Një kompani ajrore po punon që t’i revolucionalizojë fluturimet, duke krijuar avionë pasagjerësh me shpejtësi marramendëse, raportoi CNN të enjten.
Destinus është kompania me koncept fluturimesh nëpërmjet energjisë hidrogjeni, pesë herë më shpejt se shpejtësia e zërit. Nga kjo synohet të shkurtohet kohëzgjatja e fluturimit për të paktën katër herë nga fluturimet e zakonshme.
Me seli në Zvicër, 120 punonjës të Destinusit të shpërndarë në Spanjë, Francë dhe në Gjermani, po punojnë nga 2021-a për të krijuar avionë që kapin shpejtësi marramendëse hipersonike. Dy fluturimet e para testuese kanë përfunduar me sukses, e tani pritet testimi tjetër me energji të hidrogjenit, që do të bëhet gjatë këtij viti. Martina Lofqvist, menaxhere e projektit, deklaroi se po shpreson që më në fund të hapë epokën e re të udhëtimeve hipersonike.
“Ka qasje të ndryshme për ta bërë këtë. Pretendentët e tjerë kryesorë në këtë fushë, si Boom Supersonic, janë të përqendruar më tepër në zhvillimin e modeleve dhe të kuptuarit se si funksionon dhe t’i bëjnë këta avionë të pilotuar”, deklaroi ajo.
Sipas menaxhere, strategjia aktuale e Destinusit është që të zhvillohen dronë me përmasa të vogla para se të bëhen avionë të mëdhenj, të drejtuar nga pilotë ose me pasagjerë.
Lofqvist shtoi se hidrogjeni si karburant është zgjedhur për Destinusin për shkak të burimit të pastër energjie, pasi është i rinovueshëm dhe më i lirë për prodhim.
Aviacioni me energji hidrogjeni është ende në fillimet e tij pasi motorët s’janë futur në përdorim të zakonshëm. Kompania e Airbusit po zhvillon motorë me hidrogjen që do t’i nisin fluturimet testuese në vitin 2026.
Nëpërmjet këtij lloj fluturimi, udhëtimet parashihen të jenë joshëse pasi nga Frankfurti i Gjermanisë drejt Sydneyt në Australi, i tërë fluturimi do të zgjasë 4 orë e 15 minuta. Në fluturime të zakonshme, një fluturim i tillë do të zgjasë 21 orë e 45 minuta.
Nga Memphis i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Dubai për 3 orë.