Friday, February 23, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZË“Hyp këtu, të shoç Stambollin” ka ndryshuar në “Hyp në Stamboll të...

“Hyp këtu, të shoç Stambollin” ka ndryshuar në “Hyp në Stamboll të shoç Tiranën”!

Nga Artan Fuga – Hyp në Stamboll të shoç Tiranën! Debati i kotë në Kuvend për vendodhjen e Presidentit firmosës. Nëse ka pasur probleme të natyrës politike, kjo është tjetër gjë, kurse debati nëse Presidenti aktual që firmosi shkarkimin nga funksionet dhe gradat ushtarake të Presidentit të ardhshëm ndodhej në Stamboll, kishte apo jo të drejtë të firmosë, ky ishte një debat i tepërt.

Teza dhe antiteza ishin në kufijtë e krijimit të një atmosfere komike, dhe në histori ashtu do të hyjë!

Teza : Meqë Presidenti aktual ndodhej në Stamboll, në takime me kryetarin e bashkisë atje, firmosja e dekretit të tij jashtë territorit të vendit është nul, sepse presidenti kur del jashtë territorit nuk kryen më detyrat e Presidentit! Me një fjalë firmosja e tij e dokumentit është: Hyp këtu të shoç Stambollin! Ta shoç Stambollin nga Ura e Gallatës!

Problemi nëse funksionari i shtetit a e bart legjitimitetin e tij kushtetues në trupin e tij, pra e humbet atë në lëvizje jashtë territorit është i vjetër në filozofinë politike. Por, dihet që është zgjidhur që edhe kur ndodhet jashtë territorit të shtetit, mbreti, presidenti, kryeministri, e kanë statusin e tyre edhe kur lëvizin jashtë! E kanë statusin e tyre ligjor. Nuk është çështje e doktrinave postmoderne por kështu ka qenë.

Imagjinoni Aleksandrin e Madh në fushatat e tij në krahinat e largëta deri andej nga India, ushtarët t’i thoshin : Ik o tutje, je perandor në Maqedoni, por jo këtu! Nuk ke vulë me vete. Imagjinoni Napoleonin duke u folur ushtarëve të tij përpara piramidave egjyptiane duke folur fjalët monumentale që ndriçojnë shekujt, dhe ushtarët, duke u zgërdhirë përpara tij : Hahahahah, ik o budalla, perandor je në Paris, jo këtu.

Imagjinoni Stalinin, Ruzveltin dhe Curçillin në Jaltë duke firmosur, kur asnjëri prej dy këtyre të fundit duke mos qenë në territorin e vet, kanë firmosur një dokument : Hyp këtu të shoç Stambollin. Gallatë te Ura e gallatës. Imagjinoni presidenten Osmani që vjen në Shqipëri dhe askush nuk e pret sikurse edhe ndodh, dhe t’i thonë : Presidente je atje në Prishtinë se këtu je turiste!!!
Antiteza: Jo, jo, tha mazhoranca, Presidenti aktual e paska firmosur në tokë shqiptare dekretin sepse e ka firmosur në territorin e konsullatës shqiptare në Stamboll.

Hajde gallatë hajde! Do të mbetet si qesharake në analet e retorikës parlamentare shqiptare në shekuj. Hyp te ura e Gallatës të shoç Tiranën! Shko në Stamboll të shoc Parlamentin e Tiranës te ura e Gallatës. Bën gallatë parlamenti, tallet mileti. Po kur presidenti shkon në nevojtore, në halé pra, a si thonë turqit, në hamam, a është ende president? Është president edhe kur përmjerr, kur bën kakën, pra kur dhjet? Po kur bën not, seks, del për gjah! Por jashtë orarit të punës është President.

Qenka territor shqiptar oborri i konsullatës. Sigurisht gëzon të drejtën e ekstraterritorialitetit oborri i ambasadës por a mund të thuhet se është territor shqiptar? Uroj që presidenti Erdogan nuk e ka dëgjuar se na dërgonte nja dy anije ushtarake që i ka këtu afër në ishujt e Jonit dhe na bombardonte sallën e parlamentit!!!
Atëhere duhet një vërtetim që presidenti Meta e ka firmosur dokumentin në oborrin e konsullatës, jo në hotel, në ndonjë kafe në stamboll, ose te ura e Gallatës! Ose te kamarja e turpit ku vunë kokën e Ali pashës kur ja prenë në shkallaret e kështjellës në Janinë! Ore po kur Murati vinte të rrethonte Skënderbeun në Krujë ishte më sulltan?

Pra e paska firmosur te oborri i konsullatës? Në çfarë vend ekzaktësisht? Po çatia, tjegllat e ndërtesës të konsullatës a janë territor shqiptar? I duhet kërkuar konsullit një vërtetim: Vërtetoj që presidenti Meta e ka firmosur dekretin me vullnetin dhe dëshirën e tij, në gjendje të ndërgjegjshme, pa asnjë detyrim, dhunë, ose shantazh, këtu para syve të mi. Po mirë, po si ta besojmë që vërtetimi konsullit është legjitim.

Ai duhet ta noterizojë! Por sapo del nga muret e konsullatës, për të shkuar te noteri, ai nuk është më konsull sepse ndodhet në tokën e Anadollit! As ambasadori nuk është më ambasador po shkoi të pijë kafe te qoshka e rrugës. Hajde urë e gallatës hajde. Hyp te parmakët e urës së Gallatës në Stamboll, apo në majë të lagjes të Gallatasarajit dhe shih Tiranën. Gallatë Tiranë-Stamboll me emërimin e Presidentit të ri! Mangut këtë kishte historia.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME