BOTA

Luvri, si një anije që vetëm fut ujë: Tjetër incident në muzeun ikonik të Parisit

Një incident i pazakontë ka ndodhur në muzeun e famshëm të Luvrit në Paris, ku një rrjedhje uji ka dëmtuar qindra materiale të departamentit egjiptian. Ngjarja u zbulua më 26 nëntor dhe u konfirmua këtë të dielë, më 7 dhjetor, nga zyrtarë të institucionit, vetëm pak javë pasi muzeu u përfshi në një skandal të madh vjedhjeje bizhuterish që ngriti pikëpyetje për gjendjen e infrastrukturës së tij.

Sipas administratës së muzeut, 300 deri në 400 materiale janë prekur nga rrjedhja, kryesisht revista të Egjiptit dhe dokumentacion shkencor të përdorur nga studiuesit.

Francis Steinbock, zv.administratori i Luvrit, deklaroi se materialet e dëmtuara datojnë nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, duke theksuar se, edhe pse janë shumë të rëndësishme për kërkimin shkencor, ato nuk janë objekte të trashëgimisë kulturore dhe as unikale. Ai siguroi se deri tani nuk raportohen humbje të pariparueshme.

Siç shkruan The Guardian, rrjedhja u shkaktua nga hapja aksidentale e një valvule në sistemin e vjetër të ngrohjes dhe ventilimit, çka bëri që uji të depërtonte përmes tavanit në krahun Mollien të muzeut, ku mbaheshin librat dhe dokumentet.

Administratori shtoi se sistemi i ngrohjes, tashmë “totalisht i amortizuar”, ishte jashtë funksionit prej muajsh dhe parashikohet të zëvendësohet në vitin 2026.

Materialet e dëmtuara do të thahen, më pas do t’i dorëzohen restauratorëve të specializuar dhe në fund do të rikthehen në koleksion.

Incidenti vjen në një moment delikat për Luvrin, pas vjedhjes spektakolare të tetorit, ku një grup prej katër personash grabitën bizhuteri me vlerë rreth 102 milionë dollarë brenda vetëm shtatë minutash. Ngjarja ndezi debate mbi sigurinë dhe infrastrukturën e muzeut më të vizituar në botë.

Ndërkohë, Luvri ka njoftuar edhe rritjen e çmimit të biletave për vizitorët që vijnë nga jashtë BE-së, që do të paguajnë 32 euro nga fundi i këtij viti. Ky vendim synon të rrisë të ardhurat deri në 23 milionë dollarë për përmirësime infrastrukturore.

Në vitin 2024, muzeu priti 8.7 milionë vizitorë, 69% prej të cilëve nga jashtë Francës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button