AKTUALITETTOP-NEWS

Kremenar, fshati që po shuhet në heshtje: Rrugët e zbrazura, porta të kyçura dhe të moshuar.

Mallakastër – Në zemër të Mallakastrës, mes kodrave me ullinj shumëvjeçarë dhe rrugicave të ngushta që dikur gumëzhinin nga zërat e banorëve, sot mbretëron një heshtje që të rëndon në shpirt.

Fshati Kremenar, dikur model i prodhimit të vajit të ullirit dhe mishit cilësor të thundrakëve, tashmë po përjeton ditët më të vështira të ekzistencës së tij. Shpopullimi ka lënë gjurmë të thella, aq sa jeta në këtë vend është tkurrur vetëm te të moshuarit mbi 60 vjeç që refuzojnë të braktisin shtëpitë e tyre.

Sipas banorëve, dikur Kremenari kishte dy lagje me mbi 150 banesa të banuara, me familje të mëdha, me fëmijë që luanin nëpër rrugë e me njerëz që punonin tokat nga mëngjesi deri në darkë. Sot, vetëm rreth 60 banesa kanë ende drita të ndezura. Dhe brenda tyre jetojnë të moshuar që thonë se po e ruajnë fshatin “me frymë”.

Ndërkohë, të paktët fëmijë të mbetur detyrohen të udhëtojnë çdo ditë drejt shkollës së bashkuar në Fratar, sepse në Kremenar arsimi është shuar prej vitesh. Oborret që dikur ishin plot me fëmijë e lojëra, sot janë kthyer në hapësira të rëna në pluhur e bar të thatë.

Tek ecën nëpër lagjet e fshatit të duket sikur kohe është ndalur. Rrugët janë të zbrazura, shtëpitë të kyçura, portat të ndryshkura nga vitet, dhe qentë e rrallë që lehin duken sikur i përgjigjen asaj heshtjeje të rëndë. Në shumë raste, për të gjetur një banor duhet të trokasësh gjatë në oborre, sepse lëvizja në rrugë është thuajse zero.

Disa të moshuar që gjetëm, të mbështetur tek bastunët e tyre dhe të ulur pranë portave të vjetra, tregojnë se dikur fshati kishte jetë, kishte shpresë, kishte treg. Sot, as tregje nuk ka, as fuqi punëtore.

Shumë prej tyre kujtojnë kohët kur prodhimet e tyre bujqësore shiteshin rregullisht, kur bagëtia ishte burim të ardhurash dhe kur çdo familje mbante në këmbë ekonominë e vet.
“Sot, djemtë e vajzat janë larguar të gjithë. Në Greqi, Itali… ku të gjejnë punë. Këtu nuk mbeti as peng për të krijuar jetë,” thotë një banor i moshuar, duke shikuar nga ullishtat që u kanë rralluar duart e njeriut.

Mungesa e rrugëve të mira, pamundësia për të shitur prodhimet, mungesa e vendeve të punës, por mbi të gjitha mungesa e shpresës, janë arsyet kryesore që kanë boshatisur Kremenar-in. Në këtë realitet të zymtë, të moshuarit që kanë mbetur janë e vetmja dëshmi e një fshati që dikur kishte gjallëri. Ata e quajnë veten “roje të shtëpive”, ndërsa shpesh shprehen se frikësohen mos vdesë edhe emri i fshatit bashkë me ta.

Në shumë banesa, muret janë të çara nga koha, çatitë të rëna, dhe dritaret që dikur hapeshin çdo mëngjes tani janë mbuluar nga pluhuri. Fshati duket si një vend që pret rikthimin e bijve të tij, por ata nuk vijnë, sepse jeta i ka shpërndarë në vendet e huaja për të mbijetuar.
Kremenari nuk është një rast i izoluar. Ashtu si shumë fshatra të tjerë të Mallakastrës, ai po shuhet ngadalë, në heshtje. Një heshtje që e dëgjon vetëm kur ecën aty, kur sheh se si pushon jeta në shtëpitë e dikurshme dhe kur kupton se shpopullimi nuk është më thjesht një fenomen – është një realitet që po përpin fshatin.

E derisa të moshuarit të kenë forcë të ngrihen në mëngjes e të ndezin dritën e shtëpisë, Kremenari do të vazhdojë të marrë frymë. Por pyetja që rri pezull është: Deri kur? ALB365/ Xhemil Beharaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button