AKTUALITETTOP-NEWS

Dhjetëra Ha tokë nën ujë/ ‘15 vite që s’kemi parë përmbytje të tilla’, banorët: Rrezikohen banesat

Dhjetëra hektarë tokë bujqësore të mbjella me jonxhe dhe grurë janë nën ujë në fshatin Belinë, njësia administrative Zharrëz, bashkia Patos. Banorët tregojnë se situata është më e rëndë se çdo vit tjetër, pasi prej më shumë se 15 vitesh lumi nuk ka pasur prurje kaq të mëdha.

Sipas tyre, një rritje e mëtejshme e nivelit të ujit apo një çarje e argjinaturës do të sillte përmbytjen jo vetëm të 350 banesave të Belinës, por edhe një pjese të mirë të fshatit Sheqishte.

Banorët theksojnë se këtë herë uji nuk është i turbullt apo i mbushur me shkurre e drurë si në përmbytjet e kaluara, por më i kulluar, pasi mendohet se janë hapur portat e hidrocentralit të Banjës.

Sipas banorëve, dëmet në të mbjellat llogariten në miliona lekë. Ata ngrenë shqetësimin se një tjetër pengesë për largimin e ujërave është ndërtimi i disa rrugëve me çakull nga kompania private që operon në fushën e naftënxjerrjes në Marinëz, të cilat janë ngritur në shtratin e lumit duke bllokuar qarkullimin natyral të ujit.

Në krahun tjetër, situata me lumin Vjosa në territorin e Fierit paraqitet disi më e qetë. Burime zyrtare nga Shtabi i Emergjencave Civile konfirmuan se gjatë mëngjesit dhe paradites prurjet kanë pësuar rënie. Forcat e ushtrisë dhe strukturat e bashkisë janë në gatishmëri pranë zonës së prekur, ndërsa hidrovorët po punojnë me kapacitet të plotë për largimin e ujit nga kanalet magjistrale.

Uji është prezent brënda argjinaturës së lumit në toka të mbjella me kultura të stinës dhe agrume si dhe oborret e banesave.

Nuk raportohet për ndërprerje të energjisë elektrike apo bllokime të rrugëve nga rrëshqitjet e tokës. Megjithatë, furnizimi me ujë të pijshëm në disa zona mbetet i kufizuar, pasi disa puse të ndodhura në shtratin e Vjosës janë përmbytur.

Ndërkohë, banorët shprehen të zhgënjyer nga mungesa e përfaqësuesve politikë. Ata thonë se nga 12 deputetët e PS-së nuk është parë asnjëri në terren, përveç deputetes së zonës, Antoneta Dhima, e cila ishte e pranishme paraditen e sotme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button