OP/ AN

Marketingu politik nuk mjafton: Shqiptarët presin zgjidhje, jo spektakël

Me aq sa mund të kuptojmë ne, njerëzit e thjeshtë të showbiz-it, nga politika dhe politikanët e mëdhenj, kam përshtypjen se Agron Shehaj me këtë lloj marketingu nuk do të arrijë atë që synon si një prej figurave të opozitës në Parlamentin shqiptar.

Sado të bëjë spektakël me marrje dokumentesh, kamera të përgatitura për xhirim, vrapime në korridore dhe skena që ngjajnë më shumë me një produksion televiziv sesa me një akt politik, nuk besoj se fiton besimin e qytetarëve. Perceptimi i një populli të lodhur, të varfëruar dhe të zhgënjyer nga politika prej më shumë se 30 vitesh është shumë më kompleks sesa një video që bëhet virale në rrjetet sociale.

Nuk paragjykoj qëllimet e tij. Mund të jetë sinqerisht duke menduar për të mirën e shqiptarëve. Megjithatë, nga komunikimi i vazhdueshëm që kam me qindra mijëra ndjekës në rrjetet sociale, kam krijuar bindjen se njerëzit spektaklin dhe këto veprime tipike të TikTok-ut i presin nga blogerët apo humoristët, jo nga një deputet që synon të mbajë flamurin e opozitarizmit shqiptar.

Nëse dokumenti që u mor ishte realisht me interes publik, ai mund të bëhej publik pa qenë nevoja që i gjithë momenti të kthehej në një spektakël mediatik. Në fund të fundit, qytetarëve u intereson përmbajtja e dokumentit dhe ndikimi që ai ka në jetën e tyre, jo sa i shkathët është një politikan për ta marrë atë brenda ambienteve të Parlamentit.

Shqiptarët sot përballen me probleme shumë më të mëdha: varfërinë, mungesën e shpresës, emigrimin dhe një klasë politike që prej dekadash i ka zhgënjyer. Për këtë arsye, nuk besoj se modeli i biznesmenit milioner që premton se do të shpëtojë njerëzit e zakonshëm krijon automatikisht besim. Historia mund të ketë funksionuar ndryshe në vende të tjera, por Shqipëria ka realitetin e saj.

Nga ana tjetër, marketingu politik i bazuar te show, batutat dhe performanca është konsumuar prej vitesh. Aq shumë është përdorur, sa për një pjesë të mirë të shqiptarëve tashmë ka humbur efektin dhe madje krijon refuzim.

Personalisht, do të doja që politika shqiptare të prodhonte më shumë profesionistë sesa personazhe. Politikanë që nuk e ndërtojnë imazhin mbi videot virale apo Instagram-in, por mbi rezultatet e punës së tyre. Njerëz që dalin para publikut për të dhënë llogari, jo për të prodhuar spektakël. Që e shohin politikën si shërbim ndaj qytetarëve dhe jo si një skenë ku çdo ditë duhet të fitojnë vëmendjen e rrjeteve sociale.

Në fund, qytetarët nuk votojnë për videon më të klikuar. Ata votojnë për atë që u përmirëson jetën.

Marr nga faqa e FB e Olti Curri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button