OP/ AN

Epoka e Trump, ajo e përplasjes së perandorive

Amerika e shekullit të XXI do të jetë jo demokratike, e mbyllur dhe perandorake.

Donald Trump, me fitoren e tij të thellë, me kontrollin mbi Kongresin dhe Gjykatën e Lartë, ka konfirmuar se para të qenit një faktor antisistem, synon ta imponojë veten si lider i një revolucioni amerikan dhe mbarë botëror. Ndryshe nga viti 2017, këtë herë ai e planifikoi marrjen e pushtetit, bëri emërimet e besnikëve të tij në pozitat kyçe, ndërtoi një program mbresëlënës urdhrash administrativë për të shkatërruar trashëgiminë e Joe Biden, duke e reduktuar atë si një episod të pavlerë mes dy mandateve të tij.

Që përpara se të betohej, Donald Trump filloi ta ridizenjojë nga e para kapitalizmin dhe sistemin ndërkombëtar: shkrirja e administratës së tij me botën e financës dhe Big Tech; heqja e normave ESG dhe politikave të diversitetit; riorientimi i shkëmbimeve dhe pagesave botërore; nisja e projektit të një Amerike të madhe, nga Panamaja deri në Polin e Veriut; zhvillimi i një agjende bisedimesh me Rusinë për ndalimin e luftës në Ukrainë; ndalimi i luftimeve në Gaza, që është arritje e tij personale falë detyrimit të Benyamin Netanyahou-t dhe Hamasit – një ndalim që i ka sjellë mirënjohje të papritur në Jug, ku ai shihet si një paqeruajtës dhe njeri i dialogut mes fuqive të mëdha të shekullit të XXI.

Donald Trump është bashkuar me Elon Musk për të krijuar një mekanizëm shock-u, tensioni dhe shpejtësie që i mundëson atij të realizojë një thyerje të madhe në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ai synon ti japë fund lidhjes së Shteteve të Bashkuara me liritë politike dhe primatin e Kushtetutës, si dhe ciklit të sigurisë së botës së lirë, që filloi në vitin 1917 me Woodroë Wilson dhe u mbyll në vitin 2024 me Joe Biden. Amerika e shekullit të XXI do të jetë jo demokratike, e mbyllur dhe perandorake.

Lideri i popullit Maga synon të prishë lidhjen ekzistenciale të Amerikës me demokracinë liberale, duke refuzuar të respektojë votën e lirë, ndarjen e pushteteve, shtetin e së drejtës, moderimin, lirinë e informacionit dhe tolerancën ndaj pakicave. Ai ka formuar një aleancë të re dhe të rrezikshme mes një njeriu të fuqishëm me temperament despotik, miliarderëve të Wall Street dhe Silicon Valley, industrsë së financës – në momentin kur Shtetet e Bashkuara përqendrojnë gjysmën e flukseve të kapitalit botëror – dhe asaj të teknologjisë, duke forcuar monopolizimin e Inteligjencës Artificiale përmes ç’rregullimit të sektorit dixhital.

Reduktimi drastik i taksave për të pasurit, i shpenzimeve federale, i agjencive dhe normave, duke krijuar një ngatërrim të qëllimshëm midis interesit kombëtar dhe atij privat, hap rrugën për një kapitalizëm grabitqar. Këto ndryshime do të shënojnë transformimin e Shteteve të Bashkuara në një demokraci illiberale, të cilën vetëm autonomia e shteteve të veçanta apo vitaliteti i shoqërisë civile mund ta frenojnë.

Ndikimi mbi ekonominë dhe gjeopolitikën do të jetë gjithashtu i fuqishëm. Kthimi i proteksionizmit në normë, me rritjen e konsiderueshme të taksave doganore, por edhe me deregullimin masiv që do të krijojë divergjenca të mëdha me vendet e tjera të zhvilluara, do të sjellë një riorientim të thellë të shkëmbimeve dhe flukseve të kapitalit, duke rrezikuar një kolaps të ngjashëm me atë të qershorit 1930. Ai do të forcojë fragmentimin e botës, me transformimin e shkëmbimeve, teknologjisë, energjisë, ushqimit, shëndetit dhe lëvizjeve migratore.

Refuzimi i çdo principi apo rregulli shkatërron ekzistencën e një rendi ndërkombëtar, duke lënë hapësirë për ambiciet perandorake dhe politikën e forcës. Kërkesat mbi kanalin e Panamasë, Kanadanë ose Groenlandën, në emër të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, përputhen me këtë logjikë, e cila refuzon të përjashtojë përdorimin e fuqisë ushtarake, duke injoruar jo vetëm sovranitetin kombëtar, paprekshmërinë e kufijve dhe të drejtën e popujve për të vendosur për veten e tyre, por edhe aleancat shumëvjeçare, përfshirë NATO-n.

Në këtë mënyrë, Donald Trump merr përsipër ndërtimin e një Amerike imperiale që i referohet të njëjtave parime si tiranitë apo regjimet autokratike të shekullit të XXI. Ajo përfshin krijimin e një sfere influence, përdorimin e të gjitha mjeteve të luftës hibride, përfshirë edhe ndëshkimin e shteteve aleate më të dobëta. Trump pritet të mendojë, vendosë dhe veprojë si Xi Jinping, Vladimir Putin apo Recep Erdogan, siç e dëshmojnë të ftuarit në ceremoninë e tij të inagurimit, nga Nayib Bukele, presidenti i Salvadorit (një njeri i fortë që ka arritur të bëhet popullor në botë përmes shtypjes së krimit në kurriz të lirive themelore), tek Jair Bolsonaro, Viktor Orban, Giorgia Meloni, Éric Zemmour dhe Santiago Abascal Conde, (lideri i Vox). Amerika e Trump është një perandori autoritare, e cila ndan vizionin imperial të Kinës, ndërkohë që është e angazhuar në një rivalitet të ashpër me të, dhe që, si ajo, nuk vendos asnjë kufi për vënien nën kontroll të kombeve demokratikë, duke filluar nga Europa.

Samuel Huntington e kishte parashikuar shekullin e XXI si arenën e përplasjes së civilizimeve. Ai kishte të drejtë për rritjen e luftës dhe dhunës. Por ai gaboi për natyrën e përplasjes dhe rreziqeve. Përplasja nuk pritet të ndodhë mes grupeve fetare, por mes perandorive. Rreziku kryesor nuk vjen nga një aleancë mes Azisë dhe botës myslimane kundër Perëndimit, por nga korrupsioni dhe përçarja e Perëndimit. Larg së qeni në rënie, Amerika po ribëhet një hiperfuqi, por kjo me çmimin e shkëputjes nga liritë politike të deritanishme dhe duke përqafuar të njëjtat vlera si autokracitë aziatike, ruse, apo të Lindjes së Mesme, ku forca mbizotëron në raport me të drejtën.

Europa dëshiron të jetë konservuesja e vlerave dhe institucioneve liberale, por nuk ka as vullnetin dhe as mjetet për t’i mbrojtur ato përballë perandorive të shekullit të XXI.

Donald Trump dhe oligarkët e Gafam po e vënë Europën dhe evropianët përballë dilemës të së  vërtetës: ose të zgjedhin tutelën gjeopolitike dhe ekonomike të Shteteve të Bashkuara, pa asnjë garanci për siguri efektive në këmbim; ose transformimin në një fuqi për të mbrojtur sovranitetin, lirinë dhe civilizimin tonë përballë perandorive.  Por kjo e dyta kërkon çmimin e një transformimi radikal: pranimin e botës së shekullit të XXI, shumëpolare, të paqëndrueshme dhe të dhunshme; si dhe kthimin tek puna, rreziku apo qoftë dhe armët.

Nicolas Baverez eshte editorialist i rregullt i te perditshmes franceze Le Figaro. Shkrimi i botuar kete 20 janar mban titullin origjinal: “Donald Trump ose ndeshja e perandorive”. Perktheu per Lapsi.al T. Çela

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Check Also
Close
Back to top button