
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, ka dhënë dorëheqjen nga detyra.
Sala e ka komunikuar vendimin gjatë mbledhjes së qeverisë të zhvilluar këtë të mërkur duke i dhënë fund një mandati relativisht të shkurtër në krye të një prej dikastereve më të rëndësishme të qeverisë.
Për momentin nuk janë bërë të ditura zyrtarisht arsyet që e kanë çuar ministren drejt dorëheqjes, por në paraqitjen e dorëheqjes mësohet që ajo të ketë thënë se “do të ndjekë karrierën e saj akademike”.
Evis Sala mori drejtimin e Shëndetësisë në shtator të vitit 2025, kur u përfshi në kabinetin e mandatit të katërt të kryeministrit Edi Rama. Në momentin e prezantimit të saj, Rama e vendosi theksin te profili profesional dhe akademik ndërkombëtar i Salës, e cila vinte në qeveri pas një karriere të gjatë në institucione të njohura mjekësore dhe universitare jashtë Shqipërisë.
Sala është mjeke radiologe dhe ka punuar më parë në Universitetin e Kembrixhit, Memorial Sloan Kettering Cancer Center në Nju Jork dhe Policlinico Gemelli në Romë.
Reagimi
Ajo sqaron se largimi lidhet me pranimin e disa angazhimeve të rëndësishme ndërkombëtare në fushat e saj të ekspertizës, mes tyre onkologjia, inteligjenca artificiale dhe inovacioni.
Sala ka falënderuar kryeministrin Rama, punonjësit e sistemit shëndetësor dhe qytetarët shqiptarë, ndërsa thekson se angazhimi i saj për Shqipërinë do të vijojë edhe pas largimit nga posti ministror.
“Sot ishte mbledhja ime e fundit si anëtare e kabinetit qeveritar, pasi kam pranuar disa angazhime ndërkombëtare të rëndësishme në fushën time të ekspertizës: onkologji – inteligjencë artificiale – inovacion.
Një vit më parë mora përsipër me përgjegjësi të madhe detyrën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, një fushë plot sfida e vështirësi.
I jam mirënjohëse Kryeministrit Edi Rama për besimin dhe mbështetjen, si dhe çdo mjeku, infermieri, profesionisti dhe punonjësi të sistemit të shëndetësisë e mirëqenies sociale që punoi çdo ditë për ta bërë sistemin më të mirë.
Një falenderim të veçantë për çdo qytetar shqiptar që më shkroi, sugjeroi apo kërkoi më shumë prej nesh.
Në këtë vit kemi bërë hapa të rëndësishëm në shëndetësi. Shumë prej tyre janë të dukshëm sot, të tjerë sapo kanë nisur.
Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një post. Ai është pjesë e asaj që jam dhe do të vazhdojë përmes dijes, eksperiencës dhe rrjetit tim profesional ndërkombëtar.
Sepse detyrat kanë një fillim dhe një fund.
Por, përgjegjësia dhe lidhja me vendin tënd nuk kanë kufij!”










