
Aktivistja Edlira Çepani ka kritikuar ashpër reagimin e forcave të rendit ndaj protestuesve, duke vënë në qendër të vëmendjes plagosjen e të rinjve dhe adoleshentëve gjatë protestave të ditëve të fundit. Aajo iu drejtua ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, duke i treguar fotografi të protestuesve të dhunuar.
Çepani u ndal veçanërisht te rasti i një të riu që ndodhet në spital me dëmtime të rënda, përfshirë dëmtimin e shtyllës kurrizore dhe krisjen e kafkës. Sipas aktivistes, këto plagë janë shumë më shqetësuese sesa dëmtimet materiale në bulevard, ndërsa theksoi se dhuna duhet dënuar pa dallime dhe pa standarde të dyfishta.
“Kockat, shtylla kurrizore e këtij të riu që është në spital dhe kafka e tij e krisur më dhembin shumë më tepër sesa dëmtimi i bulevardit. Ky i ri dhe shumë të tjerë, që janë tërhequr zvarrë në mënyrën më barbare të mundshme, më shqetësojnë shumë më tepër sesa retorika se na vjen keq për atë që po shohim. Nëse na vjen keq të gjithëve për dhunën, nuk mund të kemi standarde të dyfishta. Duhet të dënohet dhuna ndaj të gjithëve, veçanërisht ndaj të rinjve dhe fëmijëve tanë që janë në shesh dhe po përballen me një trajtim të papranueshëm nga forcat e rendit”, deklaroi Çepani në ”A2cnn”.
Aktivistja solli në vëmendje edhe faktin se një prej të rinjve të dhunuar ishte i lidhur me kauzën për përmirësimin e arsimit dhe protestonte për një sistem arsimor më të mirë, por përfundoi i lidhur në kangjellat e Ministrisë së Arsimit.







