mbrojtje të hapur të z. Rama, në atë kohë për shkak edhe të profesionit kam takuar shumë biznesmenë kryesor në Kosovë, të cilët ishin dakord për korrektimin e kufijve sepse thonin ‘Kosova zhvillohet ekonomikisht dhe nuk mund të presim më’. Pjesa e mirë e klasës politike kosovare nuk e kundërshtuan, ju kam takuar në promovimin e Lorik Canës në Prizren dhe kur ju pyeta më thatë se: ‘I kanë bërë pazaret pa hanxhi’, kjo është një gjë që nuk do lejohet të ndodhë dhe nuk ndodhi. Por çuditërisht të gjithë biznesmenët e mëdhenj që dikush i konsideron oligarkë, janë sërish pro ‘Ballkanit të Hapur’. Ndërkohë kryeministri Rama erdhi dhe i takoi pa asnjë përfaqësues së qeverisë së Kosovës me vete. Nga të parët, kryeministri Rama takoi gazetarë që unë i respektoj, por pjesë të medieve që në njëfarë forme i kanë këta biznesmenë. A ju duket se z. Rama ka ardhur të instalojë të njëjtin stil regjimi si në Tiranë edhe në Prishtinë… dhe në fakt pavarësisht se mohoi, kërkoi të grupojë çdo grup pakënaqësie ndaj jush duke qenë se e bllokoni dhe nuk bëheni pjesë e Ballkanit të Hapur?
Kurti: Unë nuk jam i sigurt që ky është synimi i tij. Por le ta zëmë se ky është synimi i tij, unë besoj që është bindur që s’ka gjë nga kjo punë. Ndërkaq si Kryeminstri i Republikës Shqipërisë dhe si qytetar i shtetit amë, është jo vetëm i lirë por edhe i dëshiruar që sa herë që të mundet, të vijë në Kosovë sa më shpesh dhe të takojë kë do. Natyrisht ka dhe shumë njerëz të tjerë që si ka takuar dhe mbase i ka lënë për një takim tjetër. Por unë jam shumë i interesuar që sa më shumë qeveria e Republikës së Shqipërisë të vijë në Kosovë. Dhe në bazë të një studimi të para disa viteve , rreth 90 përqind e shqiptarëve të Kosovës kanë qenë në Shqipëri, por diku tek 1/3 e shqiptarë ve të Shqipërisë kanë qenë në Kosovë. Mund ta merrni me mend se 2/3 e shqiptarëve të Shqipërisë nuk kanë qenë në Prishtinë, Prizren etj. Nëse nuk jam gabim vetëm 1/3 kanë qenë në Kosovë. Prandaj sa më shumë që vijnë shqiptarët e Shqipërisë në përgjithësi dhe në veçanti qeveria e Republikës aq më shumë dhe aq më mirë është edhe për Kosovën edhe për Shqipërinë.
Çim Peka: Megjithatë… kjo që ju sapo thatë duket një sfidë ndaj zotit Rama për të mos thënë një joshje: ‘Gabimin që bëra unë duke garuar me partine time në zgjedhjet e 2021 uroni që ta bëjë zoti Rama që të përfshihet në çështjet e brendshme të Kosovës. Nuk keni frikë që fuqia e z.Rama, fuqia politike mund të mbledhë faktorët kundër jush në Kosovë ?? Sepse për të qenë korrekt, unë kam parë ndoshta jo ekzagjerimin por kënaqësinë maksimale të kundërshtarëve tuaj gjatë dy netëve që z.Rama ishte në Prishtinë…të njëjtën kënaqësi kam vërejtur edhe te serbët e veriut kur i viziton presidenti serb….pra duket se ka një kapitullim apo pranim të faktit se pa ndihmën e zotit Rama ju nuk ju mundin. Po e joshni Edi Ramën të përfshihet në atë që konsiderohet ‘puç politik’ ndaj jush në Prishtinë apo jo?
Kurti: Kurrë nuk mund të krahasohet ardhja e zyrtarëve nga Beogradi me ardhjet e zyrtarëve nga Tiranë .
Peka: Nuk i krahasova, kënaqësia e….
Kurti: Absolutisht , absolutisht!!
Peka: Kënaqësia e zyrtarëve tuaj në Kosovë më ngjasonte me ‘emocionet folklorike’ që shikoj në Veri kur vjen Vuçiç.
Albin Kurti: Shiko, mund t’ju ngjasojnë por unë besoj që këto se kanë vendin në një fjali,e para. Edhe e dyta, çfarëdo vizite që bën kryeministri i Shqipërisë këtu nuk krahasohet me angazhimin tonë në Shqipëri. Unë e kam ditur që nuk do bëhet Bojken Abazi kryeministër i Republikës së Shqipërisë. Po besoj që është dëm që Bojken Abazi nuk është deputet në Kuvend të Republikës së Shqipërisë. Do të ishte mirë që dhe për Shqipërinë, jo vetëm por ‘Vetëvendosjen’ por për Shqipërinë do të ishte mirë, edhe për Kosovën do të ishte mirë. Një aktivist i jashtëzakonshëm i deportuar nga pararendësit e mi në Shqipëri edhe me gjithë përvojën dhe dijen e tij do i bënte shume mirë Kuvendit të Republikës. Pra ne nuk kemi dashur ta marrim pushtetin në Tiranë. Absolutisht jo. Ne kemi dashur të kemi edhe një zë përfaqësues në Shqipëri i cili është qytetar i Shqipërisë por njeh Kosovën si pak kush tjetër nga brenda dhe nga poshtë. Pra është situatë tjetër ajo e takimit tonë në Prillin e vitit të kaluar.
Peka: Në të kundërt kthehemi dhe njëherë tek raporti me z.Rama. Keni firmosur disa marrëveshje por sigurisht që janë bërë publike edhe mosmarrëveshjet. Më kujtuat pak më parë vizitën e Presidentit serb në Elbasan, por pak para vizitës së presidentit serb në Elbasan, ishit dhe ju në mbledhjen e dy qeverive. A ju duket se z.Rama ju provokon me simbolika dhe luan? Në të njëjtin lokal ku ju priti ju priti edhe z. Vuçiç,Ndërkohë që ju nxori para një biznesmen me emrin Luca që thoshte jam i ‘Vetëvendosjes’…të njëjtin ja nxori para edhe Vuçiç teksa thoshte e mbështes Serbinë. Ky biznesmen që flet në emër të zotit Rama ju bënte thirrje qeverisë së Kosovës që jua prezantonte Rama edhe ju edhe Vuçiç thoshte: Më lejoni të shes peshk në Beograd se unë ju pajtoj me Serbinë dhe zgjidhet çështja e Kosovës…A ju duket se me këto lloj simbolikash z. Rama jo vetëm ju provokon por edhe ju nënçmon duke ju thënë se ‘kaq vleni’? Në rast se Po pse i pranon Albin Kurti?
Albin Kurti: Unë… më besoni, shumë prej këtyre hollësive nuk është se i di por edhe nuk mendoj se janë të rëndësishme. Për mua janë të rëndësishme këto 19 marrëveshje që i bëmë tash, nga e cila doli edhe bashkëfinancimi i studimit të fizibilitetit që lidh portin e ri të Durrësit me portin e thatë të Prishtinës me një hekurudhë të re. Më besoni se për mua kjo është kryesorja. Aty, ato gjestet, nuk them që janë të parëndësishme, por jo për mua. Arbër Xhaferi ka thënë një fjalë të bukur: Politika është organizim i prioriteteve. Ndoshta në rrethana të tjera kur kam qenë në opozitë, kur nuk i kisha 15 ministri dhe kisha mijëra probleme, kemi mundur t;ja kushtojmë kohën këtyre gjërave. Si kryeministër nuk kam kohë për këto gjëra. Mua më intereson substanca e gjësë dhe në këtë aspekt nuk do doja të humbja kohë me këtë.
Peka: Si kryeministër nuk keni kohë të merreni më këto gjërA, keni pesëmbëdhjetë ministri por kundërshtarët tuaj po presin me çdo kusht, ose me shpresën më të madhe që edhe Albin Kurti do korruptohet, që të kenë mundësi të bëjnë politikë kundër jush…
Kurti: Unë besoj se ata e dinë që kjo nuk ndodh..
Peka: A ka frikë Albin Kurti që do ta korruptojë pushteti?
Kurti: Unë mendoj se gjithë sikleti i tyre është se kjo nuk do të ndodhë.. se po të dinin që do korruptohem edhe unë , do çliroheshin ca, do relaksoheshin. Pra ata nuk janë të relaksuar sepse e dinë që unë nuk korruptohem. Nëse dikush do të mund ua garantonte se së shpejti un do korruptohem të gjithë do relaksoheshin.
Peka: ‘Frika juaj nga korrupsioni’ a po e dëmton Kosovën ekonomikisht? Nuk zhvillohen tendera, kundërshtaret ju akuzojnë se nuk bëni procese tenderimesh, pra keni bllokuar gjithçka që ka lidhje me paranë, sepse keni frikë se mos korruptoheni?
Kurti: Investimet e huaja direkt janë rritur me 22 përqind , krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkaq rritje kapitale me 10 përqind, rritja ekonomike mbi 10 përqind, organi shqyrtues i prokurorimit më në fund në seancën e javës që shkoi, e miratuam në Kuvendin e Republikës dhe unë i kam miratuar shumë më herët emrat për ta. Pra nuk ka kurrfarë problemesh të tilla dhe përkundrazi, pikërisht në Gjykatën Komerciale që do ta inagurojmë këtë javë, me sundimin e ligjit që kemi sjellë, me mungesën absolute të skandaleve dhe korrupsionit, ne po bëhemi atraktivë për investime të huaja, por edhe për investim të fitimit të biznesmenëve vendorë. Pra është gabim ajo të mendohet, që nevojitet një politikan i korruptuar sepse kjo rrit ekonominë e vendit. Unë nuk i përkas asaj bindjeje.
Peka: Po investimet e huaja i pengojnë sipas jush korrupsioni i lartë në Kosovë që ka qenë dhe ju po e luftoni apo e pengon një marrëveshje finale me Serbinë, kur ‘de-fakto’ Rama dhe ‘de-juro’ Vuçiç ju akuzon ju si pengues?
Kurti: Në kushtet e mungesës së marrëveshjes me Serbinë janë rritur investimet e huaja direkt. Pra, pse janë rritur me 22 përqind investimet e huaja direkt kur nuk kemi marrëveshje? Unë besoj se investitorët më shumë shohin stabilitetin institucional dhe respektimin e ligjit se sa raportin me Serbinë.
Peka: Zoti Kurti për ta mbyllur me korrupsionin, pastaj kam një pyetje të fundit. U mendua shumë se kur u pretendua nga mediat që u zbulua një skandal korrupsioni me ambasadorin Berisha është i përfshirë z. Kurti, a ka kryeministri Kurti një përgjigje për këtë?
Kurti: Nuk ka kurrfarë korrupsioni, përkundrazi do të ketë kallëzim penal dhe sqarim në gjykatë për shpifje të tilla. Profesor Martin Berisha është ambasador i Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë, është patriot i Malësisë edhe është profesor i shkëlqyeshëm. Edhe nuk ka gjë aty, ajo ishte ojesë e një fushate, që zhvillohej në Slloveni ku ish kryeministri , i humbi zgjedhjet dhe e përfshinë profesorin-ambasador në disa luftëra të tjera të brendshme ku nuk ka të bëjë asgjë as qeveria dhe as diplomacia e Kosovës.
Peka: Kryeministër, sondazhet e publikuara në Kosovë ju nxjerrin sërish parti të parë por që keni rënë shumë nga 14 shkurti i vitit të kaluar. A keni ju një koment për këto sondazhe dhe a keni frikë se në zgjedhjet e ardhshme, ‘Vetëvendosja’ jo vetëm që nuk do marrë 5o përqind por do jetë në baraspeshë me dy partitë e tjera. Zgjedhjet lokale e treguan këtë gjë…Nga mbi 50 përqind , përfunduat me 4 komuna dhe nuk keni marrë asnjë komunë të madhe.
Kurti: Është e vërtetë që kemi pritur që do dalim më mirë në zgjedhjet vendore, mirëpo po ashtu kam përshtypjen se në zgjedhjet vendore jemi një palë zgjedhje prapa atyre nacionale. Shumë komuna ku nuk kemi fituar, kanë qenë për shumë pak vota. Është , ka pasur një lloj bashkëpunimi të të gjithëve kundër ‘Vetëvendosjes’… e tillë është gara politike… kemi treguar pjekuri në Kosovë , procesi demokratik dhe procedurat zgjedhore, kanë qenë më së miri, nuk ka pasur asnjë problem me qeverisjen tonë.
Peka: Por që në votat e Këshillave Komunalë që në njëfarë forme është vota politike e zgjedhjeve lokale, ju keni dalë në mos gabohem, 5000 vota më pak se LDK-ja. Nga mbi 50 përqind keni dalë ose e barabartë ose parti e dytë në votë për Këshilla Komunale që në zgjedhjet lokale, kudo lexohen si votë politike.
Kurti: Për Këshilltarë Komunale po, por për numrin e përgjithshëm ne jemi prapë subjekti më i madh në Kosovë edhe në zgjedhjet vendore. Tash jemi disi afër me LDK-në në këtë garë për zgjedhjet vendore siç kemi qenë afër me LDK-në edhe në zgjedhjet e vitit 2019 ku për pak vota ne dolën të parët. Prandaj po them , në zgjedhjet vendore kam përshtypjen që jemi një palë zgjedhje prapa atyre nacionale në ngritjen tonë. Dhe, po është e vërtetë, Kosova është një vend demokratik ku opozita mund t’i fitojë zgjedhjet. Dhe kjo është mirë. Unë nuk e shoh si defekt këtë. Unë do të brengosesha nëse do të ishim një shtet ku opozita nuk ka shanse. Kjo nuk do të thotë që opozita do të fitojë. Por kjo do të thotë që është e mundur. Ama unë besoj që subjekti jonë politik do të vazhdojë të ngelet në krye dhe me punët e mira që do bëjmë këtë vit dhe dy vitet në vijim nuk do të ketë probleme për zgjedhjet e vitit 2025, ama sërish janë qytetarët ata të cilët e vlerësojnë këtë gjë. Pra ne nuk e kemi pushtetin me çdo kusht. Ne e duam shtetin shumë dhe pushtetin e shohim si shërbim për qytetarin. Për këtë qëllim edhe na kanë mbështetur kaq shumë.
Peka: Pyetja e fundit! Sjellja juaj ndaj opozitës, sigurisht që është mjeshtëri politike ta faktorizosh dhe të reagosh gjithmonë me pikën më të dobët të opozitës. Dihet që opozita ka tre parti,LDK PDK dhe partia e zotit Harajdinaj, e cila është minore përballë dy tjerave, por i cili është edhe më i atakueshëm në perceptim përsa i përket korrupsionit. Kam vënë re që në çdo debat i drejtoheni z.Harajdinaj duke i thënë ‘Na i ktheni ato 70 mijë hektarë’, nëse s’gabohem, apo sa janë…
Kurti: 200 hektarë për 70 mijë euro…
Peka: Sigurisht që kjo e identifikon opozitën në sytë e opinionit publik me z. Ramush Haradinaj që në perceptim është më i atakueshëm se sa dy kryetarët e dy partive të tjera. Politikisht mund të jetë gjetje, por moralisht nuk është fort korrekte, pse nuk replikoni dhe nuk debatoni me Lumir Abdixhikun por zgjidhni pikën më të dobët të opozitës dhe e personifikoni atë si opozitë?
Kurti: Më besoni, as nuk është qëllimi im i tillë, por më duhet t’ju them që as realiteti. Në seancën e fundit që kishte polemika të ashpra kam pasur më shumë polemika me kryetarin e PDK Krasniqin, sepse ai foli më së shumti, fare pak me kryetarin e AAK Haradinaj dhe aspak me kryetarin e LDK Abdixhikun për shkak se ai as që e mori fjalën.
Peka: Kryeministër, faleminderit!
Kurti: Faleminderit dhe juve!