Një ekip i udhëhequr nga studiues nga universitetet amerikane të Tufts dhe Harvard ka zbuluar një lidhje midis konsumit të lartë të ushqimeve shumë të përpunuara dhe një rreziku në rritje të kancerit te meshkujt.
Në një studim të botuar në “British Medical Journal”, shkencëtarët zbuluan se burrat që hanin nivele të larta të ushqimeve ultra të përpunuara kishin një rrezik 29% më të lartë për të zhvilluar kancer në zorrën e trashë sesa burrat që hanin shumë pak nga këto ushqime
Studimi ka analizuar përgjigjet e më shumë se 200 000 pjesëmarrësve (159 907 gra dhe 46 341 burra) në tre studime të mëdha që vlerësuan dietën e vullnetarëve dhe u kryen për më shumë se 25 vjet. Studiuesit kanë arritur në përfundimin se lidhja më e fortë midis kancerit të zorrës së trashë dhe ushqimeve ultra të përpunuara tek meshkujt vjen nga sallami ose peshku i konservës.
Nga ana tjetër, ekipi i shkencëtarëve ka vërejtur gjithashtu se një konsum më i lartë i pijeve të ëmbla me sheqer, të tilla si pijet joalkoolike, pijet me bazë frutash dhe pijet e ëmbëlsuara me bazë qumështi, lidhet me një rrezik në rritje të kancerit te meshkujt.
Megjithatë, rasti i grave ka qenë i ndryshëm. Nga 159 907 gra që janë ndjekur, ekipi hulumtues ka dokumentuar 1 922 raste të kancerit të zorrës së trashë. Tek meshkujt janë regjistruar 1294 raste mes 46 341 pjesëmarrësve në këtë studim.
Në këtë drejtim, një nga bashkautorët e studimit, Fang Zhang, ka vënë në dukje se konsumimi i ushqimeve të tilla si kosi mund të “kundërshtojë efektin e dëmshëm” të llojeve të tjera të ushqimeve ultra të përpunuara në rastin e grave.