14-vjeçari, i cili rezulton i zhdukur që prej ditës së djeshme, në brigjet e lumit Seman teksa po peshkonte, ende nuk është gjetur. Mëngjesin e sotëm në Seman kanë mbërritur polumbarët të cilët vazhdojnë kërkimet. Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë ngjarje është fakti se edhe më përpara kësaj familjeje i është mbytur një tjetër djalë në ujërat e lumit Seman, në po të njëjtin vend. Banorët e fshatit Suk 1 të bashkisë së Roskovecit tregojnë se familja e të miturit të zhdukur ka problem të shumta ekonomike.
14-vjeçari ka qenë duke peshkuar në brigjet e lumit Seman ditën e djeshme rreth orës 19:00, por nuk është kthyer më. Dyshohet se i mituri ka hyrë në lumë për të nxjerrë grepat të cilat mendohet se i kanë ngecur në lumë. Në breg janë vënë re gjithë sendet e tij personale.