Greqi – Mbi 66 kilogramë kanabis i papërpunuar janë zbuluar dhe sekuestruar nga policia greke në zonën e Thesprotisë, në një operacion kundër trafikut të lëndëve narkotike. Dyshohet se droga kishte origjinë nga Shqipëria dhe po transportohej drejt territorit grek.
Në kuadër të hetimeve për këtë rast janë arrestuar tre shtetas, ndaj të cilëve janë ngritur akuza për vepra të rënda penale që lidhen me trafikun e narkotikëve.
Operacioni u zhvillua nga efektivët e Nëndrejtorisë së Hetimit dhe Zbulimit të Krimeve në Igumenicë, në bashkëpunim me Departamentin e Dytë të Rojës Kufitare në Filiates.
Gjatë kontrolleve, policia lokalizoi një automjet në të cilin udhëtonte një shtetas i huaj. Pas ndalimit dhe kontrollit të mjetit, efektivët zbuluan 60 pako me kanabis të papërpunuar, me peshë totale 66 kilogramë e 742 gramë.
Hetimet vijuan edhe në një tjetër pikë, ku u ndalua një automjet i dytë me dy persona në bord, të cilët dyshohet se vinin nga Saranda. Sipas hetuesve, dy shtetasit kishin rolin e pararojës së automjetit që transportonte drogën, duke informuar drejtuesin e tij për praninë e mundshme të kontrolleve policore përgjatë itinerarit.
Në kuadër të operacionit u sekuestruan dy automjetet e përdorura, 1.130 euro dhe katër telefona celularë. Në kontrolle morën pjesë edhe qentë antidrogë të policisë greke, “IKARUS” dhe “JERRY”, të cilët ndihmuan në zbulimin e lëndës narkotike.
Rastet e goditura së fundmi nga autoritetet greke tregojnë vijimin e përpjekjeve për të luftuar trafikun e drogës në kufirin me Shqipërinë, veçanërisht në zonat jugore, por edhe në portet detare, që dyshohet se përdoren si pika të mundshme të kalimit të lëndëve narkotike.















