Për shkak të presionit që i bëri gazetares Ola Xama duke e quajtur një “killere me pagesë”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është përfshirë në sinjalizimet e Platformës për Mbrojtjen e Gazetarisë dhe Sigurinë e Gazetarëve një mekanizëm pranë Këshillit të Europës, që raporton mbi kërcënimet dhe presionet ndaj medias. Sinjalizimi për Veliajn është kategorizuar në “Nivelin 2” që konsiderohet një kërcënim serioz për lirinë e medias.
Autoritetet, në këtë rast Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ftohet të përgjigjet duke detajuar veprimet parandaluese, mbrojtëse ose korrigjuese për kërcënimin. Në faqen e internetit koha e dhënë për një përgjigje nga Veliaj është deri në 18 Tetor.
Një alarm mund të etiketohet si PROGRES kur regjistrohen zhvillime pozitive dhe si ZGJIDHUR nëse kërcënimi pushon së ekzistuari ose është korrigjuar.
Në faqen e internetit të Platformës për Gazetari të Sigurt detajohet edhe reagimi i Veliajt për shkrimin që raportoi të dhëna nga dosja e SPAK për inceneratorët.
Aty shkruhet se “Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, e ka quajtur Ola Xama, gazetare në Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative (BIRN), një “vrasëse me kontratë”, pasi ajo e kontaktoi për të komentuar mbi një hetim për menaxhimin e mbetjeve.
Menaxhimi i mbetjeve në Shqipëri është aktualisht objekt i një hetimi penal për korrupsion dhe pastrim parash që përfshin politikanë. Arben Ahmetaj, deputet dhe ish-zëvendëskryeministër dhe ministër i Financave, është përballur me një urdhër arresti dhe është larguar nga vendi. Më 14 korrik, Veliaj, i cili nuk i ishte përgjigjur kërkesës së BIRN për koment, i shkroi Xama-s, duke thënë se ajo kishte ngatërruar fakte dhe e quajti atë “militante”. Më tej ai shkroi “nuk je gazetare, je vrasëse me pagesë”. Më pas e përditshmja Dita mbrojti Veliajn dhe denigroi Xamën për disa ditë. Ajo publikoi në faqen e saj të parë një artikull të titulluar “Spekulime”, që i referohet gazetares si “personi i kontraktuar” dhe e akuzon atë për gabime me qëllim mbrojtjen e Ahmetajt, duke shtuar se “vjen era e gazetarisë si killer me pagesë!”.
Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dhe Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) kanë denoncuar fyerjet dhe kanë mbrojtur gazetaren dhe punën e saj”
Platforma për Mbrojtjen e Gazetarisë dhe Sigurinë e Gazetarëve është një mekanizëm që ndihmon dialogun ndërmjet qeverive dhe organizatave të gazetarëve, me qëllim që të ndalojë shkeljet e lirisë së shtypit në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe t’u mundësojë gazetarëve të ushtrojnë profesionin e tyre pa rrezikun e cenimit të sigurisë së tyre.
Platforma synon të përmirësojë mbrojtjen e gazetarëve, të adresojë më mirë kërcënimet dhe dhunën kundër profesionistëve të medias dhe të nxisë mekanizmat e paralajmërimit të hershëm dhe kapacitetin e reagimit brenda Këshillit të Evropës