Rriten deri në 30% çmimet e sigurimit të detyrueshëm të automjeteve
Nisja e aplikimit të sistemit të ri për përcaktimin e primeve të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve ka sjellë një rritje të çmimeve për përdoruesit. Mbështetur në tarifat e llogaritura me aplikacionet e ofruara prej kompanive të sigurimeve në faqet e tyre të internetit, rritja e çmimeve krahasuar me vitin e kaluar mund të arrijë më shumë se 30%.
Për shembull, për një automjet të prodhuar në vitin 2007, me fuqi motorike 2500 cc, me drejtues mjeti mbi 21 vjeç, të regjistruar në Tiranë, sigurimi vjetor TPL (përfshirë taksat) kushton rreth 21,700 lekë, në rritje me afërsisht 15% krahasuar me vitin e kaluar (çmimet kanë ndryshime shumë të vogla mes kompanive të ndryshme).
Në rast se drejtuesi i mjetit është nën 21 vjeç, çmimi arrin në pothuajse 25 mijë lekë ose gati 32% krahasuar me vitin e kaluar. Për një automjet me motor 2000 cc, prodhim i vitit 2013, regjistruar në Tiranë në pronësi individuale, me drejtues mjeti mbi 21 vjeç, çmimi i ri i sigurimit, përfshirë taksat, është rreth 21 mijë lekë, afërsisht 10% më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
Për një drejtues mjeti nën 21 vjeç, çmimi arrin në rreth 23,100 lekë ose 21% më shumë se vitin e kaluar. Ndërkohë, për automjetet në pronësi të bizneseve, shtrenjtimi është më i lartë, për shkak të një koeficienti bazë rritjeje 20% të përcaktuar për këtë kategori. Kjo lidhet me faktin që për automjetet e biznesit rreziku i dëmeve vlerësohet më i lartë, për shkak se ato mund të përdoren nga drejtues të ndryshëm. Duke shtuar edhe koeficientët e tjerë të rritjes, për mjetet e bizneseve rritja e çmimit të siguracionit mund të arrijë në më shumë se 30% krahasuar me vitin e kaluar.
Që nga fillimi i këtij viti ka hyrë në fuqi rregullorja “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”, që parashikon se në përllogaritjen e primit të sigurimit, kompanitë duhet të zbatojnë disa faktorë kryesorë risku, si historiku i dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit; fuqia motorike e mjetit; mosha e të siguruarit; eksperienca në drejtimin e mjetit motorik; përdorimi i mjetit nga një subjekt apo nga një individ; qarku i regjistrimit të mjetit; vjetërsia e mjetit.
Përveç faktorëve të mësipërm, rregullorja parashikon që shoqëritë e sigurimit mund të zbatojnë edhe faktorë të tjerë risku, të përcaktuara prej tyre. Megjithatë, sistemi aktualisht në përdorim nuk ka një nivel shumë të detajuar diferencimi në disa prej faktorëve të parashikuar në rregullore.
Për shembull, sistemi përcakton çmime më të larta për drejtuesit e mjeteve në moshën 18-21 vjeç, ndërsa nuk parashikon diferencime të mëtejshme për drejtuesit në moshë më të madhe. Gjithashtu, sistemi nuk merr parasysh eksperiencën e drejtuesve të mjetit, për shembull, vitin e marrjes së lejes së drejtimit.
Gjithashtu, diferencimi sipas qarqeve konsiston vetëm në aplikimin e një koeficienti më të ulët për qarqet Berat, Dibër e Kukës, ndërsa për të gjitha qarqet e tjera të vendit koeficienti përkatës është i njëjtë dhe më i lartë.
Një faktor tjetër që do të përcaktojë primet është edhe sistemi bonus-malus ose historiku i dëmeve. Megjithatë, ky element do të fillojë të zbatohet duke filluar nga viti 2026, bazuar në historikun e dëmeve të vitit 2025. Por, mënyra se si është konceptuar sistemi parashikon vetëm faktorin malus, pra, penalizimin e drejtuesve të mjeteve që shkaktojnë dëme, por nuk ka një element bonusi, pra, ulje të primit për ata drejtues që nuk shkaktojnë dëme. Bonusi, në fakt, do të jetë ruajtja e koeficientit të njëjtë.
Javën e kaluar, deputeti Erion Braçe me një deklaratë publike e cilësoi rritjen e çmimeve të sigurimit TPL si abuzim në kurriz të konsumatorit dhe shtoi se do t’i kërkojë Komisionit Kuvendor të Ekonomisë të ushtrojë ndikim mbi AMF-në për anullimin e çmimeve të reja.
Sipas ligjit, shoqëritë e sigurimit i përcaktojnë vetë tarifat e primit të sigurimit TPL, por janë të detyruara të njoftojnë AMF-në të paktën 30 ditë kalendarike përpara aplikimit të tarifave të reja të primit.
Së bashku me njoftimin për aplikimin e tarifave të reja të primit, shoqëritë e sigurimit duhet të depozitojnë pranë Autoritetit bazën teknike të të dhënave, faktorët e riskut dhe vlerësimet aktuariale të përdorura për llogaritjen e primeve të sigurimit, të shoqëruara me opinionin e aktuarit të autorizuar të shoqërisë, të paraqitur në formën e një raporti me shkrim.
Autoriteti, në funksion të mbikëqyrjes së veprimtarisë së shoqërisë së sigurimit, mund të urdhërojë rishikimin e tarifave të reja të primeve, nëse konstaton se baza e të dhënave për hartimin e tabelave të primit të sigurimit nuk është e saktë, ose shoqëria e sigurimit nuk ka vepruar në përputhje me parimet aktuariale dhe metodologjinë e përdorur për përfshirjen e faktorëve të riskut të përcaktuar me këtë rregullore.
Fitimi nga sigurimi TPL u rrit me 130% për 2023
Përpjekjet e kompanive për të rritur çmimin e sigurimit të brendshëm TPL nisën që në vitin 2021, me miratimin e ligjit të “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, që rriti edhe limitet e përgjegjësive. Pas vitit 2022, nevoja për rritjen e çmimeve u argumentua me shtrenjtimin e çmimeve të pjesëve të këmbimit, shërbimeve për automjetet dhe me rritjen e kostove në përgjithësi nga inflacioni i lartë.
Megjithatë, të dhënat e AMF-së tregojnë se pavarësisht faktorëve të mësipërm, produkti TPL ka qenë një produkt fitimprurës për kompanitë.
Të dhënat e raportit të mbikëqyrjes 2023 tregojnë se bilanci i llogarisë teknike për produktin e brendshëm TPL ishte pozitiv në vlerën e 1.6 miliardë lekëve, me një rritje prej 130% krahasuar me vitin 2022. Ky ishte fitimi më i lartë i të gjitha kohërave i raportuar për produktin në fjalë.
Efektin kryesor në rritjen e fitimeve nga sigurimi TPL e ka dhënë rritja e primeve të fituara neto, ulja e shpenzimeve të marrjes në sigurim, paralelisht me një rritje shumë të vogël të shpenzimeve për dëme të paguara. Primi i fituar neto vitin e kaluar arriti në 9.82 miliardë lekë, në rritje me 7.7% krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë, një ndikim të rëndësishëm ka sjellë edhe ulja e shpenzimeve operative të lidhura me produktin. Ato zbritën në 4.7 miliardë lekë, në rënie me 9% krahasuar me një vit më parë. Megjithëse shpenzimet operative pësuan rënie, ato vazhdojnë të kenë një vlerë ndjeshëm më të lartë krahasuar me shpenzimet për dëme.
Shpenzimet për dëme shënuan një rritje të vogël vitin e kaluar. Dëmet e paguara bruto arritën në 3.38 miliard lekë, 3.4% më shumë krahasuar me një vit më parë. Ndërsa dëmet e paguara neto (duke hequr pjesën e paguar nga risiguruesit) arritën në 2.91 miliard lekë, në rritje me vetëm 0.9% krahasuar me një vit më parë. Raporti dëme-prime neto u rrit shumë lehtë në 36.14%, nga 36.06% që kishte qenë në vitin 2022.
Sigurimet e detyrueshme motorike kanë një peshë shumë të lartë në strukturën e primeve të shkruara bruto në sigurimet e Jo-Jetës. Për vitin 2023, sigurimi i brendshëm TPL, Kartoni Jeshil dhe Polica Kufitare përbënin pothuajse 67% të primeve të shkruara bruto të këtij tregu. Edhe fitimi i këtyre produkteve ka një rëndësi përcaktuese në ecurinë e rezultatit total të tregut.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në total fitimi i tregut të sigurimeve vitin e kaluar arriti vlerën e 2.76 miliardë lekëve ose 266 milionë eurove. Krahasuar me vitin 2022, fitimi i siguruesve shqiptarë u rrit me pothuajse 70%./ Monitor