AKTUALITETTOP-NEWS

700 metra turp dhe harresë/ Rruga e varrezave në Cakran të Ri, 1200 banorë të braktisur në dhimbjen e tyre

Cakran – Rreth 1200 banorë të fshatit Cakran i Ri po përballen prej vitesh me një realitet të dhimbshëm dhe poshtërues: 700 metra rrugë që të çojnë drejt varrezave janë kthyer në një pengesë të pakalueshme, pikërisht në momentet kur familjet kanë më shumë nevojë për mbështetje dhe dinjitet.

Segmenti, i amortizuar dhe i pashtruar, është i mbushur me gropa dhe baltë, duke u bërë thuajse i pakalueshëm gjatë dimrit. Banorët thonë se në ditët me shi, mjetet funerale e kanë të pamundur të ngjiten deri në varreza. Në shumë raste, arkivoli është transportuar me vështirësi të jashtëzakonshme, ndërsa të moshuarit dhe gratë detyrohen të ecin në këmbë në një rrugë të rrezikshme malore, ku shpesh rrëshqitjet dhe balta kthehen në rrezik serioz.

Për komunitetin, kjo nuk është thjesht një çështje infrastrukture, por një plagë morale.

“Kjo rrugë është turp. Nuk kërkojmë asfalt luksi, por të paktën të kalojmë pa frikë kur çojmë njerëzit tanë në banesën e fundit. Në dimër është katastrofë, nuk kalon as makina, jo më të moshuarit.”

Banorët theksojnë se premtimet për ndërhyrje kanë qenë të shumta, por asnjë investim konkret nuk është realizuar. Sipas tyre, drejtuesit vendorë kanë premtuar sistemimin dhe shtrimin e segmentit, por gjithçka ka mbetur në letër.

Por problematika nuk ndalet vetëm te rruga.

Varrezat e fshatit janë të lëna në mëshirë të fatit, të papastruara dhe të parethuara. Gjatë verës, bari i thatë dhe shkurret përbëjnë rrezik të lartë për zjarr, ndërsa në dimër mungesa e rrethimit lejon hyrjen e kafshëve të egra që dëmtojnë varret dhe qivuret, duke shtuar dhimbjen e familjarëve.

Ish-kandidatja për deputete e Partia Demokratike e Shqipërisë, Samena Malenaj, bijë e kësaj zone, është shprehur se komuniteti i Cakranit të Ri është lënë në harresë dhe i braktisur nga qeveria, duke theksuar se investimet mungojnë edhe në nevojat më bazike.

“Është e papranueshme që në vitin 2026, një komunitet i tërë të mos ketë një rrugë funksionale për në varreza. Kjo tregon qartë braktisjen dhe mungesën e vëmendjes ndaj zonave rurale.”

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, për të sistemuar rrugën dhe për të rrethuar e pastruar varrezat. Ata theksojnë se nuk kërkojnë luks apo projekte madhore, por vetëm kushte minimale për të nderuar të dashurit e tyre me dinjitet.

Sepse për ta, 700 metra rrugë nuk janë thjesht një segment i amortizuar – janë simbol i harresës. /ALB365/ Xhemil Beharaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button