Partia Demokratike që drejtohet nga Sali Berisha ka vendosur të dorëzojë në KQZ kërkesën për regjistrim në zgjedhjet lokale të 14 majit.
“Përfaqësuesit ligjorë të Partisë Demokratike në KQZ, Ledio Nuraj dhe Franc Nuri pas pak do të depozitojnë dokumentacionin për regjistrimin e PD-së si subjekt zgjedhor në zgjedhjet lokale të datës 14.05.2023 në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve” – thuhet në një njoftim të zyrës së shtypit pranë selisë blu.
Afati përfundimtar për regjistrimin e partive në zgjedhje është 6 marsi. Nëse kërkesa e PD-së së Berishës nuk do të pranohet nga KQZ pas vendimit të Gjykatës së Apelit atëherë kandidatët e dalë nga Primaret do trë garojnë si pjesë e një koalicioni.
Afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve është 15 marsi. Këshilli Kombëtar i thirrur nga Berisha vendosi që PD të jetë pjesë e një koalicioni në këto zgjedhje. Deri tani Berisha ka firmosur marrëveshje me Ilir Metën e Partisë së Lirisë dhe Vangjel Dulen e PBDNJ-së.
Edhe PD që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj ka paralajmëruar se të hënën do të dorëzojë kërkesën për njohjen e saj në KQZ.