AKTUALITETTOP-NEWS

Zjarr i përmasave të mëdha në Patos, shkrumbohet ferma blegtorale/ Digjen mbi 10 krerë bagëti, dëmet arrijnë në 7 milionë lekë

Patos – Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mesditën e së martës një fermë blegtorale në Patos, duke shkaktuar dëme të rënda materiale dhe humbje të konsiderueshme në bagëti.

Sipas informacionit paraprak, flakët shpërthyen rreth mesditës dhe u përhapën me shpejtësi, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe prania e sasive të mëdha të bazës ushqimore për bagëtitë. Fermerët dhe banorët e zonës u përpoqën të shpëtonin kafshët, ndërsa në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e shërbimit zjarrfikës të Patosit.

Për shkak të përmasave të zjarrit dhe rrezikut të përhapjes së flakëve në objektet përreth, në operacion u angazhuan edhe efektivët e shërbimit zjarrfikës të Fierit. Pas disa orësh pune intensive, ekipet arritën ta vinin situatën nën kontroll dhe të shmangnin përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Bilanci paraprak është i rëndë. Më shumë se 10 krerë bagëti janë djegur, ndërsa janë shkrumbuar sasi të mëdha ushqimi për bagëtitë, makineri bujqësore dhe stalla e fermës. Dëmet materiale vlerësohen paraprakisht në rreth 7 milionë lekë.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit dhe për të dokumentuar të gjitha rrethanat e ngjarjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button