Fier – “Grafika 2026 – Mjeshtëria dhe shenja e një brezi” është ekspozita që ka çelur dyert në Galerinë e Arteve “Vilson Kilica” në Fier, ku për 11 ditë publiku do të ketë mundësi të shohë 30 punime të realizuara nga tetë artistë të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë.
Sipas kuratorit të ekspozitës, Arben Koliçi, në këtë aktivitet marrin pjesë artistë nga Fieri, Tirana, Pogradeci, Korça, Shkodra dhe Berati, duke sjellë për publikun një larmi punimesh në gjininë e grafikës.
Koliçi u shpreh se kjo ekspozitë synon të rikthejë vëmendjen te një disiplinë artistike që në vitin 1967 dhe në vitet pasuese gëzonte interes të madh, veçanërisht te brezat e rinj. Sipas tij, vizatimi dhe grafika kanë qenë ndër degët më të preferuara të artit, ndërsa sot kjo traditë duket se po lihet gjithnjë e më shumë në harresë.


Pjesë e ekspozitës është edhe piktori nga Berati, Agron Polovina, i cili prezantohet me katër punime. Ai theksoi se grafika vazhdon të studiohet në shkollat artistike, por interesi për këtë gjini nuk është më në nivelet e dikurshme.
Të njëjtin shqetësim ndau edhe artisti fierak Pandeli Lena. Sipas tij, pavarësisht se grafika zhvillohet si lëndë në shkollat e mesme artistike dhe në institucionet e arsimit të lartë, brezat e rinj nuk po tregojnë interesin e duhur për ta ndjekur dhe zhvilluar më tej këtë disiplinë.
Ekspozita “Grafika 2026 – Mjeshtëria dhe shenja e një brezi” vjen kështu jo vetëm si një prezantim i krijimtarisë së artistëve pjesëmarrës, por edhe si një thirrje për të rikthyer vëmendjen te grafika, si një nga gjinitë e rëndësishme të artit pamor.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për 11 ditë në Galerinë e Arteve “Vilson Kilica” në Fier.














