Nëse dikush ta përbuzë gjuhën e nënës, ai të ka pështyrë në fytyrë!
Nga Kim Mehmetaj – Kjo ‘tezja’ që shpesh herë nuk e dinë se ku ndodhet – por që nuk harron se është Presidente e Maqedonisë dhe se vendin duhet ta mbrojë nga armiku i natyrshëm i tij, nga shqiptarët – gjithmonë ka qenë parimore.
Gjatë kohës së Millosheviqit ajo e mbronte Serbosllavinë e quajtur Jugosllavi nga rrënuesit e saj, kryesisht nga shqiptarët.
Përderisa ishte ministre e Gligorovit, ajo e mbronte Maqedoninë e pavarur nga kërkesat e shqiptarëve për arsimim në gjuhën amtare.
Sot, si Presidente e VLEN-it, ajo e mbron gjuhën maqedonase nga gjuha shqipe duke refuzuar të nënshkruaj dekretin për licencat dygjuhësore në çerdhe!
Ndërkohë duhet pranuar se edhe pushtetarët shqiptarë të këtyre tri dekadave të fundit kanë qenë parimorë dhe kanë përkrahur cilindo kandidat maqedonas për president që ka pranuar atyre t’ua nënshkruaj licencat e vasalit.
Sidoqoftë duhet thënë se gjërat nuk do ndryshojnë përderisa shqiptarët e këtushëm nuk e kuptojnë se emërtimi i gjuhës së tyre amtare si gjuha e ’20 për qindëshit’, nuk e tregon vetëm pafytyrësinë e përfaqësuesve të tyre politikë, por e shpërfaq edhe turpin grupor të shqiptarëve të Maqedonisë.
Pra pozita e shqiptarëve të Maqedonisë do ndryshojë vetëm atëherë kur ata do e kuptojnë se ka diçka edhe më poshtëruese se sa tjetri të të pështyjë në fytyrë: të ta përbuzë gjuhën e nënës.