AKTUALITETTOP-NEWS

Nga ekonomiste në bletare, historia e 40-vjeçares që prej dy dekadash kujdeset për qindra bletë

Mallakastër – Në pamje të parë është një grua e re, nënë e tre fëmijëve dhe ekonomiste që punon në një njësi administrative të zonës së Mallakastrës. Por përtej profesionit të saj, ajo ka një tjetër pasion, të cilin e ka kthyer në pjesë të pandashme të jetës: bletarinë.

Me origjinë nga Tepelena dhe e martuar në Kremenar të Mallakastrës, ajo është marrë me bletë prej afro 20 vitesh. Dashuria për këtë aktivitet ka nisur që në fëmijëri dhe, siç tregon vetë, është një pasion i trashëguar nga gjyshi dhe babai.

Kur u martua dhe erdhi nuse në Kremenar, ajo i kërkoi bashkëshortit që të nisnin të rrisnin bletë. Babai i saj i dha pesë kosheret e para. Ishte vetëm fillimi.

Me kalimin e viteve, kosheret u shtuan dhe bletaria u kthye nga një pasion në një aktivitet të përhershëm të familjes.

Edhe pse gjatë ditës punon si ekonomiste dhe financiere, sapo përfundon orarin e punës, ajo i rikthehet menjëherë bletëve. Pasi kthehet në shtëpi, nuk humbet kohë dhe shkon në kopshtin pranë banesës, ku mban një pjesë të koshereve.

Pjesën tjetër e ka të shpërndarë në zona kodrinore të Mallakastrës.
“Nuk mund të rri ditë dhe orë pa u marrë me bletët”, tregon ajo, duke e përshkruar bletarinë jo thjesht si një punë, por si një pasion nga i cili nuk shkëputet dot.

Fillimet, megjithatë, nuk kanë qenë të lehta. Ajo tregon se është përballur me vështirësi, por me kalimin e viteve ka fituar përvojën e nevojshme dhe ka mësuar të kujdeset për kosheret në çdo periudhë të vitit.

Dy vitet e fundit kanë qenë veçanërisht të vështira për bletarët e zonës. Mungesa e reshjeve dhe moti i thatë kanë ndikuar drejtpërdrejt në bimësinë dhe lulëzimin. Për pasojë, bletët kanë pasur më pak lule ku të mbledhin nektar dhe polen, duke sjellë edhe një prodhim më të ulët të mjaltit.

Një tjetër problem me të cilin është përballur ajo dhe bletarë të tjerë të Kremenarit ka qenë shfaqja e sëmundjeve te bletët, e cila një vit më parë shkaktoi dëme në kosheret e zonës.

Pavarësisht vështirësive, ajo nuk është dorëzuar.

Për të, bletaria mbetet mbi të gjitha pasion.

Sipas saj, zona e Mallakastrës është e favorshme për rritjen e bletëve, pasi ka një bimësi të pasur dhe shumë lloje lulesh. Në këtë territor gjendet edhe koçimari, një nga bimët që u siguron bletëve nektar dhe që mund të prodhojë mjaltë me vlerë më të lartë në treg.

Ajo shpjegon se, në kushte të favorshme, bletët mund të japin prodhim edhe tre herë në vit, në varësi të klimës, bimësisë dhe periudhës së lulëzimit.

Historia e saj është një shembull i një pasioni që ka kaluar nga brezi në brez dhe që, edhe mes vështirësive të motit, sëmundjeve dhe punës së përditshme, vazhdon të mbahet gjallë.

Nga ekonomiste gjatë ditës, në bletare pas orarit të punës, ajo ka gjetur mënyrën për t’i bashkuar profesionin me një pasion të trashëguar familjar që prej gati dy dekadash. / ALB365/ Xhemil Beharaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button