Çmenduri për këtë skicë të Michelangelo, shitet për 27.2 milionë USD

Një skicë e panjohur më parë e një këmbe e bërë nga Michelangelo u shit në një ankand në New York për 27.2 milionë dollarë.
Ekspertët në shtëpinë e ankandeve “Christie’s” thonë se kjo është një skicë e këmbës së Sibilës libiane, e cila më vonë u pikturua në tavanin e Kapelës Sistine.
Sipas shtëpisë së ankandeve, pronari i saj kishte paraqitur vetëm një fotografi për një vlerësim në ankand për të zbuluar vlerën e vërtetë të skicës. Andrew Fletcher, drejtuesi i veprave kryesore të artit të “Christie’s”, e përshkroi zbulimin si “një nga momentet më të paharrueshme” të karrierës së tij.
Skica e vogël me shkumës të kuq besohet se daton rreth viteve 1511-1512, kur Michelangelo po përgatitej të punonte në gjysmën e dytë të tavanit të Kapelës Sistine, e cila përfshinte Sibilën libiane.
Pronari i paidentifikuar, i cili jeton në Bregun Perëndimor të SHBA-së, i tha “Christie’s” se e kishte trashëguar vizatimin nga gjyshja e tij. Ai tha se skica ishte trashëguar nga familja në Evropë që nga fundi i viteve 1700.
Ekspertja e “Christie’s” për skicat e artistëve të mëdhenj, Gianna Damen, përdori analizën infra të kuqe për të zbuluar veprën. Më pas ajo e vendosi atë pranë vizatimit të Michelangelo në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork, duke arritur në përfundimin se skica ishte origjinale.
Fillimisht ajo pritej të shitej për 1.5 deri në 2 milionë dollarë, por pas një lufte ofertash, vizatimi u shit për 27.2 milionë dollarë, një çmim rekord për një vepër të Michelangelo. Rekordi i mëparshëm ishte 24.3 milionë dollarë për një vizatim tjetër, të shitur nga “Christie’s” në Paris në vitin 2022.









