Raporti/ Shqiptarët perceptuan rritje të korrupsionit gjatë 2025

Shqipëria ka pësuar një rënie të ndjeshme në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025, të publikuar nga Transparency International, duke humbur 3 pikë dhe 11 vende në renditjen globale krahasuar me një vit më parë.
Sipas raportit zyrtar, vendi ynë ka zbritur nga 42 pikë që kishte në vitin 2024 në 39 pikë për vitin 2025. Në renditjen mes 180 shteteve të përfshira në indeks, Shqipëria renditet tashmë në vendin e 91, ndërsa një vit më parë ndodhej në pozicionin e 80, ose sipas përllogaritjes së vitit paraprak, në zonën e 81. Në çdo rast, lëvizja është e qartë dhe e matshme: një regres i dukshëm në perceptimin ndërkombëtar për luftën kundër korrupsionit.
Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit mat perceptimin mbi nivelin e korrupsionit në sektorin publik, në një shkallë nga 0 deri në 100, ku 0 përfaqëson korrupsion ekstrem dhe 100 një administratë shumë të pastër. Me 39 pikë, Shqipëria mbetet nën mesataren globale dhe vijon të klasifikohet në grupin e vendeve me probleme serioze në sundimin e ligjit dhe integritetin institucional.
Në krahasim rajonal, Shqipëria renditet më dobët se disa nga fqinjët e saj. Mali i Zi ka marrë 46 pikë dhe mban vendin e parë në rajon, i ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 40 pikë. Kosova vlerësohet me 43 pikë, një pikë më pak se një vit më parë, por gjithsesi mbi Shqipërinë. Bosnje e Hercegovina renditet me 34 pikë, ndërsa Serbia me 33 pikë, të dyja me rënie krahasuar me vitin e kaluar.
Në analizën për Ballkanin Perëndimor, Transparency International thekson si problem të përbashkët mungesën e transparencës në projektet e mëdha publike. Në raport thuhet se “Në gjithë Ballkanin Perëndimor, mungesa e transparencës në vendimmarrje për projekte të mëdha investuese është një dobësi e zakonshme”. Më tej theksohet se “Pezullimi i rregullave për transparencë dhe kompetencat diskrecionale po i ekspozojnë fondet publike ndaj rrezikut të korrupsionit dhe në të njëjtën kohë po e dëmtojnë besimin e publikut”.
Rënia e Shqipërisë në këtë indeks vjen në një moment kur retorika zyrtare vijon të theksojë forcimin e institucioneve dhe luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta. Megjithatë, perceptimi ndërkombëtar duket se lëviz në drejtim të kundërt. Indeksi nuk mat raste individuale, por klimën e përgjithshme të integritetit publik, funksionimin e institucioneve dhe besimin në zbatimin e ligjit.
Shqipëria mbetet kështu në një zonë gri, larg standardeve të Bashkimit Europian dhe nën presionin për të provuar se reformat kundër korrupsionit janë më shumë sesa deklarata./Lapsi.al









