Babë e bir u ekzekutuan me armë zjarri nga ish-dhëndëri i tyre në Lezhë. Krimi i rëndë ndodhi rreth orës 23:00 të mbrëmjes të së hënës në fshatin Gryk Zezë, ndërsa viktimat janë Pjerin Përjaku 56-vjeç dhe Gent Përjaku 32-vjeç.
Ndaj tyre u qëllua me breshëri plumbash sapo kishin hyre në oborrin e banesës së tyre dhe nga plagët e marra gjeten vdekjen e menjëhershme. Policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes identifikoi autorin, por pa arritur që ta prangosë. Ai është Besnik Pjetri 45-vjeç banues në Troshan i cili pas krimit është larguar, duke i shpëtuar policisë. Policia bën me dije se për kapjen e tij po krihet e gjithë zona si dhe po ushtrohen kontrolle në vendet nga ku mendohet se mund të jetë fshehur.
Foto e viktimës, Gent Përjaku
Ndërkohë nga veprimet hetimore të kryera në vendin e ngjarjes dhe mbledhjes së dëshmive, bëhet me dije se babë e bir ishin kthyer të hënën nga Italia ku jetonin prej shumë vitesh, pasi kishin patur një dasëm në vendlindje tek disa të afërm të tyre. Siç duket ish-dhëndri i ka ndjekur lëvizjet e objektivave të tyre dhe sapo janë kthyer në banese është afruar dhe ka qëlluar me breshëri plumbash. Fqinjët e familjës Përjaku thonë se janë të tronditur nga kjo ngjarje e rëndë, ndërsa nuk kishin patur dijeni që babë e bir ishin kthyer nga Italia ku jetonin e punonin prej më shumë se 20-vitesh.
Sipas burimeve autori i ngjarjes Besnik Pjetri i cili ishte babai i dy vajzave ishte divorcuar, prej më shumë se 6 vitesh nga gruaja e tij dhe që prej asaj kohë kishte patur konflikte të vazhdueshme më ish-gruan dhe familjen e saj, madje për këtë çështje ishte arrestuar dhe nga policia në Itali dhe kishte qëndruar për rreth 2 vite në burg. 45-vjeçari pretendonte se familje e ish-nuses së tij i kishte borxhe dhe nuk ja kishin kthyer, ndërsa së fundmi nuk e kishin lejuar të takonin as vajzat çka dyshohet të jetë bërë shkak dhe për krimin e rëndë.