Sfida vendimtare e kombëtares, për kualifikueset e Euro 2024, kundër Republikës Çeke po afron. Një ndeshje shumë delicate dhe e rëndësishme për të mos u kujdesur në detaje. Tekniku i Kombëtares, Sylvio Mendes Campos Junior ka zbritur në fushë, për tu takuar personalisht me dy lojtarët kuqezi Ivan Balliu dhe Keidi Bare.
Tekniku ka udhëtuar drejt Spanjës së bashku me ndihmësin e tij, Pablo Zabaleta. Fillimisht ata janë ndalur në Madrid për të ndjekur ndeshjen Rayo Vallecano-Mallorca, që mbaroi me rezultatin 2-2. Para syve të teknikut Sylvinho, mbrojtësi shqiptar Balliu luajti për 90 minuta.
Pas ndeshjes, braziliani dhe argjentinasi janë takuar me futbollistin shqiptar. Diskutimet kanë qenë për formën e tij dhe për ndeshjet e ardhshme të Kombëtares në muajin tetor ndaj Republikës Çeke dhe Bullgarisë. Një takim i rëndësishëm duke parë se Balliu u anashkalua në dy ndeshjet e shtatorit.
Më pas, dy teknikët janë ndaluar edhe në Barcelonë. Takimi ka qenë me mesfushorin Keidi Bare, që aktivizohet te Espanyol. Edhe me të janë diskutuar gjithashtu impenjimet e ardhshme të Kombëtares në kualifikueset e Euro 2024. Trajneri kuqezi ka zhvilluar një tur takimesh gjatë javëve të fundit me lojtarët e Kombëtares në kuadër të përgatitjeve për grumbullimin e radhës që do të nisë më 8 tetor 2023.