Reporterët pa Kufij ka dalë me një deklaratë ku i bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare që të ndalojnë kërcënimin e gazetarëve sa i përket publikimit të lajmeve.
Në deklaratë thuhet se “prokurorët shqiptarë kanë ndaluar mediat të mbulojnë çështje me interes publik, duke përfshirë kërcënimet ndaj institucioneve shtetërore dhe një rast të krimit të organizuar”.
Ata u janë drejtuar me një thirrje prokurorëve dhe gjykatave, që të marrin parasysh të drejtën e informimit.
“Reporterët pa Kufij (RSF) u kërkon autoriteteve të shmangin masat joproporcionale dhe dënon faktin që gazetarët janë kërcënuar me burgim për shkeljen e këtyre ndalimeve”.
Sipas tyre “Siguria e shtetit dhe konfidencialiteti i hetimeve gjyqësore janë arsye legjitime për kufizimin e lirisë së shtypit, por autoritetet duhet të marrin masa proporcionale për të mos frenuar në mënyrë arbitrare këtë të drejtë themelore.
Asnjë gazetar nuk duhet të kërcënohet me dënime me burg nëse mbulon tema me interes publik si kërcënimet ndaj institucioneve shtetërore dhe krimi i organizuar në përputhje me etikën mediatike. Ne u bëjmë thirrje prokurorëve dhe gjykatave të Shqipërisë që të marrin parasysh të drejtën e informimit”.