Festivali dhe Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë “Fokus Award”, i cili organizohet prej gati dy dekadash në qytetin e Fierit – duke arritur tashme në edicionin e tij të 14-të – Ju fton në Ceremoninë e Dhënies së Çmimeve ditën e premte, datë 22 Shtator 2023, ora 18:00. Fokus Award është jo vetëm festivali më i madh dhe i rëndësishëm por edhe më jetëgjati ndër festivalet e fotografisë në rajon.
Festivali organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë Fier dhe mbledh rreth tij qindra fotografë profesionistë dhe të apasionuar rreth fotografisë duke krijuar tashmë një komunitet të konsoliduar dhe një vemendje ndërkombëtare reth tij.
EKSPOZITA: Festivali shtrihet në kohë dhe qytete të ndryshme duke filluar me qytetin e Vlorës, ku në datën 20 Shtator 2023 në orën 18:00 pranë “Alpha Gallery” çel dyert ekspozita tematike “Life”. Festivali ka marrëdhënie konkrete me simotra të saj në rajon dhe botë, marrëveshje bashkëpunimi me organizata të ndryshme si FIOF – Fondi Ndërkombëtar i Fotografisë Italiane apo Fotometria në Greqi me të cilët shkëmben projekte, ekspozita dhe realizon kështu një prej objektivave të tij kryesorë i cili është ndërkombëtarizimi i fotografisë shqiptare.
Në këtë prizëm, në datën 21 Shtator 2023 pranë Parkut Arkeologjik të Apolonisë , salla “Trapezeria”, çelet ekspozita me Ambasadorët e Fotografisë Italiane në Botë dhe në datë 22 Shtator 2023, në hollin e Tetrit Bylis në Fier, ku edhe do të mbahet Ceremonia Festive e Çmimeve 2023, do të ekspozohet një shfaqje me 27 autorë italianë me titullin “Ri/Svegli – Ri/Zgjime”. Në Galerinë “Vilson Kilica” të qytetit të Fierit, në datën 22 Shtator 2023, në orën 18:00 çelen ekspozitat tematike “People”, “Land” si edhe ajo me temën kryesore të konkursit, “Gjërat Kanë Ndryshuar?”.
Më pas, Tirana do të jetë destinacioni tjetër në tetor me ekspozitën “Press Photo” e më tej Elbasani në datat 11 dhe 12 Tetor 2023 me një përzgjedhje fotografike nga Edicioni i 14të për të vazhduar akoma më tej në Itali, në Barletta dhe “Orvieto Fotografia” në mars të vitit 2024. Pra, ky edicion i festivalit sjell mbi 7 ekspozita tematike dhe shumë të tjera speciale për publikun shqiptar dhe atë të huaj.