Operacioni policor Koordinimi/ Arrestime për drogra të forta dhe prostitucion
Lushnje – Finalizohet nga Komisariati i Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor i koduar “Koordinimi”.
Gjatë operacionit u godit një rast i përshtatjes së ambienteve për përgatitje dhe shpërndarje të drogave të forta dhe një rast i shfrytëzimit për prostitucion.
Përshtatën ambientet e servisit të automjeteve, për përdorim dhe shitje të kokainës, arrestohen në flagrancë 2 shtetas.
Vihet në pranga edhe 1 tjetër shtetas që blinte doza kokaine në këtë ambient, si dhe shfrytëzonte për prostitucion, një 24-vjeçare.
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinimi”, është zbuluar një servis automjetesh i përshatur për përdorim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Në ambientet e servisit, u kapën në flagrancë dhe u arrestuan shtetasit:
A. S., 40 vjeç, banues në Lushnjë dhe B. T., 62 vjeç, banues në Dushk, Lushnjë, pasi gjatë kontrollit në ambientet e servisit në administrim nga shtetasi A. S., në të cilin ishte i punësuar shtetasi B. T., shërbimet e Policisë gjetën sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje;
Z. S., 44 vjeç, banues në Kuçovë. Ky shtetas kishte shkuar në ambientet e servisit, për të blerë lëndë narkotike, i shoqëruar nga një shtetase 24 vjeçe nga Kuçova, të cilën dyshohet se ai e shfrytëzonte për prostitucion.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dozat e kokainës që u gjetën në ambientet e servisit, 2 peshore elektronike, shuma parash të valutave të ndryshme dhe 3 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.