OP/ AN

Kambanat folën

Nga Luçiano Boçi – Folën, pasi ka kohë bien.

Ato që i dëgjuan kanë nisur zmbrapsjen, për të mos përdorur fjalë tjetër. Ndryshimet politike që pasuan pas zgjedhjes së Presidentit të ri, e po vazhdojnë nën formën e një efekti domino të pashmangshëm, janë të dukshme e të prekshme.

Rikthimi i Trump duket se është epokal. Bota përgatitet të ndryshojë rrjedhë kah normaliteti.

Zoti dhe amerikanët e thjeshtë e bënë të tyren.

Pas shumë vitesh nën presionin e së majtës ekstreme Amerika dhe bota tani po ndjejnë aromën e lirisë, e përzier këto kohra me aroma të pista agjendash që e mbytën atë dhe e morën peng me mijëra forma e marifete.

Fitorja e Trump është e ngjashme për nga rëndësia, por dhe efekti që po paralajmëron, me rënien e komunizmit.

Rendi i ri botëror që imponoi e majta sorosiane ishte një rend ku dominoi degradimi politik, social dhe moral i shoqërisë.

Një lloj neokomunizmi pervers i cili imponoi formatin e “luftës së ftohtë”me forcat e djathta, duke pasur si ndryshim vetëm kufijtë.

Nuk kishte më Lindje dhe Perëndim me kufij të përcaktuar sipas shteteve, por sorosianë dhe republikanë në pothuaj të gjitha shtetet.

E majta me synime të qarta “pushtuese” e dominuese, shenjëstroi dhe zhbalancoi sa mundi e kudo mundi, ekuilibrat demokratikë politikë e njerëzorë, duke synuar nxjerrjen e së djathtës jashtë shahut politik dhe duke synuar deformimin e thelbit natyror të shoqërisë.

E majta i shpalli kudo luftë identiteteve dhe besimeve.

Sulmoi pa reshtur identitetin gjinor të njeriut dhe ndërmori një fushatë të egër rrafshimi të konservatorizmit ideologjik dhe moral, si identitet i spikatur politik.

Deformuan pa hezitim çdo koncept klasik mbi të drejtën dhe lirinë dhe devijuan balancat ekonomike në dëm të vetë SHBA-ve.

Shqipëria është dhe ende mbetet një nga eksperimentet politike më të suksesshme të sorosianëve.

E majta ekstreme u mbështet dhe u investua për të ngulur në vend një sundim shumëvjeçar që progresoi paralelisht me një luftë të egër për të eliminuar të djathtën të përfaqësuar nga Partia Demokratike.

Sipas agjendës falë Ramës, kjo e majtë kishte filluar pandalshëm të hidhte hapa konkretë dhe në aplikimin e çorientimit gjinor e social.

Pasojat që prodhuan këto operacione janë të prekshme.

Vendi ka humbur çdo standart demokratik dhe ka rrëshqitur drejt një sundimi absurd përmes krimit dhe korrupsionit të stimuluar dhe nxitur nga pushteti.

Për këtë shkak pritja e kambanave këtu ka qenë po kaq dëshirore sa vetë në Amerikë.

E folura e tyre nën betimin e Trump është e qartë:

Në një rend të ri botëror vlerash e parimesh nuk ka më vend për matrapazë të vlerave të patjetërsueshme themelore politike dhe njerëzore.

Koha e regjimeve dhe krerëve të tyre të majtë ekstremë, sivëllezër të Soros ka mbaruar.

Kambanat e betimit folën qartë…

Mjerë kush bën sikur s’i dëgjon.

Davos-i nuk e amniston dot Ramën.

Zoti e bekoftë Amerikën!!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button