Argjentina është skuadra e parë finaliste e Kupës së Botës në Katar. Nën udhëheqjen e një Lionel Messi në formë të shkëlqyer, skuadra e Scalonit shkatërroi Kroacinë 3-0 në gjysmëfinalen e parë.
Ekipi i Dalic e nisi mjaft mirë me një lojë të rrjedhshme në mesfushë, por nuk krijoi shanse shënimi. Në krahun tjetër, ekipi Albiceleste përfitoi nga një kundërsulm për të fituar një penallti. Nga pika e bardhë, Mesis godet në perfeksion, duke e goditur topin në trekëndëshin e portierit Livakovic. Pleshti kaloi legjendën Batistuta, duke arritur kuotën e 11 golave në Kupën e Botës.
Argjentina mori zemër nga ky gol dhe 5 minuta më pas do të shënonte dhe golin e dytë me Julian Alvarez që bën gjithçka mirë i vetëm dhe më pas me pak fat e dërgoi topin në rrjetë.
Në pjesën e dytë, Lionel Messi dhuroi spektakël duke dribluar në një aksion talentin Gvardiol dhe me më pas shërbeu një asist perfekt për Alvarez. Sulmuesi e kishte shumë të thjeshtë për të shënuar. Kroacia nuk dha shpresa reagimi duke u dorëzuar ndaj një Argjentine dominuese dhe asfiksuese në mesfushë.