Spektakël dhe emocione në “aktin” e parë të gjysmëfinales mes Real Madridit dhe Manchester City, i cili do të mbyllej në shifrat 1-1. Mbetet gjithçka e hapur për në “Etihad Staium”, ku do të përcaktohet dhe ekipi i parë që do të shkojë në finalen e Stambollit.
Skuadra e Guardiolës e nisi më mirë ndeshjen duke dominuar në zotërimin e topit. Haaland tentoi në dy raste që të befasonte portierin Courtois, i cili ishte gjithnjë i gatshëm për ta ndalur.
Reali fiton terren me kalimin e minutave, madje arrin që të gjejë dhe golin. Në minutën e 36-të, Vinicius Junior dhuron spektakël, teksa me një goditje nga distanca e dërgon topin në cepin e portës, atje ku portieri Ederson e ka të vështirë për ta arritur.
Goli i dha zemër skuadrës madrilene që do të ishte shumë më e rrezikshme në fundin e pjesës së parë. Në fillimin e së dytës, City përpiqet që të gjejë barazimin, i cili do të vinte disa minuta më vonë. Në minutën e 67-të, Kevin de Bruyne shkarkon të djathtën nga distanca duke e dërguar topin në cepin e portës. Asnjë shans reagimi për Courtois, i cili u zgjat për ta ndalur.
Në minutat e fundit spikat një pritje fantastike e portierit Ederson, i cili shmang një super gol nga Tchuameni, i aktivizuar në minutat e fundit. Tashmë mbetet të shijojmë dhe 90 minutat e ardhshme në Angli, që do të jenë po kaq emocionuese.