Saturday, November 23, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeLIFESTYLEMAGAZINËMonedha shqiptare 100 lekë, e vetmja me portretin e gruas

Monedha shqiptare 100 lekë, e vetmja me portretin e gruas

Banka e Shqipërisë ka gjetur mënyrën e saj për të përkujtuar 8 Marsin.

“Gëzuar “8 Marsin”, Ditën Ndërkombëtare të Gruas” uron ky institucion dhe sjell në vëmendje këtë fakt:

“E vetmja ndër monedhat dhe kartëmonedhat shqiptare me kurs ligjor, e cila përfaqësohet me një grua, është monedha me prerje 100 Lekë. Në pjesën e përparme të saj paraqitet Mbretëresha ilire Teuta, shoqëruar me mbishkrimin “Republika e Shqipërisë” dhe vitin e shtypit të monedhës, 2000.

Teuta ishte gruaja e dytë e Agronit, e cila pas vdekjes së parakohshme të të shoqit, trashëgoi fronin mbretëror, duke u vendosur në krye të shtetit dhe ushtrisë ilire gjatë viteve 230-228 p.e.s.

Edhe pse qëndresa e saj në krye të shtetit zgjati më pak se tre vjet, Teuta u shqua si një nga personalitetet më të spikatura të historisë shqiptare, pasi nën sundimin e saj, shteti ilir u fuqizua së tepërmi si politikisht, ashtu edhe ushtarakisht.

Një vëmendje të veçantë, ajo i kushtoi fuqizimit të flotës detare, përmes ndërtimit të disa anijeve luftarake, të quajtura “Liburne”, të cilat shquheshin për shpejtësinë dhe lehtësinë e manovrimit dhe patën ndikim të madh në fitoren e betejave të zhvilluara në brigjet e detit Adriatik.

Mbretëresha Teuta ishte e vendosur të rriste më tej edhe fuqinë politike, duke krijuar shumë aleanca dhe duke ndërmarrë një sërë sulmesh.

Fitoret e saj ngjallën zemërim të madh tek Perandoria Romake, e cila bashkë me tradhtitë e brendshme ndaj Teutës, çoi në dështimin e planit të saj për të pushtuar Dyrrahun, Apoloninë dhe Korkyrën.

Në duart e romakëve nga njëra anë dhe me një fuqi të dobët ushtarake nga ana tjetër, Teuta u mbyll në qytetin e fortifikuar të Rozonit (Risani i sotëm) në gjirin e Kotorit.

Në pranverë të vitit 228 p.e.r, përfaqësuesit e saj përfunduan me senatin romak një paqe me kushte shumë të rënda për Ilirët dhe shume shpejt Iliria u kthye në një provincë romake. Në këto kushte, Teuta hoqi dorë nga froni mbretëror, të cilin më pas e mori Dhimitër Frani.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME