Në korrik të 2019-s, kur administrata doganore kishte aktivizuar përmbaruesit për mbledhjen e gjobës prej 80 milionë eurosh të vendosur ndaj Bankers Petroleum, një ‘urdhër nga lart’ pezullon procedurat.
Urdhri i dalë nga zyra e Anila Denajt, në atë kohë ministre e Financave dhe e Ekonomisë, që ka në varësi Drejtorinë e Doganave dhe Tatimeve justifikohej me gjoja ‘kompleksitetin e çështjes, si sa i takon volumit të dosjes, ashtu edhe të shumës që duhej mbledhur’.
Nga shqyrtimi i materialeve…rezulton se kemi të bëjmë me një problem shumë të rëndësishem dhe të ndërlikuar, qoftë nga shifra e konstatuar, qoftë nga shtrirja kohore…Për sa më sipër, autoriteti doganor të procedojë me pezullimin e procedurës”, thuhet në vendimin e ministres Denaj.
E thënë më thjesht, Ministrja urdhëroi doganat që të ndalin ekzekutimin e gjobës 80 mln euroshe ndaj Bankers Petroleum me arsyetimin se gjoba ishte shumë e madhe dhe se problemi ishte shumë kompleks.
Nga letërkëmbimi mes Bankers dhe Doganave, problemi nuk ka qenë edhe aq kompleks sa thotë ministrja. Bankers është kapur në shkelje të ligjit duke shmangur akcizën për holluesit e karburanteve. Vlera e taksës së shmangur ishte rreth 25 milionë euro dhe sipas ligjit, Bankers gjobitej me trefishin e shumës, që shkonte në total rreth 80 mln euro.
Në prill të këtij viti, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimet e dy gjykatave më të ulta dhe la në fuqi gjobën, e cila bashkë me kamatëvonesat dhe penalitetet e tjera që i shtohen ka shkuar në thuajse 100 mln euro. Vendimi i Gjykatës së Lartë është heqja e çdo barriere që kishin institucionet për ekzekutimin e gjobës dhe arkëtimin e një shumë parash, aq të nevojshme për qeverinë në këtë periudhë krize çmimesh.Megjithëse e ka të paktën prej muajit qershor në sirtare vendimin e Gjykatës së Lartë, Drejtoria e Doganave nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të arkëtuar gjobën. Arsye për mosreagimin nuk jepen, por korridoreve të këtij institucioni përflitet për një aferë madhore, ku ‘urdhërat’ jepen gojarisht nga lart.
Se sa lart shkon pengesa në ekzekutimin e gjobës, ndoshta një hetim i organeve të drejtësisë mund ta zbulojë. Ajo që dihet për momentin është që shqiptarëve po u kërkohet të sakrifikojnë, teksa qeveria u fal shkelësve të ligjit taksa e gjoba miliona euroshe. /voxnews.al/