Emrat/ Atentati i dështuar në Elbasan, prangoset autori. Ja kush ishte objektivi (video)

Policia e Elbasanit ka vënë në pranga autorin e dyshuar të atentatit të dështuar ndaj Mir Bitocit, ngjarja e ndodhur mesditën e kësaj të shtune (15 gusht), në ambientet e një lokali dhe në prani të shumë qytetarëve.
Në pamjet filmike shfaqet një person me bluzë të zezë, i identifikuar si Mir Bitoci, i cili fillimisht ndodhej brenda lokalit.
Bitoci qëndron për disa momente në ambientet e brendshme dhe më pas ngrihet nga tavolina për t’u larguar.
Por lëvizjet e tij duket se janë ndjekur nga autori, i cili në atë moment ndodhej gjithashtu në lokal, duke konsumuar kafe në shoqërinë e një shtetaseje.
Menjëherë pasi Bitoci ngrihet dhe del jashtë, edhe personi tjetër largohet nga lokali dhe e ndjek nga pas.
Pamjet e kamerave tregojnë se, jashtë ambientit të lokalit, personi me bluzë të bardhë i afrohet nga pas Bitocit dhe i vendos një armë zjarri në pjesën e pasme të kokës.
Sipas të dhënave paraprake, Bitoci ka reaguar menjëherë dhe ka arritur të largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Por një tjetër element që po verifikohet nga grupi hetimor është dyshimi se arma tip pistoletë e personit që e kërcënoi është bllokuar në momentin kur ai ka tentuar të qëllojë.
Emri i Mir Bitocit nuk është i panjohur në zonën e Elbasanit. Sipas të dhënave të publikuara dhe informacioneve që qarkullojnë prej vitesh, emri i tij është përmendur në lidhje me episode të ndryshme të periudhës së trazuar të viteve 1997–2000. Më pas ai më së shumti ka jetuar jashtë.










