Friday, November 22, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeLIFESTYLEMAGAZINËIkja e të rinjëve, bie konsumi i bukës dhe i prezertativëve.

Ikja e të rinjëve, bie konsumi i bukës dhe i prezertativëve.

Në 10 vitet e fundit, përllogaritet se 570 mijë shqiptarë kanë emigruar. Largimi i të rinjve nga vendi po ndryshon disa balanca që lidhen me punësimin, konsumin dhe nxitje të modeleve të reja të biznesit…

Nga Deada Hyka

Ka shumë anë të debatit të zhurmshëm mbi emigracionin. Ndërsa pjesa më e madhe e tij fokusohet në kostot dhe përfitimet ekonomike të migrimit, si në vendet pranuese, ashtu edhe në ato dërguese, ka pak njohuri për anën njerëzore të historisë së migracionit.

Dhe jo vetëm të familjeve që lënë pas, por të së gjithë shoqërisë, të bizneseve që shpesh, mungesa e njerëzve i detyron të ndryshojnë kursin e tyre: dyqane të vogla lagjesh që mbyllen, konsum që bie për produktet kryesisht për të rinj, biznese të cilat nuk gjejnë më fuqi punëtore etj.

Kur përmendim fjalën emigracion, ajo me të cilën ne shpesh merremi janë histori si: një krim i kryer nga një emigrant, ose ngjarje tronditëse të asaj që ndodh me emigrantët e paligjshëm që nuk arrijnë në destinacionet e tyre të synuara apo ndodhitë e fundit me ofertat në tik-tok për gomonet e emigrantëve drejt brigjeve britanike.

Po me Shqipërinë e mbetur pas gati 570 mijë shqiptarëve që kanë emigruar në 10 vitet e fundit, çfarë po ndodh?

Ushqimet, më pak bukë e sallam, më shumë qofte

Emigrantët shpesh i lënë anëtarët e familjes së tyre në vendin e origjinës, sepse është e kushtueshme për të gjithë familjen të lëvizë, ose për shkak të politikave strikte të imigracionit dhe kushteve të pasigurta në vendet ku ata shkojnë.

Nga ana tjetër, ata dërgojnë para në shtëpi, nga të cilat përfitojnë ata që kanë mbetur pas, duke rritur konsumin e tyre dhe duke përmirësuar kushtet e jetesës. Por nuk ndodh gjithmonë kështu.

Në shqetësimet që kryesisht rrethet shfaqin, janë mbylljet masive të dyqaneve të vogla ushqimore të shitjeve me pakicë. Në vijim të tkurrjes së popullsisë, qoftë nga zhvendosja në kryeqytet, qoftë nga emigracioni jashtë vendit, rrethet e Shqipërisë vuajnë nga mungesa e të rinjve dhe bizneset e para që kanë vuajtur pasojat, janë pikërisht dyqanet ushqimore.

Një produkt që muajt e fundit është vënë re se ka pasur ulje të konsumit është buka. Adi Haxhiymeri nga Shoqata Shqiptare e Përpunuesve të Miellit, pohon se buka po blihet gjithnjë e më pak.

I pyetur nëse edhe çmimi në rritje gjatë këtij viti ka pasur ndikim në këtë rënie, ai thotë se si vazhdimësi e historikut të konsumit ndër vite, kjo rënie lidhet me largimin e të rinjve.

Sipas z. Haxhiymeri, të rinjtë dhe kryesisht meshkujt, janë konsumatorët kryesorë të bukës në vend. Importet e drithërave sipas INSTAT ranë me 26% në sasi për vitin 2022, duke arritur nivelin më të ulët të paktën që nga viti 2005, kur raportohen të dhënat.

Burime pranë kompanisë “Hako” dhe “Kazazi Meat” pohojnë për “Monitor” se ka një rënie të konsumit të produkteve të përpunuara të mishit, si sallame, salçiçe, proshutë dhe një ridrejtim te qoftet.

Sipas përvojës së tyre në treg, ndryshimi lidhet me mungesën e blerësve të rinj të cilët janë konsumatorët kryesorë të këtyre produkteve, ndërsa nënprodukte si qofte kryesisht preferohen në mosha më të mëdha.

Burimi: INSTAT

Farmacitë, rënie e mëtejshme e shitjeve të prezervativëve

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Shqipëria rezulton e fundit në Europë për planifikim familjar. Shifrat tregojnë se vetëm 12.9% e familjeve shqiptare kanë metoda të planifikimit familjar, shifra më e ulët në të gjithë Europën.

Përpos këtij fakti, farmacistë të ndryshëm në kryeqytet pohojnë se ka rënie të mëtejshme të shitjeve të prezervativëve. Sipas tyre, nëse më parë mungesa e përdorimit të tyre lidhej kryesisht me mungesën e njohurive të planifikimit familjar, tashmë shkak mendohet se është largimi i të rinjve.

Sipas ekspertëve të fushës farmaceutike, të rinjtë e moshës 26-40 vjeç besohet se janë kategoria e përdoruesve më të mëdhenj të ndërgjegjësuar tashmë nga informacionet dhe njëkohësisht, një nga grupmoshat që kanë emigruar më shumë vitet e fundit.

Farmacistët raportojnë se vihet re rënie e shitjeve të produkteve si multivitamina e suplemente të moshave më të rritura, që tashmë janë tejkaluar nga shitjet e së njëjtës kategori për fëmijë. Sipas tyre, më parë ishin kryesisht 30-40-vjeçarët që kërkonin më tepër suplemente ushqimore.

Qendrat estetike dhe mirëqenia

Shqiptarët e duan të bukurën dhe zgjerimi i bizneseve të fushës estetike vitet e fundit e ka dëshmuar këtë. Por, emigracioni ka prekur edhe këtë kategori biznesi, i cili pohon se i ka kthyer sytë te potenciali i turizmit mjekësor.

Nga “Gremi Wellness and Care” pohojnë për “Monitor” se vera e vitit 2022 pati kërkesat më të ulëta nga të rinjtë shqiptarë sa u përket shërbimeve estetike. Sipas tyre, këtë vit 90% e klientëve të tyre ishin të huajt. Ata e lidhin këtë ndryshim me emigrimin e viteve të fundit të të rinjve, të cilët ishin klientela potenciale e tyre.

Gjithashtu, sektori i palestrave duket se po vuan efektet e largimit të të rinjve.

Nga qendra sportive New Limits pohojnë se ka një rënie drastike të abonimeve të të rinjve. Sipas tyre, muajt e dimrit zakonisht regjistrojnë rënie të lehta, duke qenë se fokusi është gjithnjë në stinën e pranverës, megjithatë sipas tyre, mungesa e të rinjve në qytet ka sjellë këtë rezultat, që shpesh ka çuar e në mbylljen e shumë palestrave në kryeqytet.

Qendrat e kurseve

Tashmë është fakt: të rinjtë studiojnë gjermanisht për t’u larguar nga Shqipëria. Pesë vitet e fundit, qendrat e kurseve të huaja kanë njohur zgjerim të moduleve të kursit të gjuhës gjermane, e nxitur nga kërkesat në rritje për mësimin e gjuhës.

Studimet pasuniversitare dhe kontratat e punës kanë qenë dy arsyet kryesore që gjuha gjermane është kërkuar aq shumë nga të rinjtë. Ky model biznesi është ndër ata fitimtarë nga emigracioni i viteve të fundit, ku vetëm në kryeqytet numërohen mbi 150 qendra kursesh të gjuhëve të huaja.

“Grupmosha që kryeson për ndjekjen e kurseve është 25-40 vjeç, pra të rinjtë për studime, ose familjarët për bashkime familjare. Por nuk përjashtohen edhe mosha më të vogla”, – pohon Alisa, mësuese e gjuhës gjermane në Tiranë prej një dekade.

Sipas saj, kërkesa për gjermanishten nuk lidhet vetëm me emigrimin në Gjermani, por në të gjitha shtetet gjermanishtfolëse.

Qiratë ditore

Të kërkuara jo vetëm nga turistët e huaj si një formë simotër e Airbnb, por edhe nga të rinjtë, qiratë ditore në kryeqytet kanë pasur rënie drastike të kërkesës.

Tomi Kallanxhi, drejtues i Shpi.al., pohoi se të rinjtë u drejtoheshin qirave ditore, sepse kryesisht organizonin festa, ditëlindje apo kalonin kohë vetëm me të dashurit, por emigrimi i tyre duket se ka prekur edhe këtë sektor.

Më pak shqiptarë martohen, bien shitjet e mobilieve

Vitet 2000 patën një bum të nxitjes së sektorit të mobilierisë, ushqyer nga ndërtimet si dhe kërkesat e shqiptarëve për të ndryshuar stil, duke iu larguar uniformitetit të viteve të mëparshme.

Ajo çfarë ndodhur 5 vitet e fundit, është refren i përsëritur nga largimi masiv i shqiptarëve. Nga mobilieri “Hoxha” që operon në të gjithë Shqipërinë, pohojnë se sidomos në dekadën e fundit, trendi i kërkesës për mobilim shtëpie ka qenë në rënie.

Pikun e kanë arritur tre vitet e fundit, sipas tyre, duke qenë se më pak shqiptarë po martohen, detyrimisht më pak kërkesa për dhoma gjumi apo kuzhina të reja.

Sipas tyre, bizneset kanë qenë klientela e tyre kryesore, sidomos bare e restorante dhe ky sektor do ta ndiejë edhe më shumë largimin e të rinjve gjatë viteve të ardhshme.

Shpenzohet më pak në bare

Muaji dhjetor i vitit që lamë pas shënoi rënie konsumi 20 deri 30% më pak se viti parardhës te baret dhe restorantet. Te këto struktura rënie të konsumit pati edhe ditët e festave dhe vijoi edhe në ditët e para të muajit janar 2023.

Enri Jahja nga shoqata e Bareve dhe Restoranteve tha për “Monitor” se konsumi i muajit dhjetor 2022 ka qenë ndër më të dobëtit në 10 vitet e fundit. Arsyet kryesore të tkurrjes së konsumit, sipas tij janë rënia e fuqisë blerëse nga emigracioni i popullatës. Të rinjtë ishin ndër konsumatorët kryesorë, sidomos të bareve, dhe ikja e tyre po ndihet edhe në këtë segment.

“Emigrimi ka filluar të ndihet si fillim në zonat periferike, por edhe në qendër po ndihet që nuk ka fuqi blerëse dhe blerës mjaftueshëm”, pohon Jahja.

Sipas INSTAT, importet e kapitulli “Kafe, çaj dhe erëza” ranë me 13% në vitin 2022 në sasi, niveli më i ulët nga viti 2014.

Në vend janë gjithsej 15,5 mijë bare, nga 22 mijë në vitin 2015, duke qenë aktiviteti i dytë më i preferuar në vend, pas biznesit të pakicës.

Burimi: INSTAT

Nxiten terapitë

Të kesh pjesëtarë të familjes jashtë vendit lidhet me rritjen e stresit dhe depresionit, të cilat nuk kompensohen nga remitancat. Emigrimi jashtë i anëtarëve të familjes duket më pak traumatik në vendet ku migrimi është më i zakonshëm, duke treguar se njerëzit në kontekste të tilla mund të jenë në gjendje të përballojnë më mirë ndarjen.

Por ky nuk duket realiteti i viteve të fundit në Shqipëri. Sipas Arjana Rrelit, mjeke psikiatër, emigrimi masiv i shqiptarëve ka qenë një ndër faktorët që ka nxitur lëkundje në themelet e shëndetit mendor.

Sipas saj, sidomos në çiftet që emigracioni i ndan në dy shtete, është vënë re kërkesë e lartë për terapi, për shkak të problematikave që lidhen me largimin.

Kujdesi ndaj të moshuarve

Një nga ndryshimet që struktura e tregut po pëson për shkak të emigracionit, është kërkesa e lartë për kujdes ndaj të moshuarve. Më shumë të rinj që largohen, më shumë njerëz të moshës së tretë që kanë mbetur vetëm.

Kështu shprehen nga Agjencia e Shërbimeve dhe Punësimit Pantheon Group. Sipas tyre, në pesëvjeçarin e fundit, kërkesa për kujdes shëndetësor dhe social ndaj të moshuarve në vend ka arritur shifrat më të larta.

Kujdestarë për të moshuar kërkohen shumë, si profesion që dikur shqiptarët shkonin në Greqi ose Itali, infermierë në rast se të moshuarit kanë probleme shëndetësore deri te kujdestarë gjatë natës.

Sipas tyre, kërkesat e larta dhe mungesa e profesionistëve në këtë fushë kanë rritur çmimet dhe aktualisht ka pagesa shumë të mira në treg për këtë kategori.

Celebrimet, 12% më të ulëta se para pandemisë

Emigrimi ka ndikuar dhe në rënien e martesave. Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se në vitin 2021 u lidhën gjithsej 19.7 mijë martesa në të gjithë vendin.

Ndonëse në raport me vitin pandemik, celebrimet janë rritur me 12.7%, – teksa në 2020-n numri i tyre ra ndjeshëm për shkak të kufizimeve -, martesat mbeten më të ulëta në raport me para pandeminë.

Sipas INSTAT, numri i lidhjeve me kurorë në 2021 ishte 12% më i ulët se në 2019-n dhe 15% më pak se në 2018-n. Me përjashtim të vitit të pandemisë, 2021-i është periudha me martesat më të ulëta pas viteve 90. (Shiko grafikun: Numri i martesave gjithsej, 1990-2021)

Ndryshimi i stilit të jetesës, ku karakteristikë është rritja e moshës së martesës (3-5 vjet më shumë se në fillim të viteve ’90), plakja graduale e popullsisë dhe emigracioni i lartë i të rinjve vlerësohen si faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë tendencë.

Sipas INSTAT, mosha mediane e popullsisë (mosha që ndan popullsinë në dy pjesë të barabarta) ishte 38.2 vjeç në fillim të vitit 2022, rritje e ndjeshme në krahasim me fillimin e viteve ’90, kur ky tregues ishte më pak se 30 vjeç.

Në vitin 2021, mosha mesatare në martesë për burrat ishte 31,2 vjet (3 vjet më shumë se në fillim të viteve 90), ndërsa mosha mesatare në martesë për gratë ishte 27,7 vjet (gati 5 vjet më shumë se në fillim të viteve 90). Shiko grafikun: Mosha mesatare e martesës sipas gjinisë

Në vitin 2021, qarku me moshën mesatare më të lartë në martesë për burrat ishte ai i Gjirokastrës, me 33,6 vjet, ndërsa qarku me moshën mesatare më të ulët në martesë për burrat ishte Durrësi, me 30,5 vjet.

Në të njëjtin vit, qarku me moshën mesatare më të lartë në martesë për gratë ishte i Lezhës, me 28,9 vjet, ndërsa qarku me moshën mesatare më të ulët në martesë për gratë ishte i Durrësit, me 27,1 vjet.

Burimi: INSTAT

Zonat rurale mbeten pa punonjës

Një aspekt i rëndësishëm i emigrimit është se ai ndryshon përbërjen e komuniteteve rurale, gjë që çon në ndryshime në atë se kush e përdor tokën dhe si. Sipas studimeve të fundit, migrimi në shkallë të gjerë i të rinjve, të cilët largohen në kërkim të punës apo mundësive arsimore, rezulton shpesh në lënien në harresë të zonave rurale bujqësore dhe pyjore, ku mundësia që të mirëmbahen nga të moshuarit, është e ulët.

Ndikimi ndryshon sipas zonave, por realiteti ka treguar se braktisja e tokës lidhet me ulje të produktivitetit.

Fermerë të zonës së Shijakut e fshatrave rrotull pohojnë se mungesa e ndihmës nga fëmijët tashmë të larguar, ajo e mjeteve të duhura teknologjike për prodhim e përpunim, së bashku me ndikimin e Covid të gjatë në shëndetin e moshave mbi 50 vjecc, kanë rezultuar në braktisje të tokës dhe prodhimeve kryesisht të serrës që ka zona.

Ana negative

Vendet e origjinës mund të përjetojnë mungesë të fuqisë punëtore për shkak të emigrimit, gjë që mund të çojë në “ikje truri”, duke i privuar vendet nga njerëzit e aftë të nevojshëm për të mbështetur ekonominë. Mund të ketë gjithashtu rënie të produktivitetit kur emigrantët me kualifikim të lartë largohen nga vendi.

Në afat të shkurtër, remitancat mund të prodhojnë pabarazi në komunitetin vendas. Këto pabarazi zvogëlohen ndërsa rrjetet e migrantëve zgjerohen, duke e bërë emigrimin më të përballueshëm për familjet me nivelet më të ulëta të të ardhurave.

Një aspekt tjetër: Ka më pak njerëz për të paguar taksat. Më pak migrantë të kualifikuar, si ata me aftësi dhe arsimim, priren të jenë njerëzit që migrojnë.

Ndikimi i migrimit tek anëtarët e familjes së mbetur mund të jetë pozitiv ose negativ, në varësi të faktit nëse migranti është larguar përkohësisht ose përgjithmonë dhe nëse ata i kthejnë paratë në shtëpi apo jo.

Nga njëra anë, migrimi, nëse shoqërohet me remitanca, mund të lehtësojë kufizimet e buxhetit të familjes, duke çuar në investime, rritje të shkollimit të fëmijëve dhe rritje të konsumit aktual. Nëse migrimi është i përkohshëm, kthimi i migrantit mund të sjellë edhe aftësi të vlefshme të fituara jashtë vendit, si dhe potencial sipërmarrës.

Nga ana tjetër, tërheqja e atyre që janë zakonisht mbajtësit kryesorë të familjes nga grupi i ofertës së punës së familjes mund të rrisë ngarkesën e punës së të tjerëve ose të ulë ofertën e tyre të punës, në varësi të fluksit të remitancave dhe përdorimit të tyre.

Migrimi
Njeriu ka një prirje të natyrshme për të migruar. Kjo tendencë është, ose një veçori e fituar si rezultat i praktikave të përsëritura gjatë miliona viteve, ose e koduar në gjenet tona. Megjithatë, ai është aty dhe na shtyn të lëvizim nga një vend në tjetrin. Arsyeja e kësaj tendence të përjetshme ka qenë kërkimi për një jetë më të mirë dhe për sa kohë që nevoja për një jetë më të mirë mbetet atje, do të vazhdohet të emigrohet..

Ndikimet negative të emigracionit për vendin e origjinës:

Ka më pak njerëz për të paguar taksat.

Më pak njerëz të kualifikuar, si ata me aftësi dhe arsimim, priren të jenë njerëzit që migrojnë. Kjo njihet edhe si ikja e trurit.

Ikja e trurit mund të dëmtojë zhvillimin ekonomik.

Kufijtë ndajnë familjet. Rriten divorcet

Shpesh ka pabarazi gjinore, pasi shpesh janë meshkujt ata që lëvizin. Ulen numri i martesave. Bie lindshmëria

Anketa e INSTAT
Një anketë e INSTAT në vitin 2019 zbuloi se nga viti 2011 deri në vitin 2019 kanë emigruar nga vendi 360 mijë persona. Nga të dhënat e Eurostat, nga viti 2008 deri në vitin 2021, rreth 750 mijë shtetas shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Europian
POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME