Regjistrimi i emigrantëve/ Më të interesuar për të votuar pas Tiranës, Fieri e Korça
Sipas KQZ, deri në ora 11.00 të datës 15 janar 2025 kanë paraqitur kërkesën për t’u regjistruar në platformën e votuesve nga jashtë 15.905 votues nga diaspora.
Shpërndarja e votuesve nga jashtë përfshin të gjithë kontinentet, ku dominon Evropa dhe Amerika e Veriut. Vendet me numrin më të lartë të aplikimeve janë Italia me 4773 aplikime, Greqia 3363, Gjermania 2552, SHBA 1572 dhe Mbretëria e Bashkuar me 1284 votues jashtë Shqipërisë që kanë shprehu interesin për t’u regjistruar.
Shpërndarja gjeografike e votuesve nga jashtë tregon dhe një herë sfidën e madhe që ka KQZ për të realizuar procesin e dërgimit dhe kthimit të votës me postë brenda afateve të parashikuara.
Nëse shikojmë shpërndarjen e votuesve sipas qarqeve në përqindje kryeson qarku më i madh në vend Tirana me 23.4% të aplikantëve, i ndjekur nga Fieri 17.4% dhe Korça 10.7%. Ndërkohë qarqet me përqindjen më të ulët të aplikantëve janë dhe qarqet më të vegjël, Gjirokastra 2.8% dhe Kukësi 1.5%.
Krahasuar me peshën në përqindje që kanë qytetarët me të drejtë vote (brenda dhe jashtë Shqipërisë) për çdo qark me aplikantët për qark deri më datë 15 Janar 2025, duket se ritmi më i lartë i regjistrimeve është në qarkun e Fierit dhe ritmi më i ulët është në qarkun e Elbasanit.
Konkretisht, Fieri ka të regjistruar 17.4% të votuesve nga jashtë ndërkohë që pesha e qytetarëve me të drejtë vote në këtë qark është 11.43%. Lidhur me qarkun e Elbasanit, 6.4% e votuesve nga jashtë janë të regjistruar në këtë qark, ndërkohë që pesha e qytetarëve me të drejtë vote në këtë qark është përafërsisht 10%. /Euronews Albania