I ftuar nga qeveria shqiptare, ish Presidenti i 42-të i SHBA-ve, Bill Klinton, u pritet me nderime në Tiranë, ku mori medaljen e “Yllit të Mirënjohjes për Arritje Publike”, si një vlerësim për ndihmesën e tij në fillimet e demokracisë në Shqipëri, si dhe rolin e tij të veçantë në ndalimin e dhunës serbe në Kosovë në vitin 1999. Në ceremoninë e mbajtur në shëtitoren Dëshmorët e Kombit kryeministri Edi Rama e prezantoi zotin Klinton me një grup fëmijësh dhe të rinjsh nga Kosova, që mbanin emrin e tij, të lindur pas luftimeve të vitit 1999.
“Këtë çast nderimi do ta ruaj si thesar gjithë jetën time. Kam dashur gjithmonë të vij këtu. SHBA janë të angazhuar për lirinë, forcën dhe integritetin e Shqipërisë”, tha zoti Klinton.
Ai theksoi se si gjatë këtyre dy dekadave ishte vazhdimisht i rrethuar nga mirënjohja dhe dashuria e shqiptarëve kudo në botë për vendimet, që u morën kundër dhunës serbe në Kosovë.
“Për mua kjo nuk është thjesht një ditë kur kryeministri dhe populli shqiptar i dhanë një njeriu, i cili nuk ka më pushtet politik dhe nuk është më i ri, një vlerësim për atë që bëri në mënyrë të drejtë shumë vite më parë për ju. Kjo është dita kur ritheksohet koncepti, që njerëzit marrin vendimet më të mira kur bëhen bashkë”, tha zoti Klinton.
Ai theksoi, mes të tjerash, se tensionit në veri të Kosovës duhet t’I jepet fund, dhe të ndalen ato marrëzi, sepse asnjë çështje e madhe politike nuk përparon duke patur tension. Kryeministri Rama vlerësoi vendimin e zotit Klinton për ndërhyrjen në Kosovë gjatë vitit 1999.
“Shqipëria është vendi më pro-amerikan që mund të gjendet sot. Ne jemi vend i shqiponjave dhe ne na vjen shumë mirë që kjo të jetë e vërtetë. Klinton na mësoi se të ketë shpresë do të thotë të besosh. Se ka vetëm regjime dhe qeveri të këqija dhe nuk ka kurrë popuj të këqij”, tha zoti Rama.
Në prani të shumë politikanëve, autoriteteve, ish drejtuesve të institucioneve të larta shqiptare, si dhe qytetarë të shumtë me flamuj amerikanë dhe shqiptarë në duar, kryeministri Edi Rama, i dorëzoi ish presidentit amerikan Klinton medaljen e “Yllit të Mirënjohjes për Arritje Publike”. Ai theksoi se nuk kishte fjalë, që mund të shprehte mjaftueshëm respektin për çfarë kishte bërë Klinon për shqiptarët, ndaj edhe po i jepej çmimi më i lartë.