Fieri është kthyer sot në skenën e një demonstrimi të pazakontë force politike. Belinda Balluku, ish-zëvendëskryeministrja dhe ish-vartësja e Edi Ramës, është shfaqur në krye të një grupi deputetësh socialistë, duke dhënë përshtypjen se, pavarësisht furtunës së akuzave që rëndojnë mbi të, mbetet një faktor me peshë në radhët e mazhorancës.

Gjatë aktiviteteve për festat e 28 Nëntorit, Balluku është shoqëruar nga një grup deputetësh, të cilët duket se kanë zgjedhur të qëndrojnë pranë saj në këtë moment delikat politik. Në këtë grup dalloheshin emra si Petrit Malaj, Ceno Klosi, Ramion Kurti, Erio Mile dhe Zegjineja, duke krijuar më shumë përshtypjen e një formacioni mbështetës politik sesa të një delegacioni të zakonshëm festiv.

Me sa duket, festa e Pavarësisë shërbeu edhe si një rast për të treguar se kush ka ende njerëz në dispozicion dhe sa mandate mund të numërojë pas vetes. Balluku duket se ka zgjedhur të mos shfaqet e vetme në këtë periudhë presioni, por e rrethuar nga deputetë që, të paktën për momentin, i qëndrojnë pranë. Një lloj garde politike, me imunitet parlamentar dhe me peshë në numrat e Kuvendit.

Mesazhi që përcillet nga Fieri mund të lexohet edhe përtej atmosferës festive. Në një kohë kur pozitat e saj janë vënë në pikëpyetje për shkak të hetimeve dhe akuzave për korrupsion, Balluku duket se po i kujton kryeministrit Edi Rama se nuk është thjesht një emër që mund të largohet nga skena pa pasoja politike. Rreth një duzinë deputetësh pas saj mund të mos përbëjnë një parti më vete, por në matematikën parlamentare janë padyshim një numër që nuk mund të shpërfillet.

Ndërkohë, në fjalën e saj, Balluku zgjodhi të fokusohej te integrimi europian, duke deklaruar se Shqipëria është vetëm një hap larg Bashkimit Europian. Një deklaratë që vjen në një moment kur vëmendja publike ndaj saj nuk lidhet aq me distancën që ndan Shqipërinë nga Brukseli, sesa me distancën që duhet të përshkojë drejtësia për të zbardhur akuzat që e kanë vënë në qendër të vëmendjes.

Ironia është se, ndërsa flitet për Europën, standardet europiane të llogaridhënies dhe luftës kundër korrupsionit mbeten një nga temat më të ndjeshme për vendin. Balluku flet për hapin e fundit drejt BE-së, ndërsa përplasja e saj me drejtësinë vijon të jetë një çështje që kërkon përgjigje institucionale.

Nga Fieri, pra, nuk u përcoll vetëm një mesazh festiv për 28 Nëntorin. U dha edhe një sinjal politik për Tiranën: Belinda Balluku duket se kërkon të tregojë se, pavarësisht akuzave dhe presionit, nuk është e vetme dhe se pas saj qëndrojnë deputetë e mandate që mund të bëhen pjesë e llogarive të pushtetit. Në fund të fundit, në politikën shqiptare, edhe festat kombëtare mund të shndërrohen në një rast për të numëruar muskujt, për të.përfunduar tek “vendi” për kafenë me “bisht”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts