Elhaida Dani, një nga artistet më të arta të vendit, rikthehet në skenën e festivalit të RTSH këtë vit, por jo si konkurrente. Ajo do të jetë drejtoresha artistike e Festivalit të 63-të të Këngës, një bashkëpunim që pritet të zgjasë më shumë se një vit. Prezantimi i saj në këtë post shumë të rëndësishëm për eventin muzikor që organizohet çdo fund vit në RTSH, u bë nga drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Alfred Peza.
“Ardhja e Elhaidës është një lajm i gëzuar për mua, stafin dhe mbarë opionionin publik, sepse do të jetë një vlerë e shtuar për festivalin, duke pasur parasysh karrirën e saj të jashtëzakonshme duke nisur që nga fitoret e saj në shumë kompeticione muzikore. Me të do të punojë edhe Bojken Lako, që ishte drejtor i Festivalit të 62-së, i cili ka bërë një nga festivalet më mira që që ka bërë RTSH”, tha drejtori i RTSH-së, Alfred Peza.
Artistja fituese e shumë kompeticioneve muzikore si brenda ashtu edhe jashtë vendit u shpreh entuziaste për detyrën e re. Dani tha se do të përcjellë të gjithë përvojën e saj personale dhe profesionale në festivalin e 63 të këngës, për të cilin tashmë ka nisur puna.
“Është një kënaqësi dhe përgjegjësi e madhe. Kam lindur dhe jam rritur në Festivalin e RTSH-së, dhe falë këti festivali kam shkelur edhe në skenën e Eurovizonit. E di se çfarë do të thotë për artistët shqiptar ky Festival. E di rëndësinë. Do të japë më të mirën time në këtë Festival, por edhe në ato të ardhshmet. Është mundësi e artë për ti treguar edhe Shqipërisë vlerat më të mira. Po synojmë të zgjedhim një skuadër sa më profesioniste, sa më serioze, për të bërë një punë shumë të madhe për këtë Festival dhe ato të ardhshme”, komentoi Dani.