Paralajmërimi/ Aktivisti: Shtatori i fundit i kësaj qeveria

Një prej aktivistëve të protestës kundër qeverisë Rama ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestat e planifikuara gjatë muajit shtator, duke paralajmëruar edhe përshkallëzim të aksionit qytetar. Aktivisti tha se datat 10, 17 dhe 24 shtator përkojnë me ditët e enjte kur zhvillohen seancat plenare të Parlamentit dhe u bëri thirrje qytetarëve që të mblidhen në orët e paradites.
“Thirrja për këto data është për një pjesëmarrje masive paradite. Të mblidhemi te sheshi ‘Skënderbej’ dhe më pas në Parlament”, deklaroi ai.
Sipas tij, parlamenti do të jetë pikënisja e protestave, ndërsa mënyra e vijimit të tyre do të varet nga zhvillimet në terren.
“Pikënisja është Parlamenti, por, në varësi se si protesta do të rrjedhë, ne paralajmërojmë që do të përshkallëzojmë në mosbindje”, u shpreh aktivisti.
Ai paralajmëroi gjithashtu për protesta që mund të shtrihen në rrugët e kryeqytetit, me synim krijimin e një presioni më të madh ndaj qeverisë.
“Do të tentojmë të bllokojmë të gjitha rrugët e Tiranës, në mënyrë që të paralizojmë përkohësisht Tiranën dhe të ndalojmë dhe të na dëgjojnë, sepse kemi 99 ditë”, tha ai.
Aktivisti kritikoi gjithashtu numrin e deputetëve dhe ndikimin e tyre në vendimmarrje, duke deklaruar se qytetarët nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.







