Eskorta dhe festa për futbollistë të Serie A dhe jo vetëm: “Piloti i F1 do një tipe”

Ishte denoncimi i një punonjëseje të një lokali që zbuloi sistemin që parashikonte festa me eskorta luksoze në Milano, me në qendër futbollistë të Serie A dhe jo vetëm. Prokuroria e Milanos ka hapur një hetim për favorizim dhe shfrytëzim të prostitucionit në lokalet e jetës së natës milaneze dhe në përgjimet në dosje dëgjohet edhe: “Kam një mik, pilot i Formula 1 që vjen sonte në Milano, do një vajzë me pagesë”.
Nën hetim është rrjeti i menaxhuar nga bashkëshort dhe bashkëshorte dhe dy bashkëpunëtorë, të katërt aktualisht në arrest shtëpie. Protagonistët vepronin përmes një kompanie me bazë në Cinisello Balsamo, pranë Milanos: në rrjetet sociale kompania, shkruan La Repubblica, publikonte foto tërheqëse dhe njoftime për kërkimin e “bashkëpunëtorëve të rinj”, pra vajza dhe djem me “aftësi të spikatura në marrëdhënie publike”.
Sipas prokurorëve bëhet fjalë për një mbulim për të ofruar festa pas ndeshjeve për klientë të pasur (me kosto mijëra euro) me vajza të reja të rekrutuara për rastin.
Në thelb, ofroheshin eskorta në lokalet milaneze (këto të fundit të painvolvuara), me përfshirjen e një pas-mbrëmjeje në hotele me pesë yje. Në paketë përfshihej edhe thithja e gazit qesharak nëpërmjet tullumbaceve dhe që nuk rezulton në testet antidoping.
Guardia di Finanza ka sekuestruar paraprakisht rreth 1.2 milionë euro përfitime nga shërbimet e ofruara ndaj sportistëve dhe sipërmarrësve. Rreth dhjetë janë gratë e përfshira, sipas Corriere della Sera, me moshë nga 18 deri në 30 vjeç: atyre u takonte 50% e të ardhurave.









