OP/ ANTOP-NEWS

Pa emigrantët festat në Shqipëri do ishin shumë më bosh

Editorial i ‘Piranjave’ nga Dojna Mema, Florian Binaj dhe Bes Kallaku

DOJNA: Kjo është java që Shqipëria mbushet me emigrantë. Me anije, avionë apo makina të mbushura plot me dhurata, ata rikthehen. Por më shumë se dhuratat, ata janë të ngarkuar me një mall mall të madh për Shqipërinë dhe për njerëzit që kanë lënë pas

BESI: Ajo që ndjejmë disa nga ne, që nuk presim të na vijë njeri është ngarkesa. Rëndohet trafiku, rrugët mbushen me makina me targa të huaja, dëgjohet ajo shqipja e përzjerë me italisht, greqisht apo anglisht, dhe ne, të ngarkuar nga hallet tona, fillojmë të ankohemi.

FLORI: Ardhja e tyre është ai moment i rrallë kur takohen dy botë: ata që do donin të iknin ose nuk ikën dot kurrë, me ata që patën kurajën të ikin dhe që kthehen çdo dhjetor për një ritual të përvitshëm.

DOJNA: Ne jemi një vend ku emigrantët nuk janë thjesht njerëz, por edhe investitorë që mbajnë gjallë ekonominë e shumë familjeve. Nëse duam ti lexojmë emigrantët si shifra, ata janë 10% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Nëse duam ti shohim si shpëtimtarë, shumë familje shqiptare nuk do mbijetonin dot pa paratë që dërgojnë ata.

BESI: Paratë e emigrantëve janë një lumë që nuk ndalet… Herë të pastra, herë të pista, herë në të zezë e herë në të bardhë, herë me djersë e herë me gjak… por pa këto para shumë familje do ta kishin të pamundur të mbijetonin.

FLORI: Ata dërgojnë para në këtë vend… mbajnë ekonominë, dhe nuk marrin pas asgjë përveçse gjobat e policisë dhe mallkimet e disa inatçinjve që thonë: ja vijnë këta dhe bëhet trafik…. Përveç miqve, shokëve e familjarëve, kush në këtë vend i respekton ata? A ka Shqipëria realisht një strategji për t’i mbajtur afër?

DOJNA: Ëshët kohë e festash, dhe Shqipëria mbushet me emigantë. Por jo të gjithë emigrantët kthehen… Disa prej tyre kapërcejnë një vit, dy, madje edhe tre pa ardhur. Derisa vendosin të mos kthehen më.

FLORI: Ne nuk e vëmë re menjëherë mungesën e tyre, por festat tona e ndjejnë boshllëkun dhe humbin diçka nga magjia e tyre.

BESI: Pse? Pse disa vendosin të mos kthehen më? Çfarë ka ndodhur? Çfarë u dhemb aq shumë sa nuk duan ta shohin më këtë vend?

DOJNA: Kthimi i emigrantëve mund të jetë edhe një ngarkesë, sepse sjell zhurmë, rrëmujë dhe përplasje me realitetin. Por në të njëjtën kohë është një plotësim shpirtëror, sikur dy gjysma të një molle ribashkohen për pak ditë.

FLORI:Pa ta këto festa do ishin shumë më bosh, sepse kur ata janë këtu, përtej remitancave dhe nostalgjisë, Shqipëria ndihet për herë të parë një vend i plotë me energji të bashkuar.

BESI:Pastaj festat mbarojnë… Bredhat e zbukuruimet hiqen, dhe emigrantët largohen sërish për t’u kthyer atje ku kanë ndërtuar jetën e tyre.

FLORI:Ata ikin me kokën prapa duke marrë me vete kujtime, përqafime dhe një copëz të Shqipërisë që e mbajnë brenda…

DOJNA: Dhe ne mbetemi këtu, me një pjesë të shpirtit tonë që largohet bashkë me ta, deri dhjetorin tjetër… me shpresën që të kthehen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button